Google ADS

Lija e majmunit, IKSHPK del me një listë informacionesh për infeksionin e rrallë

00:07 | 22 Maj 2022
Trina Galanxhi

Pasi Mbretëria e Bashkuar regjistroi disa raste të infeksionit të lijës së majmunit në javën e kaluar, sëmundja misterioze arriti në Portugali dhe Spanjë, por edhe në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada.

Përhapja ka ndezur alarmin, sepse sëmundja virale, e cila bartet përmes kontakteve të ngushta dhe është zbuluar për herë të parë në majmunë, shfaqet kryesisht në pjesën perëndimore dhe qendrore të Afrikës, ndërsa vetëm herë pas here diku tjetër.

Lija e majmunit është një virus që shkakton simptoma të etheve, si dhe shfaq gunga në trup. Për çdo ditë e më shumë po bëhet shqetësuese për botën, në kohën kur po dalim nga pandemia e gjatë dhe e rëndë e COVID-19.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka dalë me një listë informacionesh për lijën e majmunëve mbrëmjen e së shtunës, ku jepen detajet dhe sqarimet e fundit, të nxjerra nga profesionistët shëndetësorë të OBSH-së.

Deri më sot, asnjë rast me këtë infeksion nuk është regjistruar në Kosovë

Disa informacione për lijën e majmunëve:

• Lija e majmunëve shkaktohet nga virusi i lisë së majmunëve, anëtar i gjinisë Orthopoxvirus në familjen Poxviridae.

• Lija e majmunëve është sëmundje zoonotike virale që shfaqet kryesisht në zonat tropikale të pyjeve të Afrikës Qendrore dhe Perëndimore dhe herë pas here eksportohet në rajone të tjera.

• Lija e majmunëve zakonisht shfaqet klinikisht me ethe, skuqje dhe ënjtje të nyjeve limfatike dhe mund të çojë në sërë komplikimesh mjekësore.

• Lija e majmunëve është zakonisht sëmundje me simptoma të kufizuara që zgjasin nga 2 deri në 4 javë. Mund të ndodhin raste të rënda. Kohët e fundit, raporti i fatalitetit të rasteve ka qenë rreth 3-6%.

• Lija e majmunit transmetohet te njerëzit nëpërmjet kontaktit të ngushtë me person ose kafshë të infektuar, ose me material të kontaminuar me virusin.

• Virusi i lisë së majmunit transmetohet nga një person te tjetri nëpërmjet kontaktit të ngushtë me lezione, lëngje trupore, pika të frymëmarrjes dhe materiale të kontaminuara si shtrati.

• Paraqitja klinike e lisë së majmunëve i ngjan asaj të lisë, një infeksion i lidhur me ortopoksvirusin i cili u shpall i çrrënjosur në mbarë botën në vitin 1980. Lija e majmunëve është më pak ngjitëse se lija dhe shkakton sëmundje më pak të rënda.

• Vaksinat e përdorura gjatë programit të çrrënjosjes së lisë ofruan gjithashtu mbrojtje kundër lisë së majmunëve. Janë zhvilluar vaksina më të reja nga të cilat njëra është miratuar për parandalimin e lisë së majmunëve.

• Një agjent antiviral i zhvilluar për trajtimin e lisë është licencuar gjithashtu për trajtimin e lisë së majmunëve.

Të ngjashme