Edhe një miliarder rus vdes në rrethana të paqarta

20:49 | 9 Maj 2022
KRG

Ish-menaxheri i Lukoil, Aleksandr Subbotin, raportohet se ka vdekur nën rrethana të paqarta, teksa janë raportuar një seri vdekjesh të mistershme të biznesmenëve rusë qëkur Moska nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt.

Mediat raportuan se burimet brenda policisë rajonale në Moskë thanë se po kryhen teste të forenzikës, pasi dyshohet se në trupin e Subbotin mund të ketë drogë. Ai u gjet një ditë më parë në bodrumin e një shtëpie në qytetin Mitishçi, afër Moskës.

Sipas burimeve, pronari i shtëpisë ku u gjet trupi i pajetë i miliarderit, Aleksei Pindyruin – që njihet edhe me emrin Shaman Magua – ka dëshmuar para policisë se Subbotin kishte ardhur në shtëpinë e tij dhe kishte nën ndikimin e drogës dhe alkoolit.

Më pak se një javë më parë, më 21 prill, Vagit Alekperov, themeluesi dhe bashkëpronari i Lukoil – kompania më e madhe private ruse e naftës – dha dorëheqje nga kompania, pasi ai dhe miliarderë të tjerë rusë u sanksionuan nga Australia dhe Mbretëria e Bashkuar për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.

Po të njëjtën ditë, mediat në Spanjë raportuan se dy ditë më herë një ish-menaxher i gjigantit rus të naftës, Novatek, Sergei Protosenya, grua dhe vajza e tij u gjetën të vdekur në një vilë të marrë me qira në Lloreta de Mar, pranë Barcelonës.

Protosenya ishte gjetur i varur, ndërkaq gruaja dhe vajza e tij ishin therur për vdekje, citohet të ketë thënë policia spanjolle.

Më 18 prill, ish-presidenti i institucionit kryesor financiar rus, Gazprombanka, Vladislav Avayev, u gjet i vdekur në Moskë, së bashku me gruan dhe vajzën e tij. Policia tha se ai kishte mbyllur banesën, kishte qëlluar për vdekje gruan e tij dhe vajzën dhe më pas kishte vrarë veten.

Më 24 mars, një tjetër miliarder rus, Vasily Melnikov – që kishte në pronësi kompaninë farmaceutike MedStom – gruaja e tij dhe dy djemtë, u gjetën të therur për vdekje në banesën e tyre në qytetin rus, Nizhni Novgorod.

Më 28 shkurt, miliarderi rus, Mikhail Watford, ishte gjetur i varur në garazhin e shtëpisë e tij në Mbretërinë e Bashkuar. Zyrtarët britanikë kanë thënë se nuk dyshojnë se kjo është vrasje.

Më 25 shkurt, një ditë pas pushtimit rus të Ukrainës, menaxheri i gjigantit të energjisë ruse Gazprom, Aleksandr Tyulyakov, u gjet i varur në garazhin e shtëpisë së tij në Shën Petersburg. Policia tha se kishte gjetur një letër, ku ai kisht treguar se kishte bërë vetëvrasje.

Edhe zyrtari tjetër i lartë i Gazpromit, Leonid Shulman, u gjet i vdekur në një shtëpi pranë Shën Petersburut, në janar, disa javë para se të niste pushtimi i Ukrainës. Në vendin e ngjarjes, policia po ashtu gjeti një shënim, ku njoftohej se ai kishte bërë vetëvrasje./REL/

Të ngjashme