Vuçiq: Kosova nesër aplikon për anëtarësim në KE, do ta mbledhim Këshillin e Sigurisë

23:56 | 11 Maj 2022
L G

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Kosova nesër do të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Madje, ai thotë se një gjë të tillë e ka konfirmuar kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, në Bruksel.

“Situata është shumë komplekse për ne dhe nesër do të jetë edhe më e vështirë sepse zonja [Donika] Gërvalla e ka konfirmuar se do të aplikojë për anëtarësim [në Këshillin e Evropës]”, tha ai, shkruan mediumi serb B92, transmeton Klankosova.tv.

I pari i Serbisë ka thënë se menjëherë do të thërrasë Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe do të reagojnë politikisht, nëse kjo gjë ndodh.

“Ne do të caktojmë një seancë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare në 36 orët e ardhshme dhe do të reagojmë politikisht. Nuk do të jetë aq e lehtë për ata që mendojnë se mund të na shantazhojnë dhe të na bëjnë presion”, deklaroi ai nga Brukseli ku po merr pjesë në darkën e organizuar nga shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, me liderët e Ballkanit Perëndimor.

Vuçiq paralajmëroi se do të luftojnë në skenën ndërkombëtare për tërheqjen e njohjeve të Kosovës.

Presidenti i Serbisë ka kërcënuar vazhdimisht Kosovën se nëse aplikon për anëtarësim në Këshillin e Evropës do të përgjigjen “seriozisht”.

Këtë e bëri edhe sonte në Bruksel, ndërsa në adresimin nga Beogradi pas kthimit nga Berlini – ku ishte takuar me kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe kryeministrin Albin Kurti – kishte thënë se do “t’i tregojnë dhëmbët”.

Të ngjashme