Google ADS

Gjermani, tri ruse në grevë urie për Ukrainën përpara ambasadës së Rusisë

19:02 | 17 Prill 2022
Lorik Gerbeshi

Në Gjermani tri vajza të reja ruse filluan grevën e urisë në rrugën përpara ambasadës së Rusisë në Berlin për të mbështetur Ukrainën.

Polina Oleinikova, Polina Kviatkoskaia dhe Elena Malysheva, ngritën një çadër në vendkalimin e këmbësorëve mbi bulevardin “Unter den Linden” në të cilën ndodhet ambasada e Rusisë në Berlin. Protesta tre-ditore për të tërhequr vëmendjen për luftën në Ukrainë do të përfundojë sot në orën 21:00 sipas kohës lokale.

Vajzat kanë kaluar dy net në çadër dhe kërkojnë përfundimin e luftës, ndërkohë që përreth çadrës kanë vendosur fotografi dhe mbishkrime ku për ata që kalojnë në rrugë shpjegojnë rrënimin që ka shkaktuar lufta.

Oleinikova dhe shoqet të cilat në grevën e tyre të urisë kanë konsumuar vetëm lëngje, bisedojnë edhe me këmbësorë të cilët afrohen me kureshtjen ndaj tyre.

Rusja 25-vjeçare Polina Kviatkoskaia, studente në Universitetin e Berlinit, në një deklaratë për Anadolu Agency (AA) tha se me veprimet e tyre protestojnë kundër luftës në Ukrainë dhe kundër presidentit rus Vladimir Putin. “Kur filloi lufta mbaheshin protesta në përmasa të mëdha. Ky emocion ka humbur pak por lufta ende nuk ka mbaruar. Për këtë arsye duam të informojmë njerëzit që kalojnë nga këtu. Për këtë arsye kemi vendosur këto posterë”, tha Kviatkoskaia.

Duke shpjeguar se grevën e urisë e kanë filluar më 15 prill, Kviatkoskaia tha se këtu kanë qëndruar tre ditë e dy net dhe se këtë natë do të përfundojnë grevën e tyre të urisë.

Ajo vuri në dukje se gjatë këtyre ditëve nuk kanë ngrënë asgjë dhe se kanë konsumuar vetëm lëngje. “Këtë e bëjmë për të mbajtur zi për njerëzit që vuajnë dhe ata që kanë humbur jetën atje (në Ukrainë)”, shtoi Kviatkoskaia.

Në fjalën e saj, Kviatkoskaia theksoi se njerëzit me të cilët kanë biseduar janë habitur kur dëgjojnë se janë ruse. “Në fillim kujtojnë se vijmë nga Ukraina. Por, lumturohen shumë (kur e kuptojnë që jemi ruse). Kur u themi se jemi ruse na falënderojnë kryesisht ata të cilët vijnë nga Ukraina. Ne atëherë e ndiejmë veten të çuditshëm. Nuk mendojmë se ata duhet të na falënderojnë. Ukrainasit lumturohen shumë që ne mbështesim Ukrainën pavarësisht se vijmë nga Rusia”, tha ajo.

Ndërsa 19-vjeçarja Polina Oleinikova, e cila ka ardhur 3 javë më parë nga Rusia në Berlin tha se lufta në Ukrainë nuk është lufta e parë e Putinit. Ajo shtoi se presidenti më parë ka pushtuar Sirinë, Çeçeninë dhe Gjeorgjinë.

Oleinikova thekson se kjo është e tmerrshme dhe njerëzit duhet të mendohen për këtë çështje.

“Detyra jonë është të tregojmë se të gjithë rusët nuk e mbështesin këtë luftë dhe se të gjithë rusët nuk janë mbështetës të Putinit”, deklaroi Oleinikova, e cila vuri në dukje se ajo vetë nuk e voton Putinin.

Në fjalën e saj, Oleinikova thotë se protestojnë që ndaj Rusisë të zbatohen embargo edhe për burimet e energjisë fosile si nafta dhe gazi natyror dhe se Evropa që nga dita e parë e luftës i ka paguar para më shumë Rusisë se sa Ukrainës.

“Paraja që Putini përdor për të financuar luftën vjen nga Evropa”, potencoi Oleinikova e cila shtoi se këto para janë përdorur për të blerë armë dhe për të vrarë civilët ukrainas.

Ndërsa rusja 26-vjeçare Elena Malysheva e cila punon në Berlin tha se njerëzit që duan paqe duhet të veprojnë së bashku.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme