Google ADS

COVID-19 ka shkurtuar më shumë jetëgjatësinë e personave që jetojnë në Elbasan dhe Tiranë

07:58 | 4 Maj 2022
S D

Covid-19 si kudo në Europë i ndikoi negativisht normat e jetëgjatësie, por në Shqipëri, virusi duket se ka dëmtuar më shumë jetëgjatësinë në personat që jetojnë në qendrën e vendit, zonë e cila është edhe me e zhvilluar ekonomikisht.

Të dhënat e detajuara të Eurostat tregojnë se, jetëgjatësia e popullsie në rajonin e qendrës së Shqipërisë (Tiranë-Elbasan) në vitin 2020 u ul me 2.8 vite në raport me vitin 2019.

Popullsia në këtë rajon të vendit tonë kishte jetëgjatësi 78.9 vite nga 81.6 që kishte në vitin 2019. Në të kundërt në qarqet e tjera rënia e jetëgjatësisë ishte më e butë në krahasim me qendrën e vendit.

Në jug të vendit jetëgjatësia ra 1.2 vite duke shkuar 76,2 vite më 2020 nga 77.4 në vitin 2019, ndërsa në rajonin e Veriut jetëgjatësia ra me 1.4 vite duke shkuar 77.3 vite nga 78.7 që ishte në vitin 2019.

Sipas të dhënave të brendshme nga INSTAT, një shqiptar në vitin 2020 jetoi mesatarisht 77.3 vite me një rënie nga viti 2018 me rreth 3,3 muaj si rrjedhojë e rritjes së vdekjeve në moshë të re nga pandemia e koronavirusit.

Shqiptarët e viteve 1950 jetonin mesatarisht vetëm 54.4 vite sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, ndërsa që nga ajo kohë deri në vitin 2020, jetëgjatësia u rrit me 42%.

Të dhënat historike mbi jetëgjatësinë në 70 vitet e fundit, tregojnë se përmirësimi më i madh ndodhi në dy dekadat e 1950-1970, ky tregues u rrit me 18 vite ose 33%.

Nga 54.4 vjeç më 1950 jetëgjatësia mesatare në vitin 1970 arriti në 72.3 vite. Që nga ajo kohë treguesi i jetëgjatësisë në vendin tonë është rritur me ritme të ulëta. Në vitin e parë të tranzicionit jetëgjatësia në vend ishte 75.4 vite dhe në vitin 2020 llogaritet në 77.3 vite me një përmirësim me rritje rreth dy vite.

Në vitin 2020, jetëgjatësia e pritur në lindje në Shqipëri ishte 75,2 vjet për burrat dhe 79,6 vjet për gratë. Kjo do të thotë që gratë pritet të jetojnë afro 4 vjet më shumë se burrat.

Popullsia në Shqipëri ka ndryshuar gjatë 30 viteve të fundit. Kjo vjen, veçanërisht, për shkak të ndryshimeve në sistemin ekonomik, duke kaluar nga ekonomia e centralizuar në një sistem të tregut të hapur i cili ka dhënë efektin e tij në lindje, vdekje, migracion, dhe sigurisht ka një ndikim në të ardhmen e popullsisë shqiptare.

Statistikat e popullsisë dhe ato mbi jetëgjatësinë janë shumë të rëndësishme për planifikime të tjera. Është me rëndësi të dimë se sa banorë jetojnë aktualisht në vend dhe sa do të ketë në të ardhmen, në mënyrë që të mund të merren vendime më të mira në lidhje me ndërtimin e shkollave, spitaleve dhe rrugëve. Është gjithashtu e rëndësishme të dihet sa e moshuar është dhe do të jetë popullsia në vitet në vazhdim, në mënyrë që të planifikohen, për shembull pensionet apo kujdesi shëndetësor.

Shqiptarëve dhe maqedonasve iu shkurtua më shumë jeta në Europë nga pandemia e Covid-19

Jetëgjatësia e pritshme në lindje e shqiptarëve në vitin 2020 u shkurtua me 1.7 vite në 2020-n, si rrjedhojë e pasojave të pandemisë.

Por, të dhënat e fundit të publikuara nga Eurostat tregojnë se pasojat e Covid-19 në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut kanë qenë më të rëndat. Në Maqedoninë e Veriut, jetëgjatësia u shkurtua me 2.2 vite, më shumë nga të gjithë shtetet e tjera të Europës. Shqipëria renditet e dyta, pas Maqedonisë së Veriut. Të dhënat për Kosovën mungojnë. Për të gjithë Europën, jetëgjatësia shënoi një rënie prej -0.9 vjet.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme