Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Çekisë dhe Ambasadën e Republikës së Sllovakisë zhvilluan një aktivitet në kuadër të 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë me atë që dikur quhej Çekosllovaki.
Në fjalën e saj përshëndetëse, ministrja Olta Xhaçka tha se Shqipëria është mirënjohëse ndaj Çekisë dhe Sllovakisë për rolin e tyre proaktiv në advokimin dhe përshpejtimin e rrugës sonë drejt BE-së.
“Shqipëria i konsideron Çekinë dhe Sllovakinë si dy “avokate të forta” të rrugëtimit tonë drejt BE-së. Zërat e tyre, si pjesë edhe të Grupit të Vishegradit, kanë qenë shumë të rëndësishme në lidhje me avancimin e Shqipërisë në axhendën e saj evropiane. Ndaj dhe mirëpresim vijimin e bashkëpunimit tonë të ngushtë e konstruktiv, veçanërisht gjatë Presidencës së ardhshme çeke të BE, në gjysmën e dytë të këtij viti, për të avancuar përpjekjet tona për integrim më të ngushtë e më të shpejtë të Shqipërisë me BE-në”, u shpreh ministrja Xhaçka.
I pranishëm në këtë aktivitet, ambasadori i Çekisë, Karel Urban, shprehu mbështetjen e palëkundur të Republikës Çeke për proceset integruese evropiane të Shqipërisë.
“Shpresoj se Konferenca e parë Ndërqeveritare do të ndodhë në qershor. Jam i sigurt se Presidenca Çeke do të bëjë të pamundurën për të vazhduar dhe shtyrë procesin më tej, veçanërisht në dritën e ngjarjeve të trishtueshme në Ukrainë”, tha ai.
Ndërsa, ambasadori i Sllovakisë, Peter Spišiak theksoi se marrëdhëniet Shqipëri-Sllovaki bazohen në vlera dhe prioritete të përbashkëta që do t’i udhëheqin dy vendet të punojnë së bashku gjatë viteve të ardhshme.
“Bashkëpunimi ynë i ndërsjellë vazhdon edhe gjatë anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Sllovakia ka qenë gjithmonë një promotore e fortë e zgjerimit të BE-së dhe një mbështetëse e fortë e Shqipërisë në rrugën e saj drejt BE-së”, tha ai.
Marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Çekosllovakisë u vendosën në vitin 1922, kur si një anëtare e Lidhjes së Kombeve, Shqipëria kërkonte të shtonte numrin e aleatëve dhe partnerëve të saj, si për sa i takon lidhjeve diplomatike ashtu edhe atyre ekonomike. Më 1 janar 1993, Shqipëria njohu Republikën Çeke dhe Republikën Sllovake, si dy vende të pavarura dhe vendosi marrëdhënie diplomatike me secilën prej tyre./atsh
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...