Grubi: Kosova duhet të jetë pjesë e Ballkanit të Hapur, tash është vetë e katërta

19:25 | 29 Prill 2022
S D

Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, ka folur rreth zgjedhjes së Dritan Abazoviqit si kryeministër i Malit të Zi.

Grubi u shpreh i lumtur me zgjedhjen e Abazoviqit si kryeministër, teksa shtoi se punën do ta ketë të vështirë, por me energjinë e tij ai do të sjellë rezultate të mira.

Ai më tej tha se kryeministri shqiptar në krye të Malit të Zi, ka bindje plotësisht të njëjta me ato të Prishtinës zyrtare, Tiranës e Shkupit zyrtar.

“Bindjet e tij politike dhe ideali i tij janë në tërësi të përputhshme me të mijat, Ramës e Kurtit dhe shpresoj se bashkërisht do të bëjmë përpjekje që ta integrojmë të gjithë rajonin në NATO e BE”, është shprehur Grubi në Klan Kosova.

Sa i përket nismave rajonale, siç është “Open Ballkan”, Grubi tha se Kosova duhet të jetë gjithmonë protagoniste në çdo tavolinë, sepse sipas tij, asnjëherë nuk është e vetme, por vetë e katërta.

“Kosova duhet të jetë protagoniste në çdo tavolinë ku flitet për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, sepse Kosova asnjëherë nuk është e vetme dhe e theksova se Kosova është vetë e treta e tash vetë e katërta në çdo forum rajonal, qoftë ai “Open Ballkan”, qoftë Procesi i Berlinit apo çfarëdo formati tjetër”, është shprehur Grubi.

Kurse, sa i përket çështjes së njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia, Grubi tha se kjo e fundit e ka me patjetër ta bëjë një gjë të tillë.

“Serbia e ka me patjetër ta njoh Kosovën si shtet, të cilën e ka njohur e gjithë bota demokratike dhe nëse do që ta vazhdojë rrugëtimin e vetë drejtë BE-së, gjithsesi se ky duhet të jetë epilogu përfundimtar për politikën e jashtme serbe”.

“Por, nisma të tilla siç është Procesi i Ballkanit apo ‘Open Ballkan’, vlerësoj se Kosovën duhet ta gjejë në tavolinën e bisedimeve sepse aty Kosova nuk është e vetme dhe ne do ta ndihmojmë argumentimin e nevojës së njohjes imediate të pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë”, u shpreh Grubi.

E, sa i përket mundësisë së një mbledhjeje të përbashkët mes qeverisë së Kosovës, Shqipërisë , Maqedonisë së Veriut e Malit të Zi, Grubi u shpreh se takimet formale nuk e pengojnë komunikimin e rregullt mes udhëheqësve të këtyre shteteve.

“Nuk ka çështje rajonale për të cilën nuk jemi të koordinuar, nuk ka çështje të hapur për Kosovën për të cilën ne nuk dalim në ndihmë ose nuk jemi asistues në çfarëdo forumi ndërkombëtarë, qoftë si anëtarë të NATO-s, qoftë si vende aspiruese për BE-në me dritë jeshile për të nisur negociatat”.

“Pa nevojën e formaliteteve, ne jemi në kontakt të përditshëm dhe të përputhshëm 100 për qind me bindjet tona, për atë se si duam ta shohim Ballkanin Perëndimor të integruar në NATO dhe BE”, është shprehur Grubi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme