Në Ditën e Tokës, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), së bashku me OJQ-në “Keep it Green”, filloi mbjelljen e rreth 3200 fidanë pishe në zonën e ndaluar të termocentralit Kosova A në Obiliq për të ndihmuar në luftimin e ndotjes në Kosovë dhe për ta kompensuar pjesërisht gjurmën e karbonit të Misionit.
Kjo iniciativë për mbjelljen e fidanëve i bëri bashkë Shefin e EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, Ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, U.D. të Kryeshefit Ekzekutiv të Agjencisë Pyjore të Kosovës, Bekim Hoxha, Kryetarin e Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, si dhe Zyrtaren e Lartë Ekzekutive në Kabinetin e Presidentes së Kosovës, Vesa Bujupaj.
Shefi i EULEX-it tha se kjo iniciativë është pjesë e përkushtimit të vazhdueshëm të EULEX-it për mbrojtjen e mjedisit si çështje e sundimit të ligjit dhe shtoi se “Ne jemi sot këtu për ta festuar Ditën e Tokës. Ne po i mbjellim më shumë se 3000 pisha të vogla, të cilat shpresojmë se një ditë do të rriten dhe do të bëhen pjesë e një pylli të tërë këtu, ngjitur me termocentralin e Obiliqit, i cili është njëri nga ndotësit më të këqij në Kosovë dhe në rajon. Kjo është shumë e rëndësishme jo vetëm sot, në Ditën e Tokës, por edhe për sa i përket politikave të gjelbra të cilat po përpiqen që t’i ndjekin Bashkimi Evropian dhe Kosova. Ne duam ta luajmë rolin tonë së bashku me autoritetet lokale dhe kolegët tanë kosovarë”, thuhet në njoftimin për media.
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës tha se “Si ministër unë jam falënderues për të gjithë sot që japin kontribut kudo për Ditën e Tokës, e mandej edhe për kontributin që japin gjatë gjithë kohës, në veçanti edhe për organizatat ndërkombëtare të cilat na ndihmojnë sot. Po ashtu, falënderojmë misionin e EULEX-it i cili edhe pse e ka tjetër fushë në fushëveprimin e tij, por sot është angazhuar në çështjet mjedisore dhe falënderimi jonë shkon edhe për ta si mision edhe për ambasadorin, z. Wigemark”.
Duke e falënderuar EULEX-in dhe OJQ “Keep it Green”, Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi shprehu shpresën e tij se kjo zonë do të mbetet e gjelbër. “Kjo ka qenë një zonë ku është eksploatuar thëngjilli e pastaj së bashku me Bankën Botërore kemi bë revitalizimin e tokës. Tani jemi në një fazë të re kur po bëjmë mbjelljen e drunjëve. Meqë sot është Dita e Tokës kërkoj nga të gjithë që të jenë të kujdesshëm dhe të festohet duke mbjellur dhe të kemi në vazhdimësi kujdes për ambientin sepse ambienti është mbi të gjitha”, shtoi Gashi.
Aktiviteti i sotëm i mbjelljes është faza e parë e “Iniciativës për Kompensimin e Karbonit përmes Mbjelljes së Pemëve” të EULEX-it, e cila synon ta kompensojë pjesërisht gjurmën e karbonit të Misionit dhe të kontribuojë në zbutjen e efekteve të dëmshme të ndotjes së ajrit në Kosovë. Faza e dytë parasheh mbjelljen e mijëra fidanëve shtesë të pishës, të blera nga fidanishtja e Agjencisë Pyjore të Kosovës, në lokacione të përzgjedhura për mbjellje. Lokacionet për mbjellje janë identifikuar nga Agjencia Pyjore e Kosovës në përputhje me fushatën “1 milion pemë”, të nisur nga Zyra e Presidentes së Kosovës, në partneritet me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, e cila e tregon përkushtimin e institucioneve të Kosovës për një të ardhme më të gjelbër.
Vesa Bujupaj, Zyrtare e Lartë Ekzekutive në Kabinetin e Presidentes së Kosovës tha: “Presidentja e Kosovës në agjendën e saj e ka prioritet mbrojtjen e ambientit dhe kjo është një prej çështjeve kryesore mbi të cilën ne punojmë. Mesazhi i saj është që të rritet ndërgjegjësimi, të punojmë sa më shumë në pastrimin e ambientit, ne ruajtjen e tij, dhe në mbjelljen e sa më shumë luleve dhe drunjëve. Çdo iniciativë e madhe fillon gjithmonë prej vetes, prandaj edhe i bëjmë apel të gjithë qytetarëve që të punojnë sa më shumë në këtë drejtim.”
Duke folur për këtë nismë për mbjelljen e pemëve, Drejtori Ekzekutiv i “Keep it Green”, Guxim Klinaku, tha: “Ne e kemi zgjedhë këtë vend sepse Obiliqi është zonë industriale e ndotur në ujë, tokë dhe ajër. Pra kemi vendosur që nëpërmes kësaj mbjellje, pra pemët të shërbejnë si filtrues natyral te ajrit dhe ta përmirësojnë mjedisin në përgjithësi, duke filluar nga vendi më i ndotur në Kosovë por edhe më gjerë, fatkeqësisht.”/arbesh.info/
Anisa dhe Driloni bisedojnë për dashurinë
Sindikalistët e shëndetësisë njofton për protestën e radhës ...
Dy shqiptarë të nominuar për çmimet vjetore të FIFA-s
Rumania fillon rinumërimin e votave pas akuzave për shkelje ...
Bebushja Luna Mari Ejlli rrëmben vëmendjen me veshje kombëta...
Hovenier: Falënderues për ushtarët amerikanë që shërbejnë në...