Mariupol: Rusia shpall fitoren e plotë mbi qytetin

00:42 | 21 Maj 2022
Trina Galanxhi

Rusia ka shpallur fitoren në betejën e saj disamujore për të pushtuar qytetin port ukrainas të Mariupolit.

Luftëtarët e fundit që mbronin fabrikën e çelikut të qytetit Azovstal tani janë dorëzuar, thanë zyrtarët e Moskës, transmeton portal arbresh.info

Për muaj të tërë, trupat ishin strehuar në kompleksin e madh, duke penguar Rusinë të vendoste kontrollin e plotë mbi qytetin.

Evakuimi i së premtes shënon fundin e rrethimit më shkatërrues të luftës, me Mariupolin tani të rrënuar plotësisht.

Qyteti dhe fabrika e tij e çelikut tani janë “çliruar plotësisht” pasi 531 trupa ukrainase u larguan nga vendi, tha ministria ruse e mbrojtjes.

“Objektet e nëndheshme të ndërmarrjes, ku fshiheshin militantët, u vunë nën kontrollin e plotë të forcave të armatosura ruse”, shtoi ministria në një deklaratë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se mbrojtësit e fundit të mbetur të zonës kishin marrë leje të largoheshin.

“Sot djemtë morën një sinjal të qartë nga komanda ushtarake se ata mund të dalin dhe të shpëtojnë jetën e tyre,” i tha ai një kanali televiziv ukrainas.

Për javë të tëra, zona e Azovstal ishte e rrethuar plotësisht.

Forcat ruse bllokuan hyrjen e të gjithë ndihmave humanitare, bombarduan vendin nga ajri dhe kërkuan që mbrojtësit e mbetur të ulnin armët.

Shumë prej të bllokuarve brenda ishin civilë, duke përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar. Në fillim të këtij muaji ata u evakuuan plotësisht pas negociatave të mundimshme të koordinuara nga OKB-ja dhe Kryqi i Kuq që zgjatën për javë të tëra.

Por refuzimi i vazhdueshëm i mbrojtësve ukrainas të zonës për t’u dorëzuar, nënkuptonte se Rusia nuk ishte në gjendje të komandonte kontroll të plotë mbi qytetin strategjik port.

Për shumë ukrainas, heronjtë kombëtarë që po mbronin Azovstalin, simbolizojnë rezistëncën kokëfortë të vendit.

Qindra ushtarët e strehuar brenda përfshinin marinsat, Gardën Kombëtare (duke përfshirë regjimentin Azov), rojet kufitare, policinë dhe njësitë e mbrojtjes territoriale.

Kompleksi i shtrirë prej katër miljesh katrorë është një labirint tunelesh të krijuar për t’i mbijetuar një lufte bërthamore./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme