Google ADS

Misteri i hepatitit tek fëmijët ende po hetohet derisa rastet rriten

18:15 | 7 Maj 2022
Lorik Gerbeshi

Zyrtarët shëndetësorë në Mbretërinë e Bashkuar thonë se ende nuk e kanë të qartë shkakun e rritjes së inflamacionit të mëlçisë, ose hepatitit, te fëmijët.

Lidhur me këtë rast mendohet se një adenovirus i zakonshëm po luan një rol, por mundësi të tjera janë ende duke u hetuar.

Në Mbretërinë e Bashkuar, tani janë identifikuar 163 raste dhe 11 fëmijë kanë marrë transplantim të mëlçisë.

Rastet janë identifikuar në 20 vende të botës, me rreth 300 fëmijë të prekur dhe një vdekje është raportuar.

“Është e rëndësishme që prindërit të dinë se gjasat që fëmija i tyre të zhvillojë hepatit janë jashtëzakonisht të ulëta”, tha Meera Chand, nga Agjencia e Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar (UKHSA).

Megjithatë ajo thotë se prindërit duhet të jenë vigjilentë ndaj shenjave – veçanërisht verdhëzën, një nuancë të verdhë në të bardhat e syve – dhe duhet të kontaktojnë një mjek nëse janë të shqetësuar.

Që nga java e kaluar, 18 fëmijë të tjerë janë identifikuar me hepatit në Mbretërinë e Bashkuar 118 jetojnë në Angli, 22 në Skoci, 13 në Uells dhe 10 në Irlandën e Veriut.

Simptomat më të zakonshme të fëmijëve ishin verdhëza dhe të vjellat – dhe shumica kanë qenë nën moshën pesë vjeçe.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme