Lehtësimi i masave anti-Covid, ja çfarë u shfuqizua e çfarë mbeti në fuqi

20:31 | 30 Prill 2022
Lorik Gerbeshi

Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme ka marrë vendim për masa lehtësuese sa i përket COVID-19.

Sipas Qeverisë, vendimi për masat kundër COVID-19 është bazuar në vlerësimin e situatës së intensitetit të përhapjes dhe kapacitetit të sistemit shëndetësor për t’u përgjigjur, por duke i vlerësuar ato edhe nën dritën e efekteve të këtyre masave që mund të ketë në mirëqenien e përgjithshme të shoqërisë dhe individëve.

Me këtë vendim dëshmitë që kërkoheshin për të hyrë në Kosovë, sic janë certifikata e vaksinimit për vaksinimin e plotë me dy doza ose me një dozë të vaksinës Janssen (J&J) që nuk ka kaluar më shumë se 12 muaj nga marrja e dozës së fundit, certifikatën e vaksinimit me një dozë e shoqëruar me testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 48 orë, dëshmi se personi ka kaluar COVID-19 në 90 ditët e fundit (test RT-PCR pozitiv i lëshuar 21–90 ditët e fundit), dëshmi se personi e ka marrë dozën e tretë/përforcuese ose dëshmi të testit RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 48 orë.

Me këtë vendim rekomandohet bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën në ambientet e mbyllura, por është hequr edhe kufizimi që të përdoret vetëm 50 përqind të hapësirave të brendshme në gastronomi.

“Shërbimet e gastronomisë lejohen të zhvillojnë aktivitetin e tyre. Klientët dhe stafi i gastronomisë duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 dhe 2.2 në mënyrë që t’u lejohet hyrja në hapësirat e mbyllura të lokaleve, në përputhje me udhëzuesin përkatës, përveç atyre nën moshën 16 vjeçare. Në lokalet e gastronomisë është e obliguar të caktohet një apo më shumë persona përgjegjës që do të kontrollojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 dhe 2.2. Shërbimet e gastronomisë lejohet të zhvillojnë aktivitetin e tyre sipas orarit të tyre të rregullt, në pajtim me nenin 40 të Ligjit Nr. 2004/ 18 për Tregtinë e Brendshme, rregulloret përkatëse komunale dhe Udhëzuesit përkatës të nxjerrë nga Ministria e shëndetësisë. Çdo tavolinë duhet të jetë e pajisur me dezinfektues që përmbajnë së paku 60% alkool”, thuhet në vendimin me masat që janë në fuqi.

Lehtësim të masave ka edhe sa i përket bizneseve dhe aktiviteteve tjera që organizohen në Kosovë.

Vendimin për masat e miratuara sot që mbesin në fuqi po ua sjellim të plotë.

…………………..

Republika e Kosovës

Republika Kosova – Republic of Kosovo

Qeveria – Vlada – Government

Nr. __/__

Datë: __/__/____

Në mbështetje të nenit 92 paragrafi 4, nenit 93 paragrafi 4 dhe nenit 55 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të nenit 4, nenit 5 paragrafit 2.3, nenit 6 paragrafit 1, nenit 10 dhe nenit 12 të Ligjit Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës, nenit 89 të Ligjit Nr.04/L-125 për Shëndetësi, duke u bazuar në nenin 4 të Rregullores Nr. 02/2021 për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive, si dhe në zbatim të Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr. 01/11, datë 15.03.2020, për Shpalljen e Emergjencës për Shëndetin Publik, dhe në zbatim të rekomandimeve të IKShPK-së me qëllim të kontrollit, parandalimit dhe luftimit të përhapjes së virusit SARS-CoV-2, në pajtim me nenin 19 të Rregullores së Punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr.09/2011, Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 30 prill 2022 merr këtë:

V E N D I M

Për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19

A. [Zbatimi territorial]

1. Ky vendim zbatohet në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

B. [Mbrojtja dhe siguria në punë]

2. Të gjithë punonjësit e institucioneve publike, ndërmarrjeve publike qendrore e lokale, i bizneseve private, organizatave, si dhe subjektet tjera, duhet të posedojnë një nga dëshmitë e mëposhtme, në mënyrë që t’ju lejohet hyrja në ambientet e punës:

2.1 Certifikatën e vaksinimit me më së paku dy doza ose një dozë të vaksinës Janssen kundër COVID-19;

2.2 Personat me dëshmi mjekësore nga mjeku specialist i fushës përkatëse se kanë kundërindikacione dhe janë të liruar nga vaksinimi, duhet të posedojnë testin RT-PCR negativ për COVID 19 jo më të vjetër se një javë;

3. Nëpunësi më i lartë administrativ, apo pozita ekuivalente, institucioneve publike, private, si dhe subjektet tjera, është i obliguar të caktojë një apo më shumë persona përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 dhe 2.2.

C. [Masat e përgjithshme të mbrojtjes dhe higjienës]

4. Obligohen institucionet publike e private, si dhe subjektet tjera, të mbajnë dezinfektues për duar dhe një sasi të maskave në vende të qasshme në hyrje të objektit si dhe në ambientet e brendshme.

5. Obligohen institucionet publike e private, si dhe subjektet tjera që në hyrje të çdo objekti të vendosin shenja të dukshme të rregullave të sjelljes për mbrojtje nga COVID-19, përfshirë shenjën e rekomandimit për bartjen e maskave, respektimin e distancës prej një (1) metër dhe shenja promovuese për vaksinim sipas dizajnit të Ministrisë së Shëndetësisë.

6. Obligohen përgjegjësit e institucioneve publike e private dhe subjektet e tjera që të kryejnë dezinfektimin dhe ajrosjen e hapësirave të mbyllura.

7. Rekomandohet bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën në ambientet e mbyllura.

8. Obligohen të gjitha institucionet publike e private, si dhe subjektet tjera që të caktojnë një punonjës që do të monitorojë zbatimin e masës të përcaktuar në pikën 2.1 dhe 2.2.

Ç. [Institucionet e arsimit]

9. Procesi edukativ-arsimor në institucionet parashkollore dhe të qëndrimit ditor zhvillohet sipas rekomandimeve për institucionet parashkollore të IKSHPK.

10. Procesi edukativ-arsimor në të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar të të gjitha niveleve, si dhe në qendrat e qëndrimit ditor zhvillohet në përputhje me Udhëzuesit të MAShTI për organizimin e procesit mësimor në kushtet e pandemisë Covid-19. Task forcat e institucioneve edukative-arsimore vendosin për aplikimin e skenarëve për organizimin e procesit mësimor, varësisht nga gjendja në institucion dhe në klasa.

11. Studentët në mënyrë që të ju mundësohet regjistrimi në konvikt duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 dhe 2.2.

12. Studentët në institucionet publike dhe private universitare duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 dhe 2.2. në mënyrë që të ju lejohet hyrja në objektin e institucionit.

13. Stafi në të gjitha institucionet publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit, duke përfshirë institucionet parashkollore dhe të qëndrimit ditor, duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 dhe 2.2 në mënyrë që të ju lejohet hyrja në objektin e institucionit.

14. Nëpunësi më i lartë administrativ, apo pozita ekuivalente, i çdo institucioni sipas pikës 11, 12 dhe 13, është i obliguar me vendim të caktojë një apo më shumë persona përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 dhe 2.2.

D. [Paraqitja për skemat sociale dhe pensionale]

15. Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve udhëzohet të lirojë të gjithë përfituesit e skemave sociale dhe pensionale që menaxhohen nga MFPT-ja nga paraqitja e rregullt në zyrat përkatëse për qëllime të evidentimit, siç kërkohet me ligjet përkatëse.

Dh. [Kufizimi i mbledhjeve publike dhe private]

16. Lejohen grumbullimet në ambiente të mbyllura (punëtori, mbledhje, seminare, trajnime apo grumbullime tjera). Përveç atyre nën moshën 16 vjeçare, obligohen pjesëmarrësit që të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 dhe 2.2. në mënyrë që të ju lejohet hyrja në këto ambiente, si dhe organizatori obligohet të siguroj distancën fizike prej një (1) metër në mes të personave dhe kontrollimin e dëshmive përkatëse.

17. Mbledhjet e Kuvendit dhe të Qeverisë lejohen pavarësisht numrit të personave, duke u rekomanduar mbajtjen e maskave dhe distanca fizike prej një (1) metër në mes të personave.

18. Lejohen grumbullimet dhe ngjarjet kulturore, në ambiente të jashtme. Organizatori obligohet të sigurojë respektimin e masave, përfshirë mbajtjen e distancës fizike prej 1 metër në mes të personave dhe paraqitjen e ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 dhe 2.2 përveç pjesëmarrësve nën moshën 16 vjeçare.

19. Ceremonitë dhe ritet fetare lejohen të zhvillojnë aktivitetin e tyre me kusht që posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 dhe 2.2. në mënyrë që t’u lejohet hyrja në hapësirat e mbyllura, në përputhje me udhëzuesin përkatës, përveç pjesëmarrësve nën moshën 16 vjeçare.

E. [Veprimtaritë dhe organizimet tjera ]

20. Lejohet veprimtaria e klubeve të natës si dhe organizimi i festivaleve, koncerteve, ekskursioneve, pelegrinazheve, dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe shoqërore në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

21. Subjekti që menaxhon veprimtarinë është i obliguar të caktojë një apo më shumë persona përgjegjës që do të kontrollojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 dhe 2.2. në secilën hyrje të objektit dhe monitorimin e masave të përgjithshme.

22. Klientët dhe stafi duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 dhe 2.2 në mënyrë që t’u lejohet hyrja në hapësirat e mbyllura të lokaleve, në përputhje me udhëzuesin përkatës, përveç atyre nën moshën 16 vjeçare.

G. [Gastronomia]

23. Shërbimet e gastronomisë lejohen të zhvillojnë aktivitetin e tyre. Klientët dhe stafi i gastronomisë duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 dhe 2.2 në mënyrë që t’u lejohet hyrja në hapësirat e mbyllura të lokaleve, në përputhje me udhëzuesin përkatës, përveç atyre nën moshën 16 vjeçare.

24. Në lokalet e gastronomisë është e obliguar të caktohet një apo më shumë persona përgjegjës që do të kontrollojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 dhe 2.2.

25. Shërbimet e gastronomisë lejohet të zhvillojnë aktivitetin e tyre sipas orarit të tyre të rregullt, në pajtim me nenin 40 të Ligjit Nr. 2004/ 18 për Tregtinë e Brendshme, rregulloret përkatëse komunale dhe Udhëzuesit përkatës të nxjerrë nga Ministria e shëndetësisë.

26. Çdo tavolinë duhet të jetë e pajisur me dezinfektues që përmbajnë së paku 60% alkool.

Gj. [Qendrat tregtare dhe operatorët e tjerë ekonomik]

27. Lejohet veprimtaria e qendrave tregtare sipas udhëzuesit përkatës.

28. Klientët dhe stafi në qendra tregtare duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 dhe 2.2 në mënyrë që t’ju lejohet hyrja në objekt, përveç atyre nën moshën 16 vjeçare.

29. Subjekti që menaxhon me qendrën tregtare është i obliguar të caktojë një apo më shumë persona përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 dhe 2.2 në secilën hyrje të qendrës tregtare.

H. [Puna me palë]

30. Në institucionet publike, private dhe subjekte tjera, punonjësit/personeli i cili ka punë me palë/kontakt të drejtpërdrejtë me klientë (duke përfshirë, por duke mos u kufizuar, berberë, vozitësit e taksive, punonjësit në markete dhe banka etj.), duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë në pikën 2.1 dhe 2.2 në mënyrë që t’ju lejohet hyrja në vendin e punës. Obligohet të caktohet një apo më shumë persona përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 dhe 2.2. Inkurajohet pranimi i pagesave në formë elektronike, në vend të keshit.

31. Personi përgjegjës i institucionit publik, privat apo i subjekteve tjera, obligohet që të ndalojë rreshtimin apo tubimin brenda dhe jashtë ambientit të punës/biznesit, përveç nëse mbahet distancë fizike prej të paktën 1 metër nga grupet e tjera të personave.

I. [Transporti publik dhe ndërkombëtar]

32. Rekomandohet bartja e maskës në mjetet e transportit publik dhe ndërkombëtar.

33. Operatorët e transportit rrugor të udhëtareve lejohen të punojnë sipas kapacitetit të ulëseve.

34. Stafi dhe pasagjerët e transportit rrugor duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 dhe 2.2 në mënyrë që t’u lejohet veprimtaria, respektivisht udhëtimi në mjetet e transportit publik dhe ndërkombëtar, përveç atyre nën moshën 16 vjeçare.

35. Secili operator është i obliguar të caktojë një apo më shumë persona përgjegjës në çdo mjet të transportit rrugor, që do të kontrollojnë pasagjerët për posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 dhe 2.2.

J. [Teatrot, bibliotekat, etj.]

36. Bibliotekat, muzetë, kinematë, teatrot, qendrat rinore, qendrat e kulturës me grupe apo institucionet tjera të ngjashme vartëse të MKRS-së apo të Komunave, lejohet të punojnë sipas hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse. Rekomandohet mbajtja e maskës dhe distancës fizike prej një (1) metër në mes të personave.

37. Shfrytëzuesit e veprimtarive sipas pikës 36, duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 dhe 2.2. në mënyrë që t’ju lejohet hyrja në objekt, përveç atyre nën moshën 16 vjeçare.

38. Në veprimtaritë sipas pikës 36, duhet të caktohet me vendim një apo më shumë persona përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 dhe 2.2.

K. [Sporti dhe rekreacioni]

39. Lejohen organizimi i garave sportive dhe stërvitjeve përkitazi me protokollet dhe rekomandimet e organizatave botërore për organizimin e ngjarjeve sportive dhe me masat mbrojtëse të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

40. Në aktivitetet garuese në hapësira të mbyllura dhe të jashtme lejohet prania e shikuesve sipas kapacitetit të objektit apo hapësirës sportive (stadium, salla sportive, pishina, hapësira të tjera të mbyllura) duke respektuar masën e distancës prej 1 metër dhe masat tjera mbrojtëse.

41. Shikuesit në aktivitetet garuese në hapësira të mbyllura apo të jashtme, duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 dhe 2.2.

42. Organizatorët e garës janë të obliguar të caktojnë persona përgjegjës për kontrollimin e posedimit të dëshmive sipas pikës 2.1 dhe 2.2 si dhe të ndërmarrin masat specifike, në përputhshmëri me protokollet ndërkombëtare, për menaxhimin e masës (tifozëve) para, gjatë dhe pas hyrjes në hapësirën sportive.

43. Lejohet shfrytëzimi i fitneseve, palestrave dhe të ngjashme për aktivitete individuale rekreative. Klientët dhe stafi, duhet të posedojnë dëshminë e përcaktuara në pikën 2.1 dhe 2.2 të këtij Vendimi.

44. Çdo fitnes, palestër dhe i ngjashëm është i obliguar të caktojë të paktën një punonjës i cili do të kontrollojë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 dhe 2.2.

45. Obligohet vendosja e shenjave informuese dhe dezinfektuesve (apo mjeteve të tjera për pastrimit) në secilën pajisje të fitnesit me qëllimit të vetëdijësimit dhe dezinfektimit të tyre nga secili klient pas përdorimit.

M. [Banjat termale]

46. Për të hyrë në banja termale, klientët dhe stafi duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 dhe 2.2 të këtij Vendimi, përveç atyre nën moshën 16 vjeçare. Obligohet caktimi i të paktën një punonjësi i cili do të kontrollojë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 dhe 2.2.

L. [Të dhënat personale dhe mënyra e kontrollimit të dëshmive sipas pikës 2.1 dhe 2.2

47. Caktimi i personave të autorizuar apo punonjësve të autorizuar për kontrollimin e ndonjërës nga dëshmitë sipas pikës 2.1 dhe 2.2 bëhet përmes vendimit ku përcaktohet emri dhe mbiemri i personit të autorizuar. Këta persona duhet të jenë të identifikueshëm përmes kartelës/shenjës identifikuese dhe emrat e tyre të afishohen në hyrje të institucionit, qendrave tregtare, lokaleve të gastronomisë dhe cilitdo biznes tjetër.

48. Prezantimi i dëshmsë së përmendur në pikën 2.1 dhe 2.2 bëhet në një formë e cila nuk lejon që personat e autorizuar ose shërbimet e autorizuara për të kontrolluar posedimin e tyre, t’i mbajnë, t’i ruajnë, t’i regjistrojnë apo përpunojnë të dhënat që përbëhen në dëshmi në çfarëdo forme, përpos nëse subjekti i të dhënave ka dhënë pëlqimin e tij në formë të shkruar për përpunimin e këtyre të dhënave.

49. Personat e autorizuar dhe të caktuar me emër, për të kontrolluar dëshminë e përmendur në pikën 2.1 dhe 2.2 në rastet kur subjekti i të dhënave ka dhënë pëlqimin e tij në formë të shkruar për përpunimin e këtyre të dhënave, nuk lejohen t’i mbajnë të dhënat ose ripërdorin ato për qëllime të tjera, përveç për konstatimin e posedimit të dëshmive, në interes të shëndetit publik dhe për qëllimet e vetme për të luftuar përhapjen e pandemisë COVID-19.

M. [Udhëzuesit dhe sqarimet]

50. Obligohet Ministria e Shëndetësisë që të ndryshoj dhe plotësoj udhëzuesit e përkohshëm, të përgjithshëm dhe të veçantë për parandalimin dhe luftimin e COVID-19, si në vijim:

50.1 Udhëzues i Përkohshëm për aplikimin e masave të përgjithshme për parandalimin dhe luftimin e COVID-19;

50.2 Udhëzues i Përkohshëm për sektorin e shërbimeve personale dhe bizneseve, industrisë, administratës publike dhe OJQ-ve;

50.3 Udhëzues i Përkohshëm për institucionet arsimore të të gjitha niveleve;

50.4 Udhëzues i Përkohshëm për gastronomi, hoteleri, sektorin e shitjes dhe qendra tregtare;

50.5 Udhëzues i Përkohshëm për tubimet fetare, varrime, punëtori dhe aktivitete kulturore;

50.6 Udhëzues i Përkohshëm për fitnese, palestra dhe aktivitete tjera rekreative dhe sportive;

50.7 Udhëzues i Përkohshëm për transportin publik dhe ndërkombëtar;

50.8 Udhëzues i Përkohshëm për institucionet e kujdesit shëndetësor;

50.9 Udhëzues i Përkohshëm për aviacionin civil;

50.10 Udhëzues i Përkohshëm për institucionet korrektuese, qendra të azilit dhe të mbajtjes për të huaj;

51. Udhëzuesit nga pika 50 janë të detyrueshëm për të gjithë personat dhe sektorët ndaj të cilëve zbatohen.

52. Obligohet Ministria e Shëndetësisë që në rast nevoje të nxjerr sqarime për pikat e këtij Vendimi.

N. [Zbatimi]

53. Obligohet Ministri i Shëndetësisë, AUV dhe Policia e Kosovës, që në bashkëpunim me shtabet emergjente komunale, të mbikëqyrë zbatimin e këtij vendimi dhe të dorëzojnë në Zyrën e Kryeministrit raport javor (çdo të premte deri në orën l6:00).

54. Obligohet Ministria e Shëndetësisë, ShSKUK dhe IKShPK të dorëzojnë në Zyrën e Kryeministrit raportin javor (çdo të premte deri në orën 16:00) për zbatimin e masave, gjendjen në institucionet shëndetësore, gjendjen epidemiologjike dhe parashikimet për dy javët në vijim.

55. Obligohet Ministria e Shëndetësisë që, bazuar në Ligjin Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19, në territorin e Republikës së Kosovës të nxjerrë vendime operacionale varësisht prej situatës epidemiologjike dhe rekomandimeve të IKShPK-së.

56. Obligohet Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse të mbikëqyrin zbatimin e masave, vendimeve të tjera dhe udhëzuesve përkatës në zbatim të Ligjit Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë në territorin e Republikës së Kosovës.

57. Për shkelësit e masave, organet kompetente obligohen të shqiptojnë masat ndëshkimore sipas Ligjit Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës dhe ligjeve të tjera në fuqi.

58. I vetmi autoritet që mund të interpretojë këtë vendim është Ministria e Shëndetësisë, ndër¬kaq çdo institucion tjetër mund të ofrojë sqarime për kategoritë respektive për të cilat apli¬kohet ky vendim, vetëm pas miratimit të atij sqarimi nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.

Nj. [Shfuqizimi i vendimit Nr. 01/66]

59. Shfuqizohet Vendimi i Qeverisë Nr. 01/66, i datës 01.03.2022.

O. [Hyrja në fuqi]

60. Vendimi hyn në fuqi në datën e publikimit në Gazetën zyrtare të Republikës së Kosovës.

A r s y e t i m

Masat për ruajtjen e shëndetit publik dhe mbrojtjen nga COVID-19 janë provuar si jetike për të kufizuar përhapjen e COVID-19. Sipas raporteve të fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, situata epidemiologjike me COVID–19, në Kosovë është stabile, por rreziku mbetet sepse varianti Omicron B.A.1 dhe B.A.2 është dominues. Më datën 26 nëntor 2021, OBSh ka njoftuar për shfaqjen e variantit të ri të quajtur Omicron si variant shqetësues ku kërkohet vigjilencë e shtuar në mbikëqyrjen epidemiologjike si dhe zbatimin e masave si vaksinimi dhe masave jo farmaceutike për të parandaluar përhapjen e COVID-19.

Më datën 26 dhjetor 2021, në laboratorin e Mikrobiologjisë në IKShPK është detektuar varianti Omicron i SARS-CoV-2 në Kosovë. Në një situatë të tillë, duke iu referuar të dhënave aktuale mbi situatën epidemiologjike, klasifikimin e shkallës së përhapjes dhe rekomandimeve të IKShPK – së, si dhe kapacitetit të sistemit shëndetësor dhe shërbimeve shëndetësore publike, Qeveria ka ndërmarrë masa të cilat kanë për qëllim ruajtjen e shëndetit publik si dhe parandalimin e shpërndarjes së COVID-19.

Në bazë të të dhënave shkencore në dispozicion, rreziqet e përhapjes të virusit COVID-19 zvogëlohen tek personat e vaksinuar plotësisht dhe me dozë përforcuese. Andaj, Qeveria ka ndërmarrë masa kufizuese, me hapje graduale me qëllim të kontrollit dhe parandalimit të shpërndarjes së COVID-19 në aktivitetet të cilat bashkojnë një numër të madh njerëzish në të njëjtin vend, dhe në të cilat ruajtja e distancës fizike është e vështirë dhe kështu paraqesin një rrezik në rritje të përhapjes të virusit. Të dhënat e fundit shkencore tregojnë që vaksinimi është mjeti më efikas në parandalimin e formave të rënda të sëmundjes dhe të vdekjes.

Masat e ndërmarra janë proporcionale me rreziqet shëndetësore të shkaktuara dhe të përshtatshme me rrethanat e kohës dhe vendit, si dhe të bazuara në autorizimet e Ligjit Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë Covid-19 në territorin e Republikës së Kosovës. Masat e ndërmarra përmes këtij Vendimi nuk përcaktojnë, në asnjë rast obligimin e vaksinimit të detyrueshëm, duke qenë se kufizimet e vendosura ndaj publikut mund të përmbushen me paraqitjen e dëshmisë së statusit të vaksinimit.

Vendimi për masat kundër COVID-19 është bazuar në vlerësimin e situatës së intensitetit të përhapjes dhe kapacitetit të sistemit shëndetësor për t’u përgjigjur, por duke i vlerësuar ato edhe nën dritën e efekteve të këtyre masave që mund të ketë në mirëqenien e përgjithshme të shoqërisë dhe individëve.

Ministria e Shëndetësisë ka bashkërenduar vendimmarrjen me palët e inte¬resit, të cilat kanë qenë të ndikuara drejtpërdrejt apo tërthorazi nga pandemia. Qeveria vëren se këto palë kanë ushtruar të drejtën e tyre për ndikim demokratik në vendimmarrje, në përputhje me nenin 45.3 të Kushtetutës.

Masat e përcaktuara në këtë Vendim shërbejnë që situata epidemiologjike të mba¬het nën kontroll por nuk përjashtojnë mundësinë e ndërmarrjes së masave të reja kufizuese apo lehtësuese.

Prandaj, në bazë të rekomandimeve të dhëna nga IKShPK-së, ministritë e linjës, palët e inte¬re-sit dhe ekspertët përkatës, u vendos si në dispozitiv të këtij Vendimi.

Albin KURTI

__________________________________

Kryeministër i Republikës së Kosovës

U dërgohet:

• Zëvendëskryeministrave

• Të gjitha ministrive (ministrave)

• Komunave;

• Inspektorateve përgjegjëse;

• Policisë së Kosovës;

• Sekretarit të Përgjithshëm të ZKM-së;

• Arkivit të Qeverisë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme