Google ADS

PDK e nisi, LDK-ja e vazhdoi| Roli i tyre opozitar në fazën finale të dialogut me Serbinë

08:59 | 1 Maj 2022
S D

Dy partitë më të mëdha opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, shprehen skeptike në lidhje me kapacitetin e qeverisë aktuale për të arritur një marrëveshje finale me Serbinë, pavarësisht përkrahjes dhe angazhimit special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Vizita e fundit e përfaqësuesve amerikanë në Kosovë la mesazhe të qarta në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, duke shprehur qëndrimn se status-quoja është e paqëndrueshme dhe se i intereson vetëm Rusisë.

Sipas tyre Kosova dhe Serbia duhet të angazhohen me urgjencë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në Bruksel.

Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, për arbresh.info tha se si PDK janë në përkrahje të vazhdimit të dialogut, por jo me reformatime.

“Pra, duhet të vazhdohet dhe duhet të përmbyllen zotimet që janë marr përfshirë këtu edhe asociacionin”, vlerësoi Berisha, partia e të cilit pati filluar këto negociata në 2011’tën.

Një pjesë të barrës nëpër vite, në këtë dialog, pati edhe LDK-ja, në kohën e së cilës u arrit edhe marrëveshja për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

Deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi, për arbresh.info tha se nuk beson fare se kjo Qeveri do të sjell një marrëveshje përfundimtare.

“Krejt m ‘varet çka ka në atë dialog, m’varet çka shkruan. Unë nuk besoj hiq në këtë Qeveri, as që ka me kry dialog, as sen. Ata po shkojnë në varrime, nëpër korridore me u taku me njerëz, kështu që nuk besoj që ka me ba diçka kjo Qeveri, por edhe nëse vjen një marrëveshje finale m’varet krejt çka është shkru në atë marrëveshje. Dhe me këtë Qeveri nuk besoj që ka me ardhë ndonjë marrëveshje finale”, tha Bunjaku-Rexhepi.

Ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, në vizitën e saj në Kosovë ka thënë se nga situata e Kosovës dhe Serbisë përfitues i vetëm është Kremlini.

“Ne i japim prioritet mbështetjes së procesit të dialogut, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, dhe t’i ndihmojmë Kosovës që të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë, duke pasur në qendër njohjen e ndërsjellë. Status quo-ja është paqëndrueshme. Jo vetëm që e pengon të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë, mirëpo nga kjo përfiton Kremlini. Rusia dëshiron të shkatërrojë çdo unitet dhe konsolidim demokratik në Ballkanin Perëndimor”, tha Donfried.

Këto mesazhe sipas deputetit Berisha janë mjaftë të qarta, dhe se si opozitë deklaroi se do të mbeten konsistent në qëndrimet e tyre.

Ndërkaq sipas Berishës, pengimi i dialogut shkon në favor të Serbisë, dhe Kosova është ajo që mbetet e izloluar.

“Ju e dini që dialogu është në interes të Kosovës, pengimi i tij është interesi i Serbisë për ta penguar Kosovën që të ecë përpara. Ne jemi koshient se Serbia duke mos e përmbyll çështjen  hapur me Kosovën është e penguar që të jetë pjesë e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, nëse do të ketë pretendime në NATO. Është Kosova ajo që po mbetet e izoluar pikërisht për shkak të elementeve refuzuese të kësaj Qeverie”, tha Berisha.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të shprehin qëndrimin se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, në qendër do të ketë njohjen e ndërsjellë./arbresh.info/

/S.D/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme