Rritja e çmimeve: Jetesa e personave me aftësi të kufizuara është vështirësuar

23:13 | 30 Prill 2022
Trina Galanxhi

Pas periudhës së gjatë të pandemisë, personat me aftësi të kufizuara po përballen muajt e fundit edhe me rritjen e shpejtë të çmimeve të artikujve ushqimorë, shkaktuar nga lufta në Ukrainë dhe kriza globale e tregjeve.

Personat me aftësi të kufizuara shprehen se, kjo situatë e ka vështirësur më tepër gjendjen e tyre social-ekonomike, ndërkohe që e vetmja mbështetje janë disa shoqata humanitare që këto ditë po shpërndajnë për ta ndihma ushqimore.

Pas periudhës së gjatë dhe të vështirë të pandemisë, personat me aftësi të kufizuara po përballen me një sfidë tjetër, atë të rritjes së çmimit të artikujve ushqimorë dhe shërbimeve, gjë që e ka vështirësuar më tej jetën e tyre.

I ulur në një karrocë me rrota, për shkak të paralizës së gjymtyrëve të poshtme, Refik Duli kujton se ka punuar si shofer për 51 vite të jetës së tij dhe se tani po përballet me vështirësi të skajshme ekonomike. Qeveria i ka afruar një ndihmë ekonomike prej 3 mijë lekësh në muaj si kompensim për rritjen e çmimeve, shkaktuar nga agresioni rus në Ukrainë dhe kriza globale e tregjeve, por ai thotë se kjo ndihmë nuk arrin të mbuloj rritjen e madhe të çmimeve dhe shërbimeve të domosdoshme.

Ashtu si Refiku, edhe Sabahete Cuma përballet çdo ditë me vështirësi të panumërta, jo vetëm për shkak të 23 diagnozave që ka në trupin e saj, por edhe vështirësive të jetesës. Megjithatë, ajo përpiqet të përmbahet, duke u shprehur se dhimbjet e trupit janë më të forta.

Nazarino Sumulla është 35 vjeç dhe pjesën më të madhe të kohës e kalon në kompjuter dhe duke dalë me karrocën e tij me rrota në qytet. Ai thotë se kishte shpresuar se pas pandemisë, jeta do të normalizohej, por lufta në Ukrainë ka rikthyer tek ai dhe familja tij situatën e veshtirë ekonomike. Nazarino thotë se në këtë periudhë të vështirë, e vetmja mbështetje për personat me aftësi të kufizuara është shoqata e tyre e paratetraplegjikëve, ku bëjnë pjesë 107 përsona. Vullnetarja e kësaj shoqate, Imelda Kraja, thotë se vetëm gjatë këtij muaji janë shpërndarë 250 pako ushqimore në mbështetje të përsonave me aftësi të kufizuara në Shkodër.

“Sidomos, gjatë periudhës së luftës në Ukrahinë, edhe pandemia ka ndiku shumë në situatën social-ekonomike të përsonave me aftësi të kufizuar. Si shoqatë jemi munduar t’i afrojmë këtyre përsonave gjërat më bazike, duke j’u ofru shërbim social dhe ndihmë ekonomike me ndihmën e organizatave të ndryshme që na janë afru në këtë periudhë”, thotë ajo.

Në Shqipëri janë miratuar një numër ligjesh dhe vendimesh në mbështetje të përsonave me aftësi të kufizuara si në drejtim të shëndetit të tyre, arsimimit, punësimit, aksesushmërisë fizike në lëvizje dhe shërbimet publike, ndihmës ligjore falas, por pjesa më e madhe prej tyre kanë vështirësi në zbatim./ VOA/

Të ngjashme