Osmani viziton qendrën e regjistrimit për refugjatët e luftës: Populli i Kosovës e ka përjetuar ngjashëm tmerrin e luftës

20:50 | 13 Maj 2022
L G

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu ka vazhduar takimet dhe aktivitetet në vizitën zyrtare në Lituani, bashkë me udhëheqës institucionalë dhe akademikë në vend.

E shoqëruar nga ministrja e Punëve të Brendshme të Lituanisë, Agnė Bilotaitė, Presidentja Osmani ka vizituar qendrën e regjistrimit për refugjatët e luftës, ku bashkëbisedoi me refugjatë ukrainas dhe me organizata humanitare të cilat po i dalin në ndihmë refugjatëve, shumica nga të cilët gra dhe fëmijë, shkruan arbresh.info.

Presidentja ka përmendur përgjigjen efikase dhe njerëzore të shtetit dhe popullit lituanez ndaj popullit ukrainas dhe në këtë kontekst ka përmendur përvojën e ngjashme të popullit tonë para dy dekadash.

“Populli i Kosovës e ka përjetuar ngjashëm tmerrin e luftës, gjenocidit dhe dëbimit me dhunë nga shtëpitë e tyre, prandaj u solidarizuam me ukrainasit, krah të cilëve janë bashkuar të gjithë popujt liridashës të botës”, ka thënë Presidentja Osmani.

Poashtu, Presidentja Osmani ka vendosur kurorë lulesh në kujtim të dëshmorëve të rënë në përpjekje për ta rikthyer lirinë dhe demokracinë në Lituani, duke kujtuar trimërinë e tyre, e cila hodhi themelet e Lituanisë së sotme liridashëse e demokratike.

Ndërkaq para një grupi akademikësh dhe studentësh të Institutit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Shkencave Politike në Universitetin e Vilniusit, Presidentja Osmani ka diskutuar mbi mbrojtjen e demokracisë. Presidentja theksoi se lufta barbare dhe gjenocidale e Rusisë në Ukrainë është dëshmi se sistemi ndërkombëtar i bazuar në rregulla, liria dhe sovraniteti, si dhe vlerat tona të përbashkëta demokratike nuk duhen asnjëherë të merren si të mirëqena. “Si dy vende të cilat janë përballur gjatë me agresorë e tiranë, Lituania dhe Kosova do të vazhdojnë që ta forcojnë partneritetin dhe ta mbrojnë me çdo kusht lirinë, demokracinë dhe sovranitetin,” theksoi Presidentja Osmani.

Presidentja Osmani gjithashtu ka vizituar qytetin Kaunas në Lituani i cili sivjet është kryeqyteti evropian i kulturës, ku është takuar me kryetarin e Komunës Visvaldas Matijošaitis dhe ka vizituar Muzeun Kombëtar të Artit ku janë shfaqur ekspozita të ndryshme, përfshirë edhe mbi mbijetesën e shtypjes në Kaunas./arbresh.info/

Të ngjashme