Google ADS

Ndalohet për 48 orë i dyshuari për keqpërdorim të kartelave bankare të klientëve

08:24 | 17 Maj 2022
A. B.

Policia e Kosovës ka arrestuar dje një person të dyshimtë, i cili thuhet të ketë keqpërdorur të dhënat e kartelave bankare nga klientët e më pas duke blerë monedha të kriptovalutave.

Ndërsa sot, Prokuroria në Prishtinë ka marrë vendim për ndalimin e tij në kohëzgjatje prej 48 orësh.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se pas pranimit të informacionit nga Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike të Policisë së Kosovës, me dyshimin se është kryer vepra penale “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit”, prokurori kujdestar nga Departamenti i Përgjithshëm, ka iniciuar rastin në drejtim të veprës penale të lartcekur, ku pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore dhe sigurimit të provave, fillimisht policia ka arrestuar të dyshuarin A.S., në vendin e tij të punës dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i njëjti është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të veprës penale “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit”, nga neni 301 të KPRK-së, pasi i njëjti dyshohet se në mënyrë të kundërligjshme, duke keqpërdorur pozitën dhe besimin e klientëve, dyshohet se ka vjedhur të dhënat e kartelave bankare të klientëve, të cilët kanë bërë blerje në dyqanin ku i dyshuari ka punuar si përgjegjës i ndërrimit, dhe pastaj këto të dhëna i njëjti i ka përdorur duke bërë blerje të monedhave – kriptovalutave, të cilat më pas i ka shitur dhe me këtë rast dyshohet se ka përfituar mjete-para në vlerë prej mbi 5,000.00 €. “, thuhet në njoftim.

Në këtë çështje penale, me urdhër të prokurorit është sekuestruar një pajisje elektronike (telefon) me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale.

Prokurori i Shtetit në koordinim me policinë janë duke i ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore, si dhe ndaj të dyshuarit do të vazhdohet me veprimet procedurale./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme