Abdixhiku: LDK synon t’i japë Kosovës program politik të djathtë, rugovist

22:16 | 29 Prill 2022
S D

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se partia e tij synon t’i japë vendit dhe qytetarëve program politik të djathtë, rugovist e që synon ankorimin drejt së ardhmes euroatlantike.

“Nga sot, angazhimi i LDK në terren, në takime me qytetarë – në Kosovë e Mërgatë – do të jetë pjesë përbërëse e hartimit të Programit Politik. Të 28 ekipet tona tematike programore, ndërsa, do të mbledhin rreth vetes profesionistët më të shquar të vendit, për t’i dhënë Kosovës e qytetarëve tanë një program politik të djathtë, rugovist e që synon ankorimin e vendit tonë drejt së ardhmes euroatlantike”, ka shkruar Abdixhiku.

Në këtë organizim, tha se kanë diskutuar mbi orientimet ideologjike e programore të LDK-së, për të ardhmen e së djathtës në Kosovë, politikën e jashtme, mërgatën e bashkëpunimin rajonal; për shtetin, sigurinë, zhvillimin, arsimin, shëndetësinë, për mirëqenien, familjen, avancimin shoqëror dhe qeverisjen lokale në Kosovë.

“Diskutuam për të ardhmen tonë partiake e të Kosovës pa dallim. Mblodhëm të gjitha strukturat tona udhëheqëse, anëtarët e Kuvendit, Këshillit të Përgjithshëm, Kryesisë, deputetët, kryetarët e Komunave, kryetarët e Degëve e asambleistët lokal. U nderuam me mbështetje të përfaqësuesve më të lartë të familjes sonë evropiane – Partisë Popullore Evropiane (EPP), përkatësisht nënkryetarit, David McAllister dhe Sekretarit për Marrëdhënie me Jashtë, Patrick Voller; ambasadorit gjerman Jorn Rohde, përfaqësuesve të KAS dhe NDI; organizata mbështetëse të LDK-së”, shkroi tutje i pari i LDK-së./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme