Shënohet 23 vjetori i Masakrës në Dubravë| Ministrja e Drejtësisë shkon në vizitë

16:45 | 20 Maj 2022
S D

Në përkujtim të 23 vjetorit të masakrës së Dubravës, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu së bashku me ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, dekanin e Fakultetit Juridik të Univeristetit të Prishtinës, Avni Puka, të mbijetuarin e masakrës së Dubravës, Deputetin Enver Dugolli, të shoqëruar nga studentët e Fakultetit Juridik, kanë vizituar sot pavionët dhe hapësirat e Qendrës Korrektuese në Dubravë, thuhet në njoftim për media.

Në fjalën e saj para të pranishmëve, ministrja Haxhiu tha se kjo ditë na rikujton dhunën, torturën dhe masakrën që forcat serbe e kanë bërë ndaj të burgosurve shqiptar në Dubravë.

Ministrja Haxhiu theksoi se Kosova sot më shumë se kurrë ka nevojë për policë, gjyqtarë e prokurorë të cilët kanë në fokus të punës së tyre adresimin e krimeve të luftës. Me këtë rast ajo iu drejtua studentëve të Fakultetit Juridik me kërkesën që të përgatiten profesionalisht në këtë drejtim me qëllim të vënies së drejtësisë për të kaluarën dhe krijimit të një të ardhme më të mirë.

“Unë shpresoj shumë që gjeneratat e ardhshme si ju, do të profilizohen në adresimin e krimeve të luftës, në hetimin dhe hulumtimin e tyre, në mënyrë që e kaluara jonë të jetë shkak i fuqizimit të Kosovës, i krijimit të paqes së qëndrueshme dhe respektimit të të drejtave të njeriut” tha ministrja Haxhiu në mbyllje të fjalimit të saj.

Në këtë ngjarje, ministri Liburn Aliu, njëherit i mbijetuar i masakrës së Dubravës, tha se burgu i Dubravës është dëshmia më makabre e pushtuesit Serb, e po ashtu edhe vendngjarja e krimit gjenocidal të tyre ndaj të burgosurve shqiptar, njëheras një prej episodeve më të tmerrshme të historisë sonë. “Pikërisht 23 vjet më parë, më 22 maj 1999, forcat serbe për disa ditë maltretuan fizikisht dhe psiqikisht të burgosurit, para se t’i ekzekutonin më shumë se 100 prej tyre. Si të mbijetuar të masakrës së Dubravës, jemi burim i kujtesës kolektive, që gjeneratat e ardhshme ta kuptojnë e shpjegojnë ashtu siç ishte: krim kundër njerëzimit dhe akt gjenocidal”, theksoi ministri Aliu.

Studentët patën rastin të bashkëbisedojnë me të mbijetuarit e masakrës së Dubravës./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme