Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë të premten se Policia e Kosovës po ballafaqohet me vështirësi dhe mungesa të mëdha të uniformave dhe armatimit, raporton Ekonomia Online.
Gjatë raportimit para Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Sveçla ka thënë se kjo po ndodh si pasojë e mosfunksionalizimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).
“Policia e Kosovës ballafaqohet me vështirësi të mëdha, shpesh të paarsyeshme. Sa i përket uniformave, armatimit, shumë nga këto kanë rrjedhur si pasojë e OSHP-së. Unë shpresoj që shpejt OSHP-ja do të zhbllokohet”, ka thënë Sveçla, pas kritikave të deputetit të AAK-së, Bekë Berisha lidhur me këtë.
Kryetari i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë Berisha kritikoi për mënyrën e arrestimit të Policisë në pikat kufitare.
“Arrestimi i 100 Policëve, të nivelit bazë këta poshtë për korrupsion. Gjithmonë kemi pas dikë se mos po arrestojmë njerëz pastaj gjykata i liron krejt të koriten e të pafajshëm. Pse bëhen këto për ngutë e nuk trajtohen mirë kush ka argumente, por jo me i marr 100 policë se lajmi po del i madh. Në këtë formë ne e shkatërrojmë Policinë e Kosovës”, tha ai.
Por ministri Sveçla tha se nuk merret me emra por me procese. Tha se nuk mund të ndërhyjë në punën e Inspektoratit Policor e të Prokurorisë, teksa shtoi në institucionet e Kosovës nuk ka vend për persona të korruptuar.
“Një gjë e di, kjo më është thënë. Për të gjitha këto arrestime ka prova të mjaftueshme për afera korruptive për këta zyrtarë policorë. Ka pasur edhe masa ta fshehta. Jam i bindur që për njerëz të korruptuar nuk ka vend në institucionet e Kosovës e posaçërisht në institucionin që duhet të kujdeset që të mos ketë korrupsion në shoqërinë tonë”, deklaroi ai.
Sveçla tha se për të mbrojtur policët e pakorruptuar duhet të largohen, siç tha të këqijtë apo ata që janë të përfshirë në afera korruptive.
“Është e vërtet që herë u themi heronj policisë të Kosovës e herë shohim arrestim të tyre. Kjo qasje do të vazhdojë. Shumë prej policive të Kosovës, ne kemi mbi 8.200 policë . Janë heronj të Kosovës. Për t’i mbrojtur ata heronj ne do t’i ndajmë të mirët nga të këqijtë. Ata që janë të përfshirë në afera të ndryshme duhet të ndëshkohen, qoftë me suspendim ose arrestim. Në arrestimin e fundit nuk ka pasur skena siç ka pasur më herët, ku policët me uniformë janë shtrirë në rrugët apo hapësirat publike të Kosovës”, tha ai.
Berisha pyeti nëse dikush prej udhëheqësve të Policisë së Kosovës është dashur të japin dorëheqje për këtë çështje. Tha se në kohën sa ishin në opozitë, në maje të gjuhës i kishin oligarkët.
“A ish dashtë me dhënë dorëheqje ndokush për shkak të numrit të kaq të madh të korrupsionit në Polici të Kosovës. Ju e keni pas në maje të gjuhës oligarkët. Nuk po shohim që keni arrestuar ndonjë komandat të policisë apo oligark. Pse nuk po i arrestoni këta”, pyeti Berisha
“Patjetër që ata që janë të përfshirë në krime të nivele të larta duhet të përndiqen dhe të arrestohen. Dhe këtë duhet ta bëjnë ata që një pjesë e tyre po arrestohen. Për të arrit në ata stad ku arrestohen kriminelët e larta, ne duhet të jemi një forcë me kridibilitet maksimal. Nuk mund të kemi suksese në përndjekjen e krimeve të larta nëse kemi zyrtarë policorë të përfshirë në krime”, tha Sveçla.
Guri i LDK’së: Mundeni me na paditë, por drejtësisë nuk mund...
Mirlind Daku shkëlqen me dy gola në fitoren e Rubin Kazanit ...
Reshjet e dendura të shiut, Veliaj apel qytetarëve: Shmangni...
Peci ngre kallëzim penal ndaj Lumir Abdixhikut e Paris Gurit...
Moti i keq me reshje shiu në Shqipëri, apel shoferëve për ku...
E transferuan gjatë verës, por Juventus është gati të ndajë ...