Përkrahja financiare nga BE| Mbahet takimi ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe KE-së

14:01 | 28 Prill 2022
A. B.

Sot u mbajt takimi kryesor ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe delegacionit të nivelit të lartë nga Komisioni Evropian, në kuadër të misionit për programimin e IPA 2023 dhe hapat e parë rreth investimeve nga WBIF.

Delegacioni i Qeverisë u kryesua nga Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ndërsa delegacioni nga Komisioni Evropian u përfaqësua nga Vassilis Maragos, Shef i Njësisë për Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Kosovën dhe Holger Schroeder, Shef i Njësisë për Programet Rajonale dhe Planin e Investimeve Ekonomike (EIP), në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit.

Në takim u prezantuan projektet e përgatitura nga ana e institucioneve vendore, të cilat do të financohen përmes IPA 2023, me theks në maturitetin e tyre si dhe qasjen sektoriale. Këto projekte do të përfshihen në IPA 2023 dhe do t’i përkasin fushave dhe sektorëve të ndryshëm si sundimi i ligjit, punësimi, administrata publike, digjitalizimi i qeverisjes, mbrojtja e mjedisit përmes ndërtimit të deponisë për mbetjet e rrezikshme dhe projektit NATURA 2000, investimet në infrastrukturë për rrjetin e transmisionit elektrik dhe energjinë e ripërtëritshme, arsimi me theks në digjitalizim, edukimin në fëmijërinë e hershme, projekti për ndërtimin e sallës koncertale dhe punësimi përmes skemës për garanci të të rinjve në VET (sistemin dual shkollor).

KE përshëndeti përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për të prezantuar projekte të ndërlidhura me prioritetet e Integrimit Evropian, me tranzicionin Energjetik dhe Mjedisor, në përputhje me dokumentet strategjike të BE-së për rajonin si dhe projekte relevante për vitin 2023 e tutje.

Takimi u shfrytëzua edhe për informimin rreth mundësive për përfitim nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF) duke përfshirë garancitë bankare dhe zhvillimin e sektorit privat dhe koordinimin e veprimeve në nivel bilateral mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Qeveria e Republikës së Kosovës do të përgatisë projektet shtesë të cilat do të paraqiten për financim nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor gjatë muajit qershor, si dhe do të përfshihet në programimin e projekteve të tjera të përkrahura nga programet rajonale. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme