Javët e fundit, janë paraqitur disa përfytyrime se si mund t’i afrojë Bashkimi Evropian shtetet me vlera të ngjashme, por që aktualisht nuk mund ose nuk duan të anëtarësohen në Bashkimin Evropian.
Ishte ministri i Jashtëm i Austrisë, Alexander Schallenberg që tha në 23 prill, në kuadër të samitit mediatik në Lech am Arlberg se “duhet ta rimendojmë nga e para të gjithë politikën tonë të zgjerimit dhe të fqinjësisë”.
Sipas ministrit të Jashtëm austriak, kur u thuhet shteteve “po, ju jeni pjesë e Evropës”, kjo nuk duhet të kuptohet e të funksionojë vetëm përmes anëtarësimit në BE. Ai kujtoi faktin se proceset e anëtarësimit, p.sh. me vendet e Ballkanit Perëndimor, kanë zgjatur me dekada pa sukses. Prandaj ai shpreh në favor të “ofertave të personalizuara për lidhjen më të afërt të mundshme me Ukrainën”.
Schallenbergu tha se për t’i larguar nga orbita e Rusisë vende si Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia, ai përfytyronte një sistem, ku ato të integroheshin në fusha specifike, si energjia, transporti dhe tregu i brendshëm, por pa i bërë anëtare zyrtare të BE.
Në 25 prill, ish-Kryeministri i Italisë dhe kryetari i socialdemokratëve italianë Enrico Letta u shpreh në Romë për një “konfederatë evropiane”. Kjo konfederatë, sipas tij, do të përbëhej nga 27 shtetet anëtare dhe nga shtete jo anëtare, si Ukraina, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kosova etj. Ky model sipas tij do t’u mundësonte shteteve që duan të anëtarësohen të marrin pjesë në jetën publike në Evropë dhe të vazhdojnë përgatitjen për BE.
Por më shumë bujë nga propozimet e fundit bëri propozimi i Presidentit francez Emmanuel Macron. Në 9 maj, Macroni tha para Parlamentit Evropian në Strasburg dhe pak më vonë në Berlin se Bashkimi Evropian nuk mund të jetë i vetmi mjet për strukturimin e kontinentit. Ai propozoi një “komunitet politik evropian” për ato shtete që nuk janë pjekur për anëtarësim në BE.
Sipas Macronit një qasje e tillë do t’i lejonte Ukrainës, Gjeorgjisë, Moldavisë, Ballkanit Perëndimor dhe “atyre që janë larguar nga BE” të bëhen më shpejt pjesë e një Evrope politike. “Është një mënyrë për të ankoruar vendet që janë gjeografikisht në Evropë dhe që ndajnë vlerat tona”, tha ai. Macroni propozoi me fjalë të tjera një nivel të dytë bashkëpunimi me BE, ku shtetet do të trajnoheshin për anëtarësim në BE.
Reagimi në Gjermani ndaj ideve franceze të zgjerimit të BE
Këto propozime për momentin janë thjesht përfytyrime. Por ato tërheqin vëmendjen më shumë se non-paper-at, letrat jozyrtare me spekulime që qarkullonin dendur pak vite më parë, sepse janë formuluar publikisht edhe nga personalitete politike në detyrë në Bashkimin Evropian.
Në reagimet e para në disa medie gjermane, propozimi i fundit i Macronit u karakterizua pa shanse të mëdha për t’u zbatuar. Ai u pa në radhën e propozimeve të mëparshme të presidentit francez, që shihen ndonjëherë si “rrahje uji me havan”, por që janë pozitive, si preokupime që duan të vënë në lëvizje Evropën. Fati i propozimeve të tilla varet në fund nga rrethana nëse për to ka shumicë në BE dhe nga qëndrimi i Berlinit.
Në konferencën e shtypit me presidentin Macron në Berlin (09.05.) kancelari Olaf Scholz e përshëndeti propozimin e Macronit si “shprehimisht shumë interesant” dhe tha që mund të diskutohet. Një mbështetje e tillë, sado e kujdesshme, për Macronin që përballet me zgjedhjet parlamentare në vendin e tij, të cilat mund t’ia dobësojnë pozicionin, mund të jetë qetësuese për francezët shpesh skeptikë ndaj Evropës. Veç kësaj, mundësia që me një model të ri të afrohej politikisht me BE Britania e Madhe, e cila nuk dëshiron të anëtarësohet në BE, tingëllon joshëse.
Por menjëherë pas vlerësimit, kancelari gjerman u shpreh pa lënë dyshim se “është e qartë se ky propozim nuk duhet dhe nuk do të na pengojë të avancojmë atë që kemi filluar, të mundësojmë proceset e anëtarësimit, për të cilat kemi punuar kaq gjatë. Kjo vlen veçanërisht për Ballkanin Perëndimor”.
Edhe 10 ditë më vonë, në deklaratën qeveritare që mbajti (19.05.) para Bundestagut, kancelari Scholz tha se për Ukrainën nuk është rrugë e shkurtër për në BE “pasi duhet të tregohemi të drejtë me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor”. “BE tani duhet t’i japë Ballkanit Perëndimor. Dhe unë jam i përkushtuar për këtë, me bisedime për të arritur përparim në negociata, dhe për të hequr pengesat e fundit brenda BE”.
Në qershor do të mbahet një takim i nivelit të lartë i BE pikërisht për Ballkanin Perëndimor. Pa e detajuar propozimin e tij, edhe Emmanuel Macroni tha në Berlin se ka shtete që tashmë kanë filluar procesin e anëtarësimit dhe janë në proces të anëtarësimit. “Unë mendoj se duhet ta përfundojnë këtë proces; ato nuk duhet të dekurajohen”.
Shtetet potencialisht të prekura dhe simpatia e CDU-së
Në gjendjen e tanishme të diskutimeve duket pra e përjashtuar, që shtetet që punojnë prej vitesh për anëtarësim në BE, si p.sh. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, të përfundojnë në një shesh të ri të stërvitjes të BE. Por nëse marrin mbështetje propozimet e Macronit si dhe propozime të ngjashme, në “ligën e dytë” të BE, në një lloj “Bashkim Evropian light”, mund të hyjnë jo vetëm Ukraina, Gjeorgjia e Moldavia, por edhe shtete të Ballkanit si Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina.
Ato do të qëndronin aty, më pranë BE se sa po të kishin thjesht një “partneritet të privilegjuar” derisa të bëheshin gati për anëtarësim. Simpati për këtë propozim shprehu dje në Bundestag partia më e madhe opozitare gjermane, CDU. Lideri i kësaj partie, Friedrich Merz i kërkoi qeverisë që të pozicionohet për propozimet franceze.
Interesa tradicionale të shteteve dhe realitet i ri
Diskutimi i anëtarësimeve në BE u rihap nga aplikimi i Ukrainës për anëtarësim në BE, pas sulmit rus kundër saj. Nuk përjashtohet që në fund të qershorit Ukraina të marrë një status kandidati për anëtarësim në BE. Lufta e agresionit rus kundër Ukrainës ka theksuar aspektin gjeopolitik në BE, dëshirën për të qenë të mbrojtur edhe në kufijtë e komunitetit.
Por propozimet aktuale e kanë sfondin edhe në interesat e shteteve të BE. Pas kolapsit të sistemit komunist, një zgjerim në lindje i BE pritej të dobësonte pozicionin dominues të Francës në Bashkimin Evropian. Afërsia gjeografike dhe fuqia ekonomike do të bënin Gjermaninë fuqinë më të madhe të BE.
Për ta shmangur këtë, presidenti francez François Mitterand e propozoi që në vitin 1989 një “konfederatë evropiane” me dy rrathë afrimi, në të cilën ai donte të anëtarësohej edhe Rusia. Por rezistenca e shteteve lindore për t’u futur sërish nën një çati me Rusinë ishte një nga faktorët e dështimit të konceptit të tij.
Tani kohët kanë ndryshuar. Fakti që po kërkohen modele të tjera për të afruar me BE edhe shtete që nuk duan të anëtarësohen në BE, si p.sh. Britaninë e Madhe është pozitiv. Idetë e paraqitura megjithatë janë në fazën fillestare. Nëse ato do të kenë sukses, kjo për momentin është krejt e hapur. /dw/
Gjendet pa shenja jete një 68-vjeçar në Vlorë, dyshohet se u...
NATO trajnon trupat ushtarake ukrainase në Lituani dhe Polon...
Gjimshiti triumfon ndaj Ismajlit, Atalanta rikthehet në krye...
Elezi: Mbi 58 mijë kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë...
Llapi ndahet me stafin e trajnerëve
Kurti: Pasaporta e Kosovës në top 10 pasaportat e botës që k...