‘Tërmeti përbindësh’: NASA regjistroi dridhjen më të fuqishme ndonjëherë në Mars

15:58 | 11 Maj 2022
A. B.

NASA regjistroi atë që po vlerësohet si tërmeti më i madh në Mars, i cilësuar si ‘Tërmeti përbindësh’.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, magnituda e tërmetit vlerësohet të jetë 5 ballë dhe ai është regjistruar më 4 maj të 2022.

Tërmeti më i fuqishëm i regjistruar më parë ishte me magnitudë 4.2 ballë, më 25 gusht të vitit 2021.

NASA InSight shkroi në Twitter: “Pas më shumë se tri vitesh dëgjim të ‘gjëmimeve të buta’ të Marsit, sapo ndjeva ‘tërmetin’ tim më të madh deri më tani: duket si me magnitudë 5. Ekipi im po studion të dhënat për të mësuar më shumë. Shkenca shpërblen durimin!”.

Tërmeti u regjistrua kur InSight u dërgua në Mars me një sizmometër shumë të ndjeshëm, të siguruar nga Qendra Franceze Kombëtare d’Études Spatiales (CNES), për të studiuar brendësinë e thellë të planetit.

Një tërmet me magnitudë 5 është një tërmet me përmasa mesatare në krahasim me ata që ndjehen në Tokë, por është afër kufirit të sipërm të asaj që shkencëtarët shpresonin të shihnin në Mars gjatë misionit të InSight.

“Që kur ulëm sizmometrin tonë në dhjetor të vitit 2018, ne kemi pritur për ‘të madhin’”, ka thënë Bruce Banerdt, hetuesi kryesor i InSight në Laboratorin Jet Propulsion të NASA-s në Kaliforninë Jugore, i cili drejton misionin.

“Ky tërmet me siguri do të sigurojë një pamje më të mirë të planetit. Shkencëtarët do t’i analizojnë këto të dhëna për të mësuar gjëra të reja rreth Marsit për vitet në vijim”. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme