Google ADS

40 miliardë dollarë për Ukrainën, Rusia: SHBA po na shpall luftë, do të dështojë

17:17 | 11 Maj 2022
KRG

Vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të miratuar një paketë ndihme ushtarake dhe humanitare me vlerë 40 miliardë dollarë ka ngjallur reagim në të dyja kampet e luftës në Ukrainë. Presidenti Volodymyr Zelensky falënderoi Kongresin Amerikan që dha dritën e parë jeshile për paketën, e cila duhet të miratohet edhe në Senat para se të dekretohet nga Presidenti Biden.

Por ish-presidenti rus, Dimitry Medvedev, akuzoi Shtetet e Bashkuara se me këtë lëvizje i kanë shpallur “luftë përmes një shteti tjetër” Rusisë.

Në një mesazh të postuar në kanalin e tij në Telegram, Medvedev tha se SHBA-ja do të vuante më shumë nga kjo paketë dhe do të humbasë edhe ndikimin e saj në botë.

“Nuk do të funksionojë. Printimi i parave po rrit ndjeshëm inflacionin dhe borxhin e qeverisë amerikane, dhe do të thyhet shpejt”, tha Medvedev.

Që prej dorëheqjes nga posti i kryeministrit në vitin 2020, Medvedev shërben si nënkryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Rusi. Ai është aleat besnik i Presidentit Putin.

Në një tjetër postim në Telegram, kryetari i Dumës ruse, Vyacheslav Volodin, akuzoi Uashingtonin se përmes kësaj pakete, SHBA-ja synon të zhysë në borxhe Ukrainën në mënyrë që të përvetësojë rezervat e grurit të vendit./A2CNN/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme