Negociatat me PS për presidentin e ri, grupi i PD mblidhet nesër

23:52 | 4 Maj 2022
L G

Grupi Parlamentar i PD do të mblidhet nesër në orën 17:00 për të diskutuar për negociatat me PS për presidentin.

Zgjedhja e Presidentit është diskutuar sot dhe në Kryesinë e Partisë Socialiste, ndërsa procesi nisi me konsensus këtë të mërkurë.

Në një mesazh drejtuar deputetëve, gazetari Juxhin Mustafaraj raporton se kreu i Grupit, Enkelejd Alibeaj njofton se mbledhja do të zhvillohet ditën ne nesërme në selinë blu, mbledhje kjo e para pasi u vendos shkarkimi i tij.

Diskutimin me PS për zgjedhjen e Presidentit deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji e ka konsideruar të palogjikshme. Sipas Salianjit, Rama e ka futur ne zarf emrin e ri ndërkohë që Partia Demokratike nuk diskuton dhe as dërgon emrat në Parlament duke mbajtur bllokuar ngritjen e komisioneve të posaçme për Reformën Zgjedhore dhe Territoriale, dy prioritete te opozitës që prej tre muajsh janë miratuar në Kuvend por po bllokohen nga “neglizhenca”.

“Se kuptoj dot këtë logjikën; diskutohet a duhet të ulemi me Ramën ndërkohë që nuk ulemi me njëri tjetrin prej kohësh! Diskutojmë për presidentin që Rama e ka fut në zarf dhe shprehet se i ka votat ndërkohë që ka tre muaj që për fat të keq Partia Demokratike nuk diskuton dhe as dërgon emrat në Parlament duke mbajtur bllokuar ngritjen e komisioneve të posaçme për Reformen Zgjedhore dhe Territoriale, dy prioritete te opozitës që prej tre muajsh janë miratuar në Kuvend por po bllokohen nga “neglizhenca” A mendoni dhe ju se bashkimi i demokratëve, reforma zgjedhore dhe territoriale janë prioritete absolute për Partinë Demokratike?”, shkruan Salianji.

Kryeministri Rama u shpreh se ekzistojnë mundësitë për të zgjedhur Presidentin edhe me votat e opozitës, duke thënë se nuk ka paragjykim se nga cila palë propozohet emri i ri.

“Nëse ka vullnet, patjetër që shanset janë shumë të mira. Ne jemi shumë të gatshëm që të jemi sa më të hapur në funksion të zgjedhjes së një Presidenti që të garantojë mbylljen me sukses të një kapitulli çmendurie në krye të shtetit”, tha Rama.

Për Ramën, emri për President nuk kaq rëndësi se nga cila palë vjen.

“Nëse do vijë një kandidaturë e pëlqyeshme, do ketë 100% miratimin tonë. Nëse nuk do ketë një kandidaturë të pëlqyeshme, ne do bëjmë propozimet tona. Nëse atyre do u pëlqejë një propozim i yni, do kemi edhe ne 100% apo X % mbështetjen e tyre”

Megjithatë nuk anashkaloi faktin që PS ka votat për ta zgjedhur e vetme, në dy raundet e fundit kur nuk i dihen votat e opozitës.

“Nëse jo, në fund fare, falë ndryshimeve kushtetuese të domosdoshme që u bënë në 2008 dhe që po provohen gjithmonë e më të vlefshme për ecurinë e mëtejshme të vendit, janë më shumë se 71 vota në Parlament dhe Shqipëria do ketë një president normal”.

/abcnews.al

Të ngjashme