Koreja e Jugut, Indonezia, Egjipti, Ishulli Montserrat dhe Guineja Ekuatoriale, popullsia totale e të cilëve arrin deri në 430 milionë banorë, konsiderojnë vendimin për të zhvendosur kryeqytetet e tyre jo për shkaqe politike ose ushtarake, por për shkak të kushteve të rritjes së popullsisë, klimës dhe të natyrës.
Sipas informacioneve të përpiluara nga Anadolu Agency (AA), vetëm kryeqyteti i Ishullit Montserrat nga 5 vendet e përmendura është një qytet fantazmë sot, ndërsa kryeqytetet e 4 shteteve tjera janë vendbanim i një pjese të konsiderueshme të popullsisë së vendit.
Në të kaluarën e afërm shumë shtete si Kazakistani, Pakistani, Brazili, Malajzia, Nigeria dhe Mianmari ndryshuan kryeqytetet e tyre pas zhvillimeve politike.
Pakistani në vitin 1960 kryeqytetin nga Karaçi e zhvendosi në Islamabadin e sapondërtuar dhe më i mbrojtur se Karaçi, ndërsa junta ushtarake në Mianmar, kryeqytetin e zhvendosi nga Yangon në Naypyidaw, i cili është më i lehtë për të kontrolluar.
Kazakistani nga ana tjetër, pas pavarësisë me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, e zhvendosi kryeqytetin e tij në Akmola, e cila më vonë u bë Nur Sultan dhe Astana, për shkak të gjeografisë së saj të përshtatshme për urbanizim, klimës dhe afërsisë me burimet strategjike.
Megjithatë, nëse shikojmë 50 vitet e fundit, ngjarjet natyrore, klima, arsyet ekonomike dhe rritja e popullsisë qëndrojnë prapa ndryshimeve në kryeqytet dhe jo arsyet politike.
Për shkak të rritjes së popullsisë zhvendoset kryeqyteti
Kryeqyteti i Egjiptit, Kajro, një ndër qytetet më të populluar në botë, është ndër qytetet e rëndësishme për Afrikën dhe botën muslimane, si dhe një nga qytetet kryesore të botës me historinë e tij mijëravjeçare.
Përderisa popullsia metropolitane e qytetit, i cili është gjithashtu shtëpia e Piramidave, një nga 7 mrekullitë e botës antike, kalon 20 milionë, ndërtesat e rëndësishme të vendit si ministritë, parlamenti dhe pallati presidencial ndodhen brenda dhe rreth sheshit Tahrir, që është në qendër të qytetit.
Për shkak të sigurisë së këtyre ndërtesave, gjatë vizitave të delegacioneve të huaja dhe autokolonave të VIP-ave, qendra e qytetit të Kajros, ku rrugët mbyllen shpesh dhe trafiku ndërpritet, është në kaos që përhapet gjatë 24 orë.
Qyteti vlerësohet të arrijë një popullsi prej 40 milionë banorësh deri në vitin 2050, për këtë shkak ndërtimi i kryeqytetit të ri, i cili përfshin ndërtesa publike të nivelit të lartë, ambasada dhe institucione të rëndësishme financiare, filloi në 2015 për të eliminuar gjithë këtë kaos, për të afruar ndërtesat qeveritare si dhe për të zvogëluar barrën e Kajros.
Edhe pse nuk jepet data e saktë për përfundimin e projektit, parashikohet që zhvendosja e kryeqytetit të zgjasë 6-7 vite. Projekti do të përfshijë shtëpi, hotele, xhami, kisha, parqe, universitete, qendra kërkimore dhe një aeroport të ri ndërkombëtar, ku do të jetojnë rreth 6 milionë njerëz.
Për momentin qyteti i ri është emërtuar Kryeqyteti i Ri Administrativ.
Xhakarta largohet nga përmbytjet dhe fundosjes
Xhakarta, kryeqyteti i Indonezisë, një nga vendet më të populluara në botë, është ndër qytetet që ka nisur të zhvendoset.
Edhe pse puna për zhvendosjen e qytetit me mbi 30 milionë banorë filloi në vitin 2019, punimet u vonuan për shkak të COVID-19.
Ndërsa kryeqyteti është planifikuar të zhvendoset në qytetin e ri të quajtur Nusantara në ishullin Borneo në vitin 2024, vendimi që çoi në këtë zgjidhje u mor për shkak të rritjes së popullsisë, si dhe për arsye natyrore.
Xhakarta, në ishullin Java, që është qyteti më i madh në vendin me një popullsi prej rreth 275 milionë banorësh, çdo vit përballet me fatkeqësi të ndryshme natyrore, veçanërisht përmbytje. Madje, veriu i qytetit rrezikon të fundoset.
Përderisa vlerësohet se afërsisht 25 për qind e qytetit do të zbresë në nivelin e detit ose më poshtë deri në vitin 2050, arsyeja për këtë janë ujërat nëntokësore të përdorura nga popullsia e dendur dhe rritja e ujërave të detit.
Gjithashtu, planifikohet shpërndarja e ngarkesës nga ishulli Java, ku kryhen 50 për qind e aktiviteteve ekonomike në vend dhe jeton 60 për qind e popullsisë së përgjithshme.
Pas zhvendosjes së kryeqytetit, Xhakarta do të ruajë pozicionin e saj si qendër tregtare dhe financiare, ndërsa Nusantara, rreth 2.000 kilometra larg, do të bëhet kryeqyteti administrativ duke pritur ndërtesat qeveritare.
Koreja e Jugut zhvendos kryeqytetin për shkak të popullsisë dhe afërsisë me Korenë e Veriut
Një tjetër vend që ka vendosur të zhvendosë kryeqytetin e tij është Koreja e Jugut. Planet për t’u zhvendosur nga kryeqyteti Seul u bënë të ditur në vitin 2003 dhe në vitin 2007 qyteti i Sejong filloi të ndërtohet rreth 120 kilometra në jug të Seulit.
Është planifikuar që zhvendosja e plotë në Sejong, ku sot janë zhvendosur të gjitha ministritë dhe zyrat qeveritare, përveç 5 ministrive, Pallatit Presidencial dhe Kuvendit Kombëtar, do të përfundojë në vitin 2030 dhe popullsia e qytetit, që është rreth 350 mijë sot, do të rritet në 500 mijë.
Ndër arsyet e zhvendosjes së kryeqytetit të Koresë së Jugut nga Seuli është rritja e popullsisë, si në Indonezi dhe Egjipt. Fakti që Seuli, ku jetojnë rreth 25 milionë njerëz me zonën e tij metropolitane, është afërsisht 30 kilometra larg kufirit të Koresë së Veriut, krijon probleme sigurie.
Një arsye tjetër për të zhvendosur nga Seuli në Sejong është shpërndarja e aktiviteteve ekonomike në rajonet qendrore të vendit, ashtu si në Indonezi.
Kurti: Synim i Serbisë mbetet hakmarrja, Kosova duhet të jet...
Kancelari gjerman Scholz do të kandidojë për një mandat të d...
Vrau Martin Canin gjatë një sherri dhe plagosi shokun e tij,...
Rama uron ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Analistët: Përdorimi i raketave të shpejta nga Rusia, sinjal...
Ndodh edhe puthja e shumëpritur mes Lelës dhe Leos