Google ADS

Vuçiq kërcënon Kosovën: Nëse aplikon për KE, do t’ua tregojmë dhëmbët

22:26 | 6 Maj 2022
L G

Shije të hidhur i ka lënë darka që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e kishte të mërkurën mbrëma në Berlin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Ngjarja ku ishte prezent edhe emisari evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, sipas Vuçiqit, shkoi huq pasi që delegacioni kosovar, sipas serbit, refuzoi publikimin e deklaratës së përbashkët.

“Në fund thanë se nuk mund të shkruhet që Vuçiq pajtohet për paqe për shkak se ai është ‘Putin i vogël’ dhe do luftë. Unë iu thashë ‘hiqeni edhe këtë pjesë e çkado tjetër vetëm të kemi deklaratë të përbashkët’, por ata na thanë nuk duam asgjë. Duhet ta kuptoni me kënd kemi punë”, tha Vuçiq.

Në adresimin disa orësh, Vuçiq nga Beogradi tha se shteti i tij është vënë në pozitë të rëndë pas deklaratave të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, për Pavarësinë e Kosovës.

Putin tha se parimi për vetëvendosje i popullit të Kosovës, mbi të cilin ka një vendim të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, duhet të vlejë edhe për republikat e vetëshpallura Donetsk dhe Luhansk në Ukrainë.

Vuçiq pastaj u kthye me kërcënime për Kosovën që e ka në plan të aplikojë për pranim në Këshillin e Evropës e në Partneritet për Paqe të NATO-s.

“Atë ditë që marrim vesh që kanë aplikuar zyrtarisht për anëtarësim në ndonjë organizatë, përgjigjja jonë do të jetë shumë më e fortë sesa që mendojnë ata e nuk do të jetë vetëm deklaratë për media. Më besoni se do t’ua tregojmë dhëmbët goxha shumë”.

Ndërkohë, shfaqi video që thotë se tregojnë se si Ushtria e Kosovës kaloi në veri të Mitrovicës.

Sipas Vuçiqit, një gjë e tillë nuk guxon të ndodhë, pasi që ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nënshkroi ujdi në Bruksel më 2013, me të cilën Kosova pajtohet që FSK-ja nuk kalon në veri pa leje paraprake nga NATO-ja dhe kryetarët e komunave.

“Filmimet janë nga e enjtja mes orës 10:00 dhe 12:00 të ditës dhe askush nuk reagon për këtë dhe nuk interesohen që krejt ujdia është shkelur. Me këtë ne e dokumentojmë secilin sulm ndaj serbëve dhe secilën shkelje të së drejtës ndërkombëtare”.

Kryetari i Serbisë shtoi se askujt në Prishtinë nuk i intereson që të themelohet Asociacioni dhe se bashkësia ndërkombëtare do nga Beogradi vendosje të sanksioneve ndaj Moskës./Klankosova/

Të ngjashme