Teksa pushtimi rus i Ukrainës po vazhdon dhe Evropa po përballet me krizën më të madhe të sigurisë në dekadat e fundit, institucionet e Kosovës kanë shtuar përpjekjet që t’iu bashkohen strukturave të aleancës ushtarake të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, NATO, duke nisur nga Partneriteti për Paqe.
Por, çfarë parasheh ky partneritet?
Partneriteti për Paqe është program i bashkëpunimit praktik dypalësh ndërmjet shteteve partnere euroatlantike dhe NATO-s. Ky program, që është krijuar më 1994, u lejon shteteve që të zgjedhin vetë prioritetet për bashkëpunim.
Sipas NATO-s, Partneriteti për Paqe ka për qëllim të rrisë stabilitetin, të ulë kërcënimet për paqe dhe të ndërtojë raporte më të forta të sigurisë ndërmjet partnerëve dhe NATO-s.
Programi përfshin pothuajse çdo fushë të aktivitetit të NATO-s, si: puna e lidhur me mbrojtjen, forumet e mbrojtjes, trajnimet, stërvitjet ushtarake, planifikimet për përgjigje të emergjencave civile dhe katastrofave të tjera, por edhe bashkëpunimin në shkencë dhe mjedis. Në përgjithësi janë afër 1,600 aktivitete.
Në kuadër të këtij programi, më 1999 disa shtete dërguan forca paqeruajtëse në Kosovë në kuadër të misionit të aleancës në Kosovë, KFOR. Atëbotë ishin vendosur në Kosovë afër 50,000 ushtarë nga 36 vende të botës, prej të cilëve 30,000 ishin të shteteve të NATO-s. Sot në Kosovë janë mbi 3,700 trupa nga 28 shtete të botës.
Në përgjithësi, ky program ofron një kornizë politike për bashkëpunim me NATO-n.
Aktualisht, pjesë e Partneritetit të Paqes janë 21 shtete. Pranimi i çdo anëtari të ri bëhet me vendimin unanim të 30 shteteve të aleancës, në një votim që mbahet në Këshillin e Atlantikut.
Cilat janë mjetet e partneritetit?
NATO-ja ka një sërë mjetesh dhe mekanizmash për të çuar përpara bashkëpunimin me shtetet partnere, përmes disa politikave dhe programeve, planeve të veprimit dhe formave të tjera të bashkëpunimit.
Secili shtet partner vendos vetë për ritmin, por edhe thellimin e partneritetit në NATO.
Janë tri lloje të dokumenteve të partneritetit dypalësh: Programi i Partneritetit dhe Bashkëpunimit Individual, Programi i Planeve të Veprimit Individual dhe Programi Vjetor Kombëtar.
Programi i Partneritetit dhe Bashkëpunimit Individual është dokument standard, që zhvillohet kryesisht çdo dy vjet nga shteti partner, në konsultim të ngushtë me NATO-n dhe miratohet nga Këshilli i Atlantikut dhe nga shteti partner. Ky dokument strukturohet dhe përshtatet me interesat dhe synimet e shtetit partner dhe NATO-s.
Programi i Planeve të Veprimit Individual që shtetet partnere mund të zgjedhin në vend të Partneritetit dhe Bashkëpunimit Individual, synon të thellojë bashkëpunimin me NATO-n dhe përqendrohet në reformat e brendshme të shteteve. Ky program, po ashtu, trajton edhe çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes dhe synon të koordinojë të gjitha aspektet e raporteve të shteteve partnere dhe NATO-s përmes një dialogu politik dhe sistematik me Aleancën.
Programi Vjetor Kombëtar është dokumenti më kërkues që përqendrohet në reformat demokratike, të sigurisë dhe të mbrojtjes, që zhvillohet çdo vit nga shtetet partnere në konsultim me NATO-n. Ky program është i qasshëm vetëm për shtetet që janë pjesë e Planit të Veprimit për Anëtarësim, që është procesi që gjurmon përparimin në rrugën drejt anëtarësimit në NATO. Ky program nuk kërkon miratimin e Këshillit të Atlantikut, por vlerësimet vjetore të shteteve aspiruese që bëhen nga stafi i NATO-s, diskutohen dhe kërkojnë pajtimin e shteteve anëtare, në kuadër të Këshillit të Atlantikut.
Cilat shtete të rajonit bëjnë pjesë?
Nga shtetet e rajonit, në Partneritetin për Paqe bëjnë pjesë Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s, Serbia, Bosnjë e Hercegovina, Maqedonia e Veriut, si vend anëtar i NATO-s, dhe Bosnjë e Hercegovina.
Serbia, e cila është deklaruar kundër anëtarësimit në NATO, është pjesë e Partneritetit për Paqe dhe anëtare e Këshillit të Bashkëpunimit Euroatlantik (EAPC), që ka 50 anëtarë dhe ka për qëllim bashkëpunimin politik midis 30 shteteve të NATO-s dhe 20 shteteve të Partneritetit. Në EAPC bëjnë pjesë edhe Rusia dhe Ukraina.
Bosnjë e Hercegovina, po ashtu, ka shprehur aspirata për t’u anëtarësuar në NATO dhe përveç që bën pjesë në Partneritetin për Paqe, ka nisur edhe të ashtuquajturin Plan të Veprimit për Anëtarësim, që njihet me shkurtesën MAP.
Kosova këmbëngul për NATO
Qeveria e Kosovës ka shtuar përpjekjet që të lëvizë drejt anëtarësimit në NATO. Ekzekutivi ka krijuar një grup punues për t’u përgatitur për aplikim për anëtarësim në Partneritetin për Paqe.
Nga NATO-ja kanë thënë më herët për Radion Evropa e Lirë se për pranimin e një shteti në këtë program, kërkohet pajtimi i të gjitha shteteve.
“Të gjitha vendimet në NATO, përfshirë edhe për Partneritetin për Paqe, merren me konsensus nga Këshilli i Atlantikut – trupi vendimmarrës i NATO-s”, ka thënë një zyrtar i NATO-s.
Në kuadër të NATO-s janë katër vende që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës: Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja. Këto shtete mund të bëhen pengesë që Kosova të bëhet pjesë e këtij programi.
Ndihmë për anëtarësim në Partneritetin për Paqe, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte kërkuar edhe nëpërmjet një letre që i kishte dërguar presidentit amerikan, Joe Biden, në mars të këtij viti.
“Integrimi euroatlantik gjithmonë ka qenë qëllimi ynë, por sot, në kohën e ngjarjeve të paprecedentë në kontinentin evropian, ky është prioriteti kyç i sigurisë tonë kombëtare”, shkroi Osmani.
Ndërkaq, më 10 maj, zëdhënësi i misionit të SHBA-së në NATO, Jeffery Adler, tha për Radion Evropa e Lirë, se SHBA-ja mbështet ambicien e Kosovës për t’u bërë anëtare e Partneritetit për Paqe.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin anëtarësimin e Kosovës në institucionet evropiane dhe euroatlantike, përfshirë edhe në Partneritetin për Paqe të NATO-s”, tha Adler përmes një përgjigjeje me shkrim dhënë Radios Evropa e Lirë.
Mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në strukturat euroatlantike kishin shprehur edhe një grup senatorësh amerikanë, të cilët vizituan Kosovën në prill. /rel/
Rusia kryen sulm masiv ndaj sektorit të energjisë të Ukrainë...
E ngacmon një femër në rrjete sociale, arrestohet një person...
Policia shqipton mbi 2 mijë e 100 gjoba brenda 24 orëve
Sinani uron Festën e Flamurit: “Të bashkuar për të ruajtur i...
Kanosi verbalisht zyrtarin policor, arrestohet një person në...
Real Madridi vendosi dy rekorde të padëshiruara pas humbjes ...