Ish-kryetarja e Gjykatës Supreme në Mal të Zi ka tentuar të privohet nga jeta

00:51 | 21 Prill 2022
Trina Galanxhi

Ish-kryetarja e Gjykatës Supreme të Malit të Zi, Vesna Medenica ka tentuar të vetëvritet në Qendrën Klinike në Podgoricë, mëson Vijesti.

Sipas Vijesti, Medenica tentoi t’i priste qafën me xham. Të njëjtat burime thanë se ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën, transmeton portal arbresh.info

Medenicës sot i është caktuar masa e paraburgimit deri në 30 ditë me vendim të gjyqtares hetuese të Gjykatës së Lartë, Suzana Mugosha.

Prokuroria Speciale e Shtetit (SDT) dyshon se ajo ka kryer dy vepra penale, si krijimin e një organizate kriminale dhe ndikimin e kundërligjshëm.

Në shkurt, Zyra e Prokurorit Special të Shtetit mori transkriptet nga EUROPOL-i të bisedave ndërmjet Millosh Medenicës dhe Darko Laloviçit, truprojës për një kohë të gjatë të nënës së tij.

Pas përzgjedhjes së telefonatave, në mars u konfirmua zyrtarisht se Medenica përdorte një telefon të enkriptuar përmes të cilit kontraktonte kontrabandën e drogës nga Kolumbia, si dhe kontrabandën e cigareve.

Pikërisht në ato biseda Medenica zbuloi se nëna e tij ishte në dijeni të biznesit të tij të pistë dhe se ai do t’i mbronte nëse do të duhej, “sepse di shumë për to”, duke aluduar për konkurrentët në kontrabandën e cigareve.

Prokuroria Speciale e Shtetit (SDT), pas marrjes së intervistës, ka ngritur lëndë kundër Millosh Medenicës dhe e ka shënuar si një nga organizatorët e grupit kriminal./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme