Zelensky: Tërheqja e Rusisë hapi i parë drejt paqes

09:40 | 7 Maj 2022
L G

Çdo marrëveshje paqeje me Rusinë do të varet nga tërheqja e forcave ruse në pozicionet e tyre para pushtimit rus, thotë presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Duke folur për një institut në Londër, Zelensky, tha se ky do të ishte minimumi që vendi i tij mund të pranonte, raporton BBC.

Ai tha se është lideri i “Ukrainës, jo i një mini-Ukraine”. Por ai nuk e përmendi Krimenë, rajon ky që është aneksuar nga Rusia në vitin 2014.

Rusia aktualisht po lufton për të marrë kontrollin e plotë të qytetit të Mariupol.

Ka ende forca ukrainase së bashku me disa civilë në fabrikën e madhe të çelikut Azovstal qytet juglindor, i cili i është nënshtruar një sulmi të furishëm rus.

Marrja përfundimisht e Mariupolit do të ishte arritja më e madhe e Rusisë në dy muajt e luftës dhe do t’i jepte presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, diçka për të festuar më 9 maj, që është “Dita e Fitores” në Rusi – dita kur vendi shënon fitoren sovjetike ndaj nazistëve në Luftën e Dytë Botërore.

Megjithatë, duke folur nga Kievi për institutin Chatham House në Londër, presidenti ukrainas Zelensky tha se nuk diskutohet fakti që Rusia të mbajë territorin që ka pushtuar që kur nisi pushtimin e Ukrainës.

“Për të ndalur luftën midis Rusisë dhe Ukrainës, hapi i parë duhet të jetë rikthimi i situatës që nga 23 shkurti”, tha ai në përgjigje të një pyetjeje nga BBC duke iu referuar një dite para fillimit të luftës.

“Unë u zgjodha nga populli i Ukrainës si president i Ukrainës, jo si president i një mini-Ukraine. Kjo është një pikë shumë e rëndësishme”, shtoi ai.

Referenca për situatën e 23 shkurtit sugjeron se Ukraina mund të mos insistojë në rimarrjen e Krimesë përpara se të bëjë paqe me Rusinë.

Gadishulli u aneksua nga Rusia tetë vjet më parë.

Zelensky bëri thirrje për rifillimin e dialogut diplomatik midis Rusisë dhe Ukrainës: “Pavarësisht faktit se ata shkatërruan të gjitha urat tona, unë mendoj se jo të gjitha urat janë shkatërruar, në mënyrë figurative”, tha ai.

Rusia, nga ana e saj, e ka përshkruar atë proces si në një “gjendje stagnimi”.

Derisa konflikti po vazhdon, mijëra fëmijë në Ukrainë kanë nevojë urgjente për mbështetje psikologjike, marrë parasysh përvojat traumatike të luftës, ka thënë Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF).

Sipas të dhënave të kësaj agjencie, 4,000 deri në 6,000 profesionistë për psikologji të fëmijëve janë ende në këtë shtet, dhe duhet bërë gjithçka për të siguruar pagat e tyre dhe për t’i mbështetur në mënyrë që të vazhdojnë punë e rëndësishme, ka thënë eksperti i UNICEF-it, Aaron Greenberg./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme