Google ADS

Serbia demonstron armët kineze

11:24 | 30 Prill 2022
L G

Ushtria e Serbisë, më 30 prill, shfaqi në publik sistemin kinez të mbrojtjes ajrore FK-3, që ka arritur në këtë vend së voni.

Serbia pranoi dërgesën me këtë sistem të sofistikuar të mbrojtjes raketore përmes një operacioni sekret, më 10 prill.

Mediat ndërkombëtare, asokohe, raportuan se kjo dërgesë po ndodhte në kohën kur shqetësimet e Perëndimit për armatosjen e Ballkanit gjatë luftës në Ukrainë janë në rritje.

Sipas tyre, një gjë e tillë mund të kërcënojë paqen e brishtë të rajonit.

Më 30 prill, në aeroportin ushtarak të Batajnicës, pranë Beogradit, u ekspozua një pjesë e aftësive të Ushtrisë serbe, në mesin e tyre edhe sistemi kinez FK-3.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura serbe, Milan Mojsilloviq, tha për transmetuesin publik serb, RTS, se ky sistem me rreze të mesme veprimi, do të përdoret për mbrojtjen ajrore të vendit.

“Ky [sistem] do të ofrojë mbrojtje të hapësirës ajrore të Serbisë në kohë paqeje”, tha ai.

Armët kineze, për të cilat Serbia arriti ujdi me Kinën më 2019, arritën në kohën kur lufta e Rusisë në Ukrainë po vazhdon. Sipas presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Serbia po përballet “me presion të madh” që të harmonizojë sanksionet evropiane kundër Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Brukseli dhe Uashingtoni vazhdimisht kanë përsëritur shqetësimet e tyre lidhur me vendimin e Beogradit për të blerë armë nga Rusia dhe Kina, sepse Serbia si shtet kandidat për anëtarësim në BE, kërkohet që të harmonizojë politikat e jashtme dhe të sigurisë me bllokun evropian.

Më 2020, SHBA-ja kishte paralajmëruar kundër blerjes së sistemit kinez për mbrojtje ajrore. Atëbotë, zyrtarët amerikanë kishin deklaruar se nëse Serbia vërtet dëshiron t’i bashkohet BE-së dhe aleancave të tjera perëndimore, duhet të ketë armë në përputhje me standardet perëndimore.

Serbia është e vetmja operatore e armëve kineze në Evropë. Ajo po ashtu posedon dronë kinezë CH-92A, të cilët iu prezantuan publikut në korrik të vitit 2020./REL/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme