Google ADS

Djegia e Kuranit: Suedia i lidh trazirat me bandat kriminale

23:14 | 18 Prill 2022
Trina Galanxhi

Policia suedeze ka deklaruar se i konsideron trazirat e dhunshme që kanë tronditur disa qytete dhe qyteza në vendin nordik si krime jashtëzakonisht të rënda kundër shoqërisë dhe dyshon se disa protestues janë të lidhur me bandat kriminale që synojnë qëllimisht policinë.

Suedia, një komb me 10 milionë banorë, ka parë trazira, përleshje, zjarrvënie dhe dhunë që nga e enjtja, ku edhe disa policë kanë mbetur të plagosur, transmeton portal arbresh.info

Trazirat u shkaktuan nga politikani danez i ekstremit të djathtë, Rasmus Paludan, pasi dogji Kuranin në një qytet.

“Ne dyshojmë se ata që janë të përfshirë në këto trazira kanë lidhje me bandat kriminale”, tha Komisioneri i Policisë Kombëtare Anders Thornberg në një konferencë shtypi të hënën, duke shtuar se disa nga ata “individë kriminalë” janë të njohur për policinë.

Komandanti i Policisë Kombëtare të Suedisë, Jonas Hysing tha të hënën se 26 policë dhe 14 individë – protestues ose njerëz të tjerë – janë plagosur në trazirat dhe 20 automjete policie janë shkatërruar ose dëmtuar.

Trazirat e fundit kanë shpërthyer të dielën mbrema në Malmo, qytetin e tretë më të madh në Suedi, pasi një turmë e zemëruar kryesisht të rinjsh u vunë flakën gomave të makinave, mbeturinave dhe koshave të plehrave në lagjen Rosengard.

Protestuesit hodhën gurë dhe policia u përgjigj duke hedhur gaz lotsjellës në drejtim të turmës. Një shkollë dhe disa makina u dogjën, por situata u qetësua herët të hënën.

Që nga e enjtja, përveç Malmos, trazirat janë përhapur edhe në Stokholm, në qytetin qendror të Orebro, në qytetet lindore të Linkoping dhe Norrkoping dhe në qytetin jugor të Landskrona.

Ministri i Drejtësisë Morgan Johansson tha të hënën se ai vazhdon të ketë besim të madh në policinë suedeze pavarësisht trazirave gjatë fundjavës dhe u zotua për më shumë burime për zbatimin e ligjit.

Ministria e Jashtme e Irakut ka raportuar se ka  thirrur të ngarkuarin me punë të Suedisë për djegien e planifikuar të Kuranit nga Paludan, duke thënë se një aktivitet i tillë mund të rrezikonte seriozisht marrëdhëniet e Suedisë me botën myslimane./AP/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme