Gjatë qëndrimit në Chicago, të shtetit Illinois të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me ftesë të Katedrës së Albanologjisë “Hidai Eddie Bregu”, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti vizitoi Universitetin DePaul, ku mbajti edhe një ligjëratë të hapur.
Fillimisht, kryeministri Kurti iu drejtua të pranishmëve me një fjalë, pas së cilës diskutoi me studentë e profesorë. Ai falënderoi organizatorët për ftesën dhe mundësinë që të flas para tyre për Kosovën dhe rajonin e Ballkanit.
Duke folur për sulmin dhe invazionin e paprovokuar të Federatës Ruse ndaj Ukrainës, ai tha se imazhet nga kjo luftë për neve janë veçanërisht të dhimbshme.
“Ushtarë vrasës gjakftohtë që torturojnë, përdhunojnë dhe vrasin pa dallim; Kufomat e djegura dhe varrezat masive janë imazhet dhe vuajtjet e Kosovës njëzet e tre vjet më parë dhe të Ukrainës sot”, tha kryeministri.
Ai shtoi se kjo është arsyeja pse ne kemi treguar solidaritet me Ukrainën dhe popullin e saj që nga dita e parë e sulmit. “Ne ishim të parët që iu bashkuam sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara kundër Federatës Ruse. Ne nuk hezituam të shprehim gatishmërinë tonë për të pranuar deri në 5,000 refugjatë dhe ofruam strehim dhe hapësirë pune për 20 gazetarë ukrainas, prej të cilëve zonja Lyudmila Makey tashmë është banore e Prishtinës, kryeqytetit të Kosovës”, vazhdoi kryeministri Kurti.
Sa i përket përpjekjes së Kremlinit për të përdorur Kosovën si një precedent për veprimet e Rusisë në Ukrainë, kryeministri Kurti tha se nuk është gjë tjetër veçse një gënjeshtër, nuk ka dëshmi të dhunës sistematike kundër rusëve etnikë në Ukrainë, dhe se krahasimi me Kosovën është shumë i largët për të pasur ndonjë vlerë kritike.
“Të përdorësh Kosovën si shembull për të justifikuar ndërhyrjen në Ukrainë nuk është gjë tjetër veçse injorancë dhe sulm i drejtpërdrejtë ndaj së vërtetës, njerëzimit dhe mendjes së shëndoshë. Tregon një shpërfillje të plotë për të drejtën ndërkombëtare dhe për përgjegjësinë për të mbrojtur normat jetike ndërkombëtare që synojnë të sigurojnë që komuniteti ndërkombëtar nuk do të dështojë më kurrë në ndalimin e krimeve të gjenocidit, krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit”, theksoi kryeministri Kurti.
23 vite pas intervenimit të NATO-s në Kosovë, Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor.
“Kosova është historia e suksesit demokratik të rajonit dhe për këtë arsye duhet të mbështetet që të bëhet anëtare e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe organizatave të tjera ndërkombëtare dhe rajonale pa ndonjë vonesë të mëtejshme”, nënvizoi ai, ndërkaq tha se zhbërja e progresit në Kosovë do të ishte fitorja e vetme e madhe që Putini do të dëshironte. “Kjo është edhe arsyeja e fiksimit të paarsyeshëm të tij ndaj vendit tonë”, shtoi kryeministri Kurti.
Në përmbyllje të ligjëratës, kryeministri Kurti tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partneri dhe miku më i ngushtë i Kosovës dhe se lidhja jonë është e fuqishme edhe për shkak se ndajmë vlerat e përbashkëta të lirisë dhe demokracisë dhe bindjen e thellë se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë dhe duhet të kenë të drejtë të barabartë për të kërkuar lumturinë, lirinë dhe autonominë për të ndjekur të vërtetën.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
I dashur At Jose Francisco Orozco,
Të nderuar konsuj të përgjithshëm të Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Republikës Çeke
I nderuar Dr. Gazmend Kapllani,
I dashur mik i Programit Hidai “Eddie” Bregu, në Studimet Shqiptare në Universitetin DePaul
Të nderuar studentë dhe profesorë,
Zonja dhe zotërinj,
Motra dhe vëllezër,
Të dashur bashkatdhetarë,
Faleminderit shumë organizatorëve të kësaj ngjarjeje dhe Universitetit DePaul, që më kanë ftuar sot këtu.
Një javë më parë fillova këtë vizitë të planifikuar prej kohësh në Shtetet e Bashkuara. U ndala në Uashington DC për një takim me Millennium Challenge Corporation (MCC) dhe vazhdova drejt perëndimit për në Kaliforni, dhe tani po kthehemi përsëri, në një imitim të ndonjë udhëtimi të madh rrugor amerikan.
Deri më tani kemi qenë në San Francisko, Dallas, Des Moines dhe do të kemi disa vizita të tjera në Detroit, Uashington, Boston dhe Nju Jork, duke e bërë këtë vizitën më të gjatë që një kryeministër i Kosovës ka bërë ndonjëherë në Shtetet e Bashkuara.
Tani jemi këtu, në qytetin e Çikagos dhe në shtetin e Illinois. Toka e Linkolnit apo siç njihet ndryshe “qyteti shpatullgjerë” nuk zhgënjen. Ky është një qytet i bukur dhe që i ka rrënjët edhe në rajonin tonë, në Ballkanin Perëndimor, një vend që në shumë mënyra ka formësuar historinë botërore.
Ju falënderoj që më dhatë këtë mundësi që të flasim për rajonin tonë dhe vendin tim, Kosovën.
Siç e dini të gjithë, zjarri që shpërtheu në Luftën e Parë Botërore u ndez në Ballkan, pasi arkiduka austriak Franz Ferdinand u vra më 28 qershor 1914 në Bosnje, Sarajevë, pak më shumë se 400 kilometra larg kryeqytetit tonë, Prishtinës.
E filloj me këtë pikë sepse në Evropë, 76 vjet që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore dhe 23 vjet që nga përfundimi i luftës së fundit në Evropë me çlirimin e Kosovës, kontinenti është përsëri në luftë, këtë herë me një president despotik, një diktator që kërcënon botën me tmerrin e një lufte bërthamore.
Në orën 4 të mëngjesit të 24 shkurtit 2022, Federata Ruse filloi pushtimin e Ukrainës. Dhe për 80 ditë Ukraina ka duruar sulmin e paprovokuar, të pajustifikuar dhe të paligjshëm të Rusisë.
Që nga 11 maji, Zyra e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut ka regjistruar 7,256 viktima civile në vend: 3,496 të vrarë dhe 3,760 të plagosur. Nga të vrarët, 1,268 janë burra, 821 janë gra, 76 vajza dhe 93 djem, si dhe 69 fëmijë dhe 1,169 të rritur, gjinia e të cilëve nuk dihet ende. Më shumë se 12 milionë njerëz janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre, ndërsa pothuajse 6 milionë janë refugjatë që kanë ikur jashtë vendit.
Për ne këto imazhe janë veçanërisht të dhimbshme. Ne i ndjejmë ato thellë nën lëkurë.
Ushtarë vrasës gjakftohtë që torturojnë, përdhunojnë dhe vrasin pa dallim; Kufomat e djegura dhe varrezat masive janë imazhet dhe vuajtjet e Kosovës njëzet e tre vjet më parë dhe të Ukrainës sot.
Kjo është arsyeja pse ne kemi treguar solidaritet me Ukrainën dhe popullin e saj që nga dita e parë e sulmit. Ne ishim të parët që iu bashkuam sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara kundër Federatës Ruse. Ne nuk hezituam të shprehim gatishmërinë tonë për të pranuar deri në 5000 refugjatë dhe ofruam strehim dhe hapësirë pune për 20 gazetarë ukrainas, prej të cilëve zonja Lyudmila Makey tashmë është banore e Prishtinës, kryeqytetit të Kosovës.
Kjo luftë kundër Ukrainës është një luftë e zgjedhur nga Putini i udhëhequr nga një nostalgji e luftës së ftohtë dhe si ish-anëtar i KGB-së dhe ëndrrat imperialiste për të ringjallur një perandori të vdekur, ambicie të cilat u parashtruan qartë në një ese me 5000 fjalë nga vetë Putini në korrik të vitit 2021 ku bëri të qartë se ishte i përkushtuar në rrugën e dhunës. Nga njëra anë mohimi i ekzistencës së tjetrit, pra ukrainasve, dhe nga ana tjetër udhëheqja e atyre makinerive luftarake.
Në mbrojtjen e pushtimit të Rusisë, Putin ka thënë se ai ishte për të parandaluar problemet në kufijtë e tij dhe për të mbrojtur rusët etnikë, duke pretenduar dhunë sistematike kundër tyre brenda Ukrainës. Sipas Putinit, ukrainasit duhet të bashkohen me “vëllezërit e tyre rusë”, pasi Ukraina nuk ekziston, por është thjesht një krijesë e Bashkimit Sovjetik e mbrojtur nga NATO dhe Perëndimi. Pas kësaj erdhi një seri akuzash të rreme për “gjenocid kundër rusëve etnikë në Donbas” dhe pretendime se presidenti ukrainas Zelenskyy ishte nazist, pavarësisht prejardhjes së tij hebreje, dhe pavarësisht faktit se populli ukrainas dha më shumë se tetë milionë jetë në fitoren ndaj nazizmit.
Për më tepër, ajo që kemi dëgjuar pothuajse çdo ditë është referenca e Putinit për Kosovën si një precedent për të ndërhyrë në punët e një vendi më të vogël. Kjo nuk është gjë tjetër veçse një gënjeshtër. Ashtu siç nuk ka dëshmi të dhunës sistematike kundër rusëve etnikë në Ukrainë, po ashtu krahasimi me Kosovën është shumë i largët për të pasur ndonjë vlerë kritike.
Kosova ishte e angazhuar në luftë për çlirim gjatë gjithë shekullit të 20-të. Nuk do të hyj në detaje, pasi do të na duheshin ditë e ndoshta javë për të shpjeguar padrejtësitë historike të kryera ndaj Kosovës dhe pushtimin e gjatë të Kosovës nga Serbia – por mjafton të thuhet se Kosova nuk ka qenë kurrë pjesë e Serbisë. Ishte një vend i pushtuar, të drejtat e të cilit mohoheshin sistematikisht dhe qytetarët e të cilit u brutalizuan dhe u vranë sistematikisht gjatë dekadave; duke kulmuar me spastrimin etnik të 1 milion shqiptarëve, në vrasje të 13,000 civilëve të paarmatosur ku mbi 10 për qind e tyre ishin fëmijë, 20,000 gra dhe burra të dhunuar dhe qindra masakra. NATO ndërhyri në Kosovë për të ndaluar gjenocidin që po kryente regjimi i Millosheviqit të Serbisë. Ky gjenocid ishte i mirë-dokumentuar dhe i dëshmuar nga e gjithë bota, njëlloj si ajo që po kryhet në Ukrainë.
Të përdorësh Kosovën si shembull për të justifikuar ndërhyrjen në Ukrainë nuk është gjë tjetër veçse injorancë dhe sulm i drejtpërdrejtë ndaj së vërtetës, njerëzimit dhe mendjes. Tregon një shpërfillje të plotë për të drejtën ndërkombëtare dhe për përgjegjësinë për të mbrojtur normat jetike ndërkombëtare që synojnë të sigurojnë se komuniteti ndërkombëtar nuk do të dështojë më kurrë në ndalimin e krimeve të gjenocidit, krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit.
Ky është koncepti që u shfaq dhe u zbatua pas ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë dhe u miratua unanimisht në vitin 2005 në Samitin Botëror të OKB-së, tubimi më i madh i krerëve të shteteve dhe qeverive në histori.
Por nga ajo që kemi parë deri më tani, Putini nuk vepron me faktet, as me të vërtetën. Siç e dini, luftës së vërtetë në Ukrainë i parapriu një luftë hibride: një luftë speciale me dezinformata përmes mediave të kompremetuara që shtrembëronin të vërtetën dhe me disa deklarata pompoze, të cilat, për disa, mund të duken si një propagandë transparente e rreme, por që përshkon mendjen e publikut përmes mjeteve të komunikimit masiv.
Në të njëjtën kohë, ata mohojnë atë që po shohim me sytë tanë: vetëm pak ditë para pushtimit, në një kohë kur rreth 150,000 trupa ishin grumbulluar në kufirin me Ukrainën, Rusia tha se nuk kishte ndërmend të pushtonte Ukrainën dhe madje akuzoi Shtetet e Bashkuara për plane agresive.
Edhe në ditën kur sulmuan, ata thanë se ishte “e papranueshme” të përshkruhej Rusia si një forcë okupuese në Ukrainë.
Mohimi, shmangia dhe mashtrimi. Kjo ishte dhe është ende strategjia e Rusisë në Ukrainë.
Kjo tashmë është miratuar edhe nga proksi i Rusisë në Ballkanin Perëndimor, Serbia.
Kërcënimi i drejtpërdrejtë i luftës në frontin e Evropës Lindore mbetet ende rrezikshëm i lartë, veçanërisht në Gjeorgji dhe Moldavi, por në këto dy vende Rusisë do t’i duhet të vendosë trupat e saj. Në Ballkanin Perëndimor, Rusia mund të veprojë me proksit e vet.
Serbia ende nuk e ka sanksionuar Federatën Ruse për agresionin e saj në Ukrainë dhe as nuk i ka dënuar krimet që Rusia ka kryer kundër ukrainasve.
Unë do të doja të përsëris këtë fakt befasues.
Serbia ende nuk e ka sanksionuar Federatën Ruse për agresionin e saj në Ukrainë dhe as nuk i ka dënuar krimet që Rusia ka kryer kundër ukrainasve.
Për më tepër, tubime pro-Rusisë dhe Pro-Putinit mbahen çdo të dytën ditë në Beograd për të mbështetur pushtimin e Ukrainës, shpesh duke përfshirë ministra të kabinetit dhe zyrtarë të tjerë partiakë.
Serbia ka lidhje të ngushta me Rusinë. Ka 14 avionë luftarakë MiG-29, nga të cilët 8 janë “dhuratë” nga Bjellorusia dhe 6 nga Rusia. Vitin e kaluar ajo zhvilloi mbi 100 aktivitete të përbashkëta ushtarake me Rusinë. Zyra e Ministrisë së Mbrojtjes së Federatës Ruse është në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë.
Gazprom ka objektin më të madh të magazinimit të gazit në Evropën Juglindore, në Banatski Dvor dhe zotëron rreth 56.15% të kapitalit të ndërmarrjes shtetërore serbe NIS.
Kur Kosova mori masat e reciprocitetit në lidhje me targat e përkohshme që kalojnë kufijtë tanë më 23 shtator 2021, Serbia e përshkallëzoi këtë çështje në një provokim ushtarak, duke fluturuar helikopterë ushtarakë të dhuruar nga Rusia dhe avionë luftarakë Mig-29 afër pikës kufitare në Jarinje. Ambasadori rus në Beograd, Aleksander Botsan Harçenko, vizitoi pikën kufitare së bashku me ministrin serb të Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviq, për të inspektuar grumbullimin e trupave ushtarake serbe atje.
Rusia është e interesuar të hapë fronte të tjera beteje në mënyrë që të ndjekë “strategjinë e saj nga përshkallëzimi në de-përshkallëzim”; për të siguruar një pozicion më të mirë negociues për të arritur qëllimet e saj në Ukrainë. Duke pasur parasysh marrëdhëniet dhe lidhjet e ngushta të Serbisë me Rusinë, mbështetjen e saj për pushtimin e Ukrainës dhe duke pasur parasysh faktin se Republika Srpska në Bosnje kontrollohet nga Moska po aq sa edhe nga Beogradi, rreziku i përhapjes së konfliktit në Ballkanin Perëndimor është fatkeqësisht shumë i lartë.
Megjithëse NATO është e pranishme në Kosovë dhe Shtetet e Bashkuara mbajnë një bazë të madhe ushtarake në vendin tonë, gjë që na bën të ndihemi të sigurt, një përshpejtim i anëtarësimit të Kosovës në NATO do të zvogëlonte shumë kërcënimin e sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe do të forconte paqen dhe sigurinë në Evropë.
Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor. Ne u renditëm të parët në Ballkanin Perëndimor në indeksin “World Justice Project” për vitin 2021 dhe u ngritëm 17 vende në Indeksin e Transparency International. Ne ishim gjithashtu i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që u përmirësuam në ranglistën e raportit të transicionit të Freedom House. Vitin e kaluar kemi arritur rritje ekonomike prej 10,53%, me rritje prej 83,6% të eksporteve, 21% rritje të IHD-ve, 30% rritje të të hyrave tatimore dhe 31% rritje të të hyrave doganore. Dhe ne shtuam më shumë se 25,000 vende pune në ekonomi.
Kosova është historia e suksesit demokratik të rajonit dhe për këtë arsye duhet të mbështetet që të bëhet anëtare e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe organizatave të tjera ndërkombëtare dhe rajonale pa ndonjë vonesë të mëtejshme.
Mos bëni gabim: zhbërja e progresit tonë në Kosovë do të ishte fitorja e vetme më e madhe që Vladimir Putin do të dëshironte. Kjo është arsyeja e fiksimit të paarsyeshëm të tij ndaj vendit tonë.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partneri dhe miku më i ngushtë i Kosovës. Jo vetëm historia jonë është e thurur së bashku në kohë çlirimi dhe nevoje, por ne jemi të lidhur nga vlerat e përbashkëta të lirisë dhe demokracisë, dhe nga bindja e thellë se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë dhe duhet të kenë të drejtë të barabartë për të kërkuar lumturinë, lirinë dhe autonominë për të ndjekur të vërtetën.
Këto janë vlerat që ne ndajmë. Ato janë gjithashtu vlerat që tani mbrohen në Ukrainë. Për këtë arsye, Shtetet e Bashkuara, Evropa dhe e gjithë bota e lirë po mblidhen për ukrainasit dhe po e mbështesin luftën e tyre për çlirim.
Ne kemi luftuar dhe kemi vdekur për këto vlera në Kosovë, sikurse edhe shumë trima shqiptarë. Dhe më lejoni të jem plotësisht i qartë: ne nuk do të hezitojmë ta bëjmë përsëri. Por le të bëjmë më shumë se as vetëm të shpresojmë se nuk do të thirremi për ta bërë këtë. Le të punojmë aktivisht për t’i dhënë fund këtij konflikti në mënyrë të drejtë dhe për të parandaluar përhapjen e tij destabilizuese në mënyrë që të sigurojmë stabilitet afatgjatë dhe paqe të qëndrueshme në rajon dhe në kontinent.
Faleminderit. /arbresh.info/
Haradinaj: Të tjerët japin grante për familjarë, ne do të ul...
Vullneti thotë se po e qetëson ezani brenda shtëpisë së Big ...
Mes shumë mungesash, Foda zgjedh 11-shen ndaj Lituanisë
Osmani e ambasadorët diskutojnë për hapat e integrimit të Ko...
“Edhe katër investime të mëdha në stadiumet e futbollit” – Ç...
Musliu: Faton Peci e Fitore Pacolli bashkëpunëtorë në manipu...