Nga: Bajram Mjeku
Shkëlqesia Juaj, ambasador Delawie, Është hera e parë në jetën time që shkruaj një letër të hapur, megjithëse profesionin prej gazetari e kam nisur para se të shembej Muri i Berlinit. Luteni që këtë letër ta kuptoni si zë i vullnetit të mirë të shumicës qytetare në Kosovë. Vetëm në këtë mënyrë, letra ime merr kuptimin e një testamenti.
Shumëkush pyet çfarë ndodhi me kosovarët, të cilët me aq dinjitet rezistuan kundër regjimit të tiranit Millosheviq dhe si nuk e luftuan një kastë hajdutësh që e zaptoi shtetin? Këta shpërdorues ordinerë rrezikuan substancën e shtetit dhe janë duke i rrezikuar seriozisht miqt më të çmuar; Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj evropian.
Kur isha fëmijë zoti Ambasador, më saktë në fillim të viteve shtatëdhjetë të shekullit të kaluar, babai im i ndjerë, një burrë i cili nga vuajtjet dhe pikëllimi u shua në moshën 53 vjeç, dëgjonte me pasion dy radiostacionet më prestigjioze; Zërin e Amerikës dhe BBC. Qëndronte pranë aparatit i mbuluar nga heshtja dhe kishte arsye. Regjimi komunist në vitin 1947 i konfiskoi familjes mbi 60 hektarë tokë, një pasuri e krijuar ndër breza me djersë e mund. Më kujtohet kur nga kutia magjike jo rrallë dëgjoheshin emra udhëheqësish shqiptarë të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë.
Janë po këta emra që sot udhëheqin me Parlamentin dhe Qeverinë e Kosovës. Karriera e tyre politike zoti Ambasador, është më e gjatë se e shumë diktatorëve që masakruan popuj dhe sunduan kontinente. Diktatori rus Josif Stalin sundoi Bashkimin Sovjetik 29 vjet. Kinezi Mao Ce Dun sundoi 27 vjet aq sa edhe kiliani, Augusto Pinoçeti. Josip Broz sundoi Jugosllavinë 35 vjet, rumuni Nikolae Çaushesku 24, ndërsa shqiptari Enver Hoxha plot 40 vjet.
Nga fillimi i viteve shtatëdhjetë kaluan mbi dyzet vjet dhe komunistët e konvertuar në demokratë vazhdojnë të sundojnë shtetin më të ri në Gadishull. Kasta tjetër është ajo e të majtës marksit-leniniste e frymëzuar nga diktatori shqiptar, Enver Hoxha. Regjimi i tij për gjysmë shekulli, dha vetëm një kontribut për Kosovën. Sigurimi i Shtetit shqiptar jo rrallë kapërcente alpet shqiptare. Sillte literaturë marksist-leniniste për të helmuar shpirtin dhe trurin e të rinjëve kosovarë. Ironia është nëna e mizorisë.
Kasta politike marksist-leniniste u organizua edhe në disa shtete të Evropës, më saktë në ato shtete, popujt e të cilëve dhanë miliona viktima kundër dy të këqijave më të mëdha; fashizmit dhe komunizmit. Marr guxim që në emër të mijëra kosovarëve të shpreh keqardhje të thellë zoti Ambasador, kur pranoni t’i shtrëngoni duart dhe denjoni të bisedoni me këta të ashtuquajtur politikanë, karriera e të cilëve është dashur të merr fund me Luftën e Ftohtë. Kjo kastë shpërdoruesish, gënjeshtrën e njohin për dhunti, hipokrizinë për mençuri, tradhtinë për atdhedashuri.
Kur presidenti i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova disejnonte shtetin kosovar, nacionalkomunistët enveristë dhe autonomistët jugosllavë thoshin se fati ynë i madh është rikthimi i autonomisë së vitit 1974! Me këta njerëz kam kontaktuar çdo ditë kur punoja në Qendrën për Informim të Kosovës, më saktë në byronë për informim të presidentit Rugova gjatë gjithë viteve të okupimit serb.
Kjo kastë politike është mbajtur mbi kukëza edhe nga administrata ndërkombëtare. Në prani të tyre vodhi, zhvati, abuzoi dhe zaptoi gjithçka që ishte me vlerë në Kosovë. Me qëllim që gjendja politike të mbahej stabile, ndërkombëtarët jo rrallë mbyllën njërin sy dhe lejuan kriminelët faqe botës të bënin çfarë deshën me Kosovën dhe resurset e saj. Në këto pesëmbëdhjetë vite, ndodhën dhjetëra atentate politike dhe qindra kërcënime e shantazhe nga më të rëndat.
Intelektualët kosovarë zoti Ambasador janë specie në zhdukje. Universiteti i Prishtinës është shndërruar në filialë për blerje diplomash. Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës më shumë se e frikësuar dhe e kapur nga politika është mplakur. Një shtet pa Parlament e Qeveri të dinjitetshme, pa arsim cilësor e siguri nacionale, pa administratë profesionale e shëndetësi cilësore e ka të vështirë ekzistencën e tij.
Tema për liberalizimin e vizave zoti Ambasador, ka mbetur viza e fundit e kësaj kaste politike për të mbijetuar në pushtet. Para pak ditësh me familjen time, vendosëm të kalojmë vikendin në vendlindje. Zgjodhëm trenin për të udhëtuar deri atje.
– Kujt i duhej ky stacion kaq i madh?!, – pyeti djali im Orgesi kur ndaluam në stacionin e trenit në Fushë-Kosovë. I rrëfeva se pikërisht në këtë stacion ndodhte Evropa e vogël. Nga aty kur isha student në vitin 1986, me trenin internacional Akropolis kisha shkuar në Hamburg për të përcjellë koncertin e bendit legjendar Scorpions. Nisej nga Mynheni i Gjermanisë, kalonte nëpër Austri, përvijonte Jugosllavinë, përfundonte në Athinë dhe anasjelltas. – Kalonit kufij pa u penguar nga askush?!, – pyeste i habitur djali.
Tri dekada më vonë Kosova është izoluar. Si kurrë më parë në historinë e saj tragjike është është përdhosur imazhi i saj. Është e pafalshme që dy milionë kosovarë të pafajshëm të mbeten peng i një grusht kriminelësh të inkriminuar në krim të organizuar, vrasje politike dhe në korrupsion. Për ironinë e kohës, janë pikërisht këta që janë pajisur me viza për veten, familjet e tyre dhe shëtisin me para të buxhetit të Kosovës gjithandej Evropës.
I nderuari zoti Ambasador,
Tre ditë më parë, Kosovën e vizitoi sekretari amerikan i Shetit, John Kerry.
“Kemi investuar tepër shumë, ne vetë, së bashku në të ardhmen e Kosovës, për ta vënë në rrezik”. Është kumti që jep shpresë dhe është vija e kuqe kësaj radhe për kastën politike në Kosovë. Sekretari Kerry kujtoi presidentin amerikan Xorxh Bush, kur në vitin 1992 i vuri Serbisë vijën e kuqe po guxoi të atakonte Kosovën.
Ndër temat më të djeshme të sekretarit Kerry ishte edhe lufta kundër terrorizmit dhe shpërfaqja e islamit politik. Është kjo kastë politike, e cila dhunshëm ua zhvati qytetarëve pasurinë, ua humbi shpresën për të ardhmen, ua përdhosi dinjitetin dhe ua ndryshoi besimin në Zot.
Në vitin 1899, shqiptari më i shquar i kohës, Haxhi Zeka kërkonte që Shqipëria të hynte për një periudhë njëzet vjeçare nën protektorat të Anglisë. Ishte ndërmarrja më serioze që katër vilajetet shqiptare, trembëdhjetë vjet para se të ikte Perandoria Osmane të bëheshin pjesë e një shteti evropian. Idenë e Haxhi Zekës serbët nuk e falën kurrë. E vranë tre vjet më vonë. Zeka i kujtonte Evropës se shqiptarët edhe si identitet nacional, edhe si hapësirë gjeografike janë pjesë e familjes së saj. Një shekull pas kumtit historik të Haxhi Zekës, udhëheqja aktuale rrezikon që Kosova t’i rikthehet Azizë.
Shpresa e vetme e popullit kosovar është ndërhyrja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të shprishur strofullin e së keqes në Kosovë. Përjashto ndërhyrjen triumfuese të marinsëve amerikanë në Normandi gjatë Luftës së Dytë Botërore, një ndërhyrje e mundshme në Kosovë do të mbahet mend dhe do të shënohet në histori për aq sa ekziston planeti tokë. Nuk mjafton zoti Ambasador vetëm t’u thoni të ashtuquajturve politikanë kosovarë: Luftojeni korrupsionin dhe krimin e organizuar. Është njësoj si t’i thuash ujkut: Kujdes, mos e sulmo vathën!
Në Barcelonë protestohet kundër rritjes së çmimeve të qirasë
Rama: Kemi larguar autolarjen duke eliminuar kështu pengesën...
Anisa: Driloni më ka treguar se me Sarën e ka pasur lojë
Skandal i madh në Mal të Zi, dyshohet se referi e goditi me ...
Xheneta-Gjestit: Baju, nuk dua të flas me ty
Kumbaro ndan pamje nga Përmeti