Google ADS

“Largimi i Rusisë nga Këshilli i Evropës, mundësi e “artë” për Kosovën”

08:17 | 30 Prill 2022
L G

Kosova po shihet të jetë në rrugë të mbarë sa i përket anëtarësimit të saj në Këshillin e Evropës.

Një gjë e tillë u tha edhe nga ana e autoriteteve të Kosovës, të cilat e kanë vënë si prioritet aplikimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë.

E njohësi i çështjeve politike, largimin e Rusisë nga Këshilli i Evropës po e sheh si mundësi të “artë” për Kosovën.

Musa Sabedini për arbresh.info ka thënë se Kosova është në rrugë të mbarë, por shumë të gjatë për të qenë pjesë e Këshillit të Evropës.

“E thash rrugë të gjatë sepse mekanizmat që ekzistojnë në Këshillin e Evropës dhe zbatueshmëria e tyre në praktikë janë strikte. Jo pse Kosova si ka plotësuar kriteret, por ka shumë burokraci dhe kërkesa që vijnë nga Këshilli i Evropës e që kryesisht lidhen me sundimin e ligjit”, tha ai.

Sipas tij tani është një situatë e re, kur e kemi luftën në Ukrainë dhe largimin e Rusisë nga Këshilli i Evropës, e që duhet të shfrytëzohen këto “tollovi” dhe dridhje brenda vet Këshillit Evropian.

Sabedini thotë se anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës e kërkojnë vazhdimisht politikanët kosovarë, por politika kosovare duhet të jetë më e përgjegjshme dhe më aktive për të bindur Këshillin e Evropës se janë plotësuar të gjitha detyrimet dhe obligimet që dalin nga kornizat dhe kriteret e shumta që ofron Këshilli i Evropës.

“Unë e kam të qartë që anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës e kërkojnë vazhdimisht politikanët kosovarë, por politika kosovare duhet të jetë më e përgjegjshme dhe më aktive për të bindur Këshillin e Evropës se janë plotësuar të gjitha detyrimet dhe obligimet që dalin nga kornizat dhe kriteret e shumta që ofron Këshilli i Evropës”, tha gazetari Musa Sabedini.

Ai shton se edhe politikanë ndërkombëtar vazhdimisht e thonë se Kosova dhe qytetarët e saj e meritojnë qasjen në mekanizmat e Evropës, tani është rasti më i mirë që vendi ynë të jetë më afër familjes Evropiane.

Musa Sabedini shton se Kosova nuk do të mundet të pranohet aq shpejt në Këshillin e Evropës, por e rëndësishme është që Kosova mund të ketë një shanc të artë për të qenë e integruar në forumet e rëndësishme të Këshillit të Evropës.

“Në bazë të asaj që unë shoh e përcjell nuk besoj se Kosova, aq shpejt do të pranohet në Këshillin e Evropës, por e rëndësishme është që Kosova mund të ketë një shans të “artë” për të qenë e integruar në forumet e rëndësishme të Këshillit të Evropës. Çdo vonesë në këtë drejtim Kosovën e stagnon dhe i sjell një qorrsokak diplomatik për të arritur nën ombrellën e madhe Evropiane”, tha ai.

Rikujtojmë se një delegacion i Kosovës gjatë javës u prit nga presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, z. Tiny Kox, ku gjatë takimit argumentuan anëtarësimin potencial të Kosovës në Këshillin e Evropës./Fjolla Bajraktari/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme