UEFA përjashton “Anfieldin” si opsion për Euro 2028, fusha e Liverpoolit ka një ‘mashtrim’ përbrenda

12:07 | 26 Prill 2022
Artan Maliqi

Tashmë është konfirmuar se Britania e Madhe dhe Irlanda e kanë fituar garën për të organizuar Kampionatin Evropian që mbahet në vitin 2028.

Dy vendet ishin të parat që aplikuan në konkursin e hapur nga UEFA për të organizuar eventin më të madh për përfaqësuese në Evropë.

Turqia e tërhoqi kandidaturën e saj pasi dështoi në dy ofertat e fundit për të organizuar Euron në 2016 dhe 2024, ndërsa oferta e planifikuar e Rusisë nuk është marrë as parasysh.

Megjithatë, një lajm negativ ka mbërritur për Anglinë, pasi nuk do të mund të përdorë një nga stadiumet e saj më tërheqës dhe të veçantë si “Anfeild Road” i Liverpool.

Ka qenë ky vendimi i UEFA-s, i cili lidhet me gjatësinë e fushës së Anfield, që sipas standartit të UEFA-s duhet të jetë 105 metra i gjatë dhe 68 metra i gjerë. Me gjerësinë në Anfield janë në rregull, por, gjatësia është 101 metra dhe nga standardi i shtëpisë së futbollit evropian, mungojnë katër metra të cilat bëjnë diferencën ndërsa fusha nuk mund të improvizojë një tjetër gjatësi edhe për shkak se nuk mund të shtyhet më tej tribuna e tifozëve.

Tashmë, shpresa e vetme për qytetin e Liverpoolit që të mirëpresë ndeshje të Euro 2028 është stadiumi i ri që po ndërton Evertoni dhe që do të përmbushë të gjithë parametrat për të pritur ndeshje të Evropianit. Ky stadium pritet të jetë gati në sezonin 2024-2025. /Telegrafi/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme