Google ADS

Ukrainë, qyteti Fastiv bëhet strehë për civilët e larguar nga zonat e rrezikshme

13:18 | 12 Maj 2022
Lorik Gerbeshi

KIEV (AA) – Qyteti Fastiv në rajonin e kryeqytetit të Ukrainës, Kiev, është bërë strehë e përkohshme për civilët që nga ditët e para të luftës.

I ndodhur rreth 75 km largësi nga qendra e Kievit, Fastiv tërheq vëmendjen për faktin se nuk ka hyrë nën kontrollin e ushtrisë ruse dhe që ka pritur civilët që largohen nga sulmet.

Civilët që përpiqen të shpëtojnë nga sulmet ruse, janë dyndur nga zonat e rrezikshme drejt rajonit Fastiv që nga ditët e para të luftës.

Në qytetin ku deri më tani janë vendosur përkohësisht mbi 6 mijë ukrainas, vazhdon aktivitetet e saj edhe qendra e ndihmës humanitare.

“Disa nga të ardhurit janë në gjendje të tmerrshme”

Shefja e departamentit kulturor të qytetit Fastiv, Natalya Shavchenko dha informacione për Anadolu Agency (AA) lidhur me aktivitetet për personat që mbërrijnë në qytet.

Shavchenko vuri në dukje se që në ditët e para të luftës formuan qendrën e ndihmës humanitare. “Kur Rusia sulmoi territoret tona, kishte njerëz që vinin nga zona të ndryshme të Ukrainës. Vazhdojnë gjithashtu të vijnë qytetarë edhe nga qytete si Donetsk, Luhansk, Mariupol, Kharkiv, Kherson. Jemi përpjekur të ndihmojë ata që vijnë. Të ardhurit i vendosim nëpër shtëpitë në qytet”, tha ajo.

Pasi informoi se personat e ardhur në qendër i regjistrojnë dhe u sigurojnë atyre mbështetje mjekësore, psikologjike dhe financiare, Shavchenko u shpreh se “Disa nga të ardhurit janë në gjendje të tmerrshme. Kemi derdhur lot kur shikojmë disa të ardhur. Njerëz që janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre me sendet mbi trup”.

Ndërkohë, Yuliya një prej punonjësve në qendrën e ndihmës humanitare në Fastiv, vuri në dukje se gjatë periudhës së luftës janë mobilizuar me banorët e qytetit. “Po bëjmë më të mundurën tonë për të ndihmuar njerëzit. Duam që në vendin tonë të sigurohet sa më parë paqja”, shtoi Yuliya.

“Deri në vitin 2014 kemi jetuar në harmoni dhe paqe”

Lionella Çaplik, e ardhur nga një prej fshatrave në rajonin Donetsk të Ukrainës, theksoi se në rajon janë përjetuar ngjarje të “tmerrshme” dhe ndër të tjera tha se “Ushtria ruse sulmon. Ndërsa ushtria jonë mbron territoret tona. Bombardohemi vazhdimisht. Jemi detyruar të vijmë këtu duke lënë atje gjithçka. Ndërsa këtu e kemi filluar nga zero”.

Duke ndarë shpresën për çlirimin e rajonit në fjalë dhe kthimin sërish në fshatin e saj, Çaplik deklaroi se “Deri në vitin 2014 gjithçka ishte në rregull. Jetonim në harmoni dhe paqe. Lufta na ka prishur rregullin tonë të jetesës. Nuk kemi ftuar askënd në trojet tona”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme