Zyra e Prokurorit të Specializuar ka mirëpritur vendimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës për shpalljen fajtor dhe dënimin e shqiptuar ndaj ish-krerëve të OVL-UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.
Përmes një komunikate për media, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka thënë se mirëpret vendimin dhe se do angazhohet të ndjekë penalisht të gjitha rastet e frikësimit të dëshmitarëve.
“Pas dhënies së vendimit të sotëm në gjykimin kundër Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinaj, Prokurori i Specializuar, Xhek Smith, shprehu angazhimin e tij për të hetuar dhe ndjekur penalisht me vigjilencë të gjitha rastet e frikësimit të dëshmitarëve, hakmarrjes ndaj dëshmitarëve dhe pengimit të drejtësisë. “Sot është vendosur drejtësi. Z. Gucati dhe Z. Haradinaj janë shpallur fajtorë për krimet e tyre, pas një gjykimi transparent, të kujdesshëm dhe të drejtë të këtij rasti të rëndësishëm,” tha Prokurori i Specializuar. Ashtu siç u deklarua sot nga Trupi Gjykues, mbrojtja e dëshmitarëve nga frikësimi dhe lëndimi qëndron në themel të çdo sistemi të drejtësisë penale – aktet dhe sjellja e të akuzuarve iu kundërvunë pikërisht këtij themeli”, thuhet në njoftim.
“Aktet dhe deklaratat në këtë lëndë kanë ndodhur në një klimë frikësimi, siҫ ishin gjetjet e gjykatësve sot,” tha më tej Z. Smith. “Zyra e Prokurorit të Specializuar do të vazhdojë fuqishëm hetimet dhe ndjekjen penale të të gjitha akteve të frikësimit të dëshmitarëve, hakmarrjes ndaj dëshmitarëve ose pengimit të drejtësisë. Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë mundësinë unike që të japin drejtësi për viktimat sepse ato janë një vend i sigurt ku dëshmitarët mund të flasin hapur për krimet që kanë parë dhe pësuar përpara më shumë se 20 viteve. Frikësimi apo hakmarrja ndaj këtyre viktimave është, sipas mendimit tim, krim shumë i rëndë që godet në zemër aftësinë e këtij institucioni për të dhënë drejtësi dhe sundimin e ligjit. Nëse përpiqeni të frikësoni apo të hakmerreni ndaj dëshmitarëve të kësaj gjykate, unë do të bëj gjithçka që është në pushtetin tim dhe të sigurohem që ju të dilni përpara drejtësisë”, thuhet tutje në reagim.
Ndryshe, ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj janë shpallur të pafajshëm në akuzën për “hakmarrje”.
Trupi gjykues shpalli aktgjykimin dënues për Gucatin e Haradinajn duke i dënuar me nga katër vite burg dhe nga 100 euro gjobë./arbresh.info/
Gucati e Haradinaj shpallen të pafajshëm në akuzat për “hakmarrje”
Bitcoin shpërthen kufijtë, prek 80 mijë dollarë për herë të ...
Sulm me thikë në Londër, vritet një person, plagosen dy të t...
Calhanoglu: Më vjen keq që sot humba penalltinë e parë për I...
Telefonata e Trump me Putin për Ukrainën/ Kievi: Nuk jemi të...
Nesër seanca për buxhetin, Tahiri: Është i parakohshëm, duhe...
Lajçaku do ta nisë javën në Zvicër, pritet të flasë edhe për...