Zgjerimi i fundit i aktakuzës ndaj katër drejtuesve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, që iu referohen krimeve që pretendohet të jenë kryera në Suharekë e Gjilan, nga drejtues të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po shihet kryekëput politike dhe jo korrekte, raporton arbresh.info.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, në një intervistë për arbresh.info ka thënë se zgjerimi i aktakuzës ndaj katërshes në fjalë vie si shkak i disa proceseve gjyqësore të bëra nga prokuroria serbe kohë më parë.
Madje Klinaku e quan absurde pasi që këto procese gjyqësore janë trajtuar nga misionet paqeruajtëse në Kosovë UNMIK dhe EULEX.
“Zgjerimi i aktakuzës ndaj krerëve të UÇK-së është duke u bërë për shkak të stërzgjatjes së procedurave sepse janë disa vende ku ata i cekin, janë disa procese gjyqësore që i kanë kalu veteranët e luftës apo pjesëtarët e UÇK-së qoftë në Gjilan kur flasin, e dimë ne që në vitin 2008 janë arrestuar disa persona nga Prokuroria e Serbisë edhe janë dërgua në Serbi në burg kanë nejt, janë dënu me 116 vite dhe kanë qëndru në burg pesë vite, dhe në fund Gjykata e Apelit i ka shpallë të pafajshëm. Ne e dimë, kemi pyet që është i njëjti rast, d.m.th ta rikthesh të njëjtën çështje që e ka trajtu, jo veç kjo gjykatë, por edhe proceset gjyqësore që i ka trajta UNMIK dhe EULEX janë duke i fut tash duke ua ngarkua krerëve të UÇK-së. Vetë Gjykata është politike e që vazhdimisht e kemi konstatu e kundërshtu qysh kur është themelu, por kjo është konstatu edhe në proceset gjyqësore ku ju e keni pa vet aty s’ka as barabarësi të palëve. Prokuroria, akuzat apo lëndët nuk ia dorëzon mbrojtjes deri në momentet e fundit, dhe përderisa nuk i dorëzon me kohë, pastaj mbrojtja e ka problem ta bëjë mbrojtjen si duhet”, tha Klinaku.
Sipas Klinakut shteti Kosovës as nuk ka bërë, e as nuk është duke bërë për ish-luftëtarët e saj.
“Shteti i Kosovës as nuk ka bërë, e as nuk është duke bërë. I kanë disa pagesa që i kryen në bazë të udhëzimeve administrative pra ndaj avokatëve, bëjnë pagesa ndaj familjarëve kur shkojnë për vizita, edhe e kanë një udhëzim tjetër që në qoftë se dikush shpallet i pafajshëm do kompensohet”, tha Klinaku.
Tutje Klinaku ka folur edhe për kërcënimet ndaj Dick Martyt nga ana e shërbimit sekret serb.
“Sidomos tash edhe Qeveria por edhe Kuvendi i Kosovës do duhej ta diskutonte çështjen sepse edhe vet Dick Marty ka dal e ka thënë që ndjehem i kërcënuar, ka dashur të më vras shërbimi sekret serb dhe ti’a m’vesh këtë shqiptarëve d.m.th ata donë t’i vrasin sepse atje akuza banale e Dick Martit që ka qenë shpifje e ulët e tij për transplantim apo trafikim të organeve, natyrisht që nuk është atje tash në Gjykatë dhe natyrisht që nuk ju duhet serbëve ma, edhe atëherë ne e kemi konsideru që ai veç ka qenë i paguar nga serbët apo rusët që të bëjë një akuzë banale, qysh e ka ndaj UÇK-së”, tha ai.
Klinaku tha se Marty duhet të dëshmojë në Hagë.
Tutje ai tha se Shqipëria duhet të bëjë një rezolutë në KiE që të hedh poshtë akuzat e bëra.
“Do duhej të ishte dëshmitarë në Hagë dhe të tregonte për këto kërcënime që i bëhen e përderisa i bëhen, shteti jonë por edhe Shqipëria sepse kjo ka të bëjë edhe me shtetin shqiptarë me atë shtëpinë e famshme siç e quan shtëpia e verdhë, e përderisa Shqipëria është në Këshill të Evropës është mirë të iniciojë një rezolutë tjetër që i hedh poshtë ato gjëra”, theksoi ai.
Klinaku po ashtu foli edhe për vizitën e Ministres së Drejtësisë në Hagë, Albulena Haxhiu e po ashtu edhe për shkuarjen apo jo të kryeministrit, Albin Kurti./S.D/arbresh.info/
Për më shumë shikoni intervistën:
Rama: Nis puna për rilindjen e Muzeut Arkeologjik të Korçës
Kurti viziton Rezidencën e Rugovës: Restaurimi po udhëhiqet ...
U ndalua për 48 orë polici që dyshohet se shkaktoi aksidenti...
Policia e Kosovës konfiskon armë dhe municione në Zveçan, dy...
Burimi tregon forcën me Anisën në shpinë – banorët shkrihen ...
Balluku: Më 1 dhjetor paraqesim planin e uljes së çmimit të ...