Google ADS

“Fantazma” franceze në Durrës, fregata e famshme që grekët po e blejnë kundër turqve

13:36 | 19 Prill 2022
Fjolla Bajraktari

Porti i Durrësit është vizituar sot nga fregata francize “Aconit”, e cila ka si bazë portin e Toulonit, ndërsa momentalisht shërben në Mesdhe në kuadër të operacioneve të NATO-s bashkë me anijet ushtarake italiane.

Ajo është pjesë e klasit të fregatave “La Fayette”, katër prej të cilave i ka porositur edhe Greqia në Francë. Me blerjen e 4 fregatave franceze të klasit “La Fayette” dhe të avionëve “Rafale”, Greqia shpreson të rikthejë balancën ushtarake në Mesdhe.

Fregatat në fjalë janë të padukshme ndaj radarëve dhe janë të pajisura me armatim të rëndë kundër anijeve kundërshtare.

Ajo ka tetë njësi lëshimi të raketave anti-anije “Exocet MM40 block II”, një top automatic 100 mm dhe dy mitralozë të rëndë “F2”.

Anija në fjalë është e pajisur edhe me një helikopter ushtarak “Panther” ose “NH90”, në varësi të misionit që ka.

Fregata në fjalë është duke u përdorur tani edhe nga Arabia Saudite, Tajvani dhe Singapori krahas Francës.

Ajo ka një pavarësi prej 4 mijë miljesh detare dhe mund të mbajë rezerva deri në 50 ditë lundrimi në det dhe oqean.

Anija është e pajisur me katër motorë të fuqishëm diesel dhe ka një staf prej rreth 80 personash, ku 12 janë oficerë dhe drejtues.

“FLF Aconit” ka filluar shërbim aktiv në vitin 1999, dhe është një nga pesë fregatat e tipit La Fayette të Forcës së Veprimit Detar. Si një anije luftarake e fshehtë dhe polivalente, Aconit mund të kryejë veçanërisht misione të mbikëqyrjes detare, të zbulimit, të vendosjen në gatishmëri të forcave speciale ose të integrohet në një Task Force në një zonë krize.

Për shkak të rrethanave të kujdesit shëndetësor, nuk do të organizohet asnjë vizitë publike në anije gjatë qëndrimit të saj në portin e Durrësit./abcnews.al/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme