Google ADS

380 ukrainas, përfshirë fëmijë janë mbajtur peng në një bodrum për një muaj

07:55 | 17 Prill 2022
Trina Galanxhi

Për gati një muaj, kalendari i skicuar me shkumës të zi në pjesën e pasme të një dere ishte e vetmja mënyrë që dhjetëra njerëz të bllokuar në dhomën e lagësht të mund të numëronin ditët gjatë kohës që po mbaheshin peng nga ushtrarët rusë.

Pa telefona ose pa asnjë akses në botën e jashtme, ata e dinin se e vetmja mënyrë për të qëndruar mendjemprehtë në kushte të tilla mizore ishte të numëronin ditët që kalonin, transmeton portal arbresh.info

Shënimet në derë filluan nga 4 marsi.

Të rrethuar si bagëti dhe të burgosur në bodrumin e shkollës së fshatit, 37 personat e grumbulluar në këtë dhomë ishin në mesin e afro 400 banorëve të Yahidne, që u mbijetuan kushteve mizore.

Pjesa më e madhe e rajonit rreth Kievit është tani një skenë krimi pasi autoritetet hetojnë provat e mizorive ruse, duke përfshirë vrasjet masive të civilëve dhe përdhunimet.

Por janë muret e dhomave poshtë shkollës së mesme Yahidnianska që tregojnë historinë e tmerrshme të terrorit që iu nënshtruan banorëve të Yahidne, një fshat i vogël pranë Chernihiv, shkruan The Telegraph.

Filloi me kalendarin. Por së shpejti, 380 pengjet që mezi merrnin frymë në katër dhoma të vogla, filluan të regjistrojnë ata që humbën jetën për shkak të mungesës së ajrit dhe mungesës së aksesit mjeksor.

Emrat e tyre ishin të shkruar në të djathtë të kalendarit. Në të majtë ishin emrat e atyre që kishin mbetur në shtëpitë e tyre dhe ishin vrarë.

Në mesin e pengjeve ishin edhe 60 fëmijë.

Megjithatë, kishte shenje jete, pasi fëmijët që po mbaheshin aty kishin viztuar në murë zemra të kuqe dashurie, palma, flutura dhe një diell nën fjalët “Jo luftë!!!”.

“Më vjen të qaj kur e shikoj këtë”, tha Kateryna Balanovych, 60 vjeç, e cila kishte jetuar në bodrum gjatë okupimit.

Balanovych u trondit kur kujtoi trajtimin që iu nënshtruan dhe se si jeta e saj ndryshoi menjëherë kur pushtuan rusët.

“Ushtarët rusë na thanë se do të transportoheshim në Rusi dhe do të jetonim në një botë ruse nën Putinin”, tha ajo.

“Ata na thanë se fshati ynë do të bëhej një bazë ushtarake dhe ne të gjithë do të transportoheshim në Siberi për të pastruar peshk”, shtoi ajo.

Balanovych kaloi shumë orë të gjata duke menduar se çfarë do të bënte nëse ushtarët do të përpiqeshin t’i evakuonin në Rusi.

“Mendova t’u thosha të më vrisnin. Unë nuk do të shkoj askund. Ky është atdheu im, kjo është toka ime, unë jetoj këtu, nipërit e mi janë të gjithë këtu. Unë nuk do të largohem nga vendi im. Unë nuk do të shkoj askund”, tha për The Telegraph ajo.

Balanovych shpjegoi se kur rusëve u mbaronte ushqimi, ata zbrisnin në bodrum dhe urdhëronin disa fshatarë, nën kërcënimin e armëve, të dilnin mbi tokë dhe të mblidhnin prodhime që ata të hanin.

Pikërisht në këtë udhëtim të rrezikshëm ata do të mësonin se kush ishte vrarë.

Kur njerëzit vdisnin, qoftë në strehë ose mbi tokë, varrezave në krematoriumin lokal iu dhanë vetëm 20 minuta në kohë për të varrosur sa më shumë njerëz që mundej.

Për të përmbushur afatin e tij, Yurii Balanovych, 39 vjeç, duhej t’i vendoste në varre masive. Vetëm tani që qyteti është çliruar ai është në gjendje të fillojë t’u japë të ndjerëve një varrim zyrtar.

Shumë prej tyre ende nuk janë varrosur dhe shtrihen gjysmë të mbuluara në gropa në krematorium, i cili dyshohet të jetë i mbushur me mina.

Kur më në fund arritën të arratiseshin, panë se tanket dhe automjetet ushtarake ishin zhdukur. Dikush gjeti një telefon të hedhur nga rusët dhe arriti të bëjë një telefonatë duke njoftuar ushtrinë ukrainase për vendndodhjen e tyre.

“Kur erdhën ushtarët, ne po i përqafonim, të gjithë ishim shumë të lumtur që i pamë,” tha Balanovych.

“Rusët grabitën gjithçka,” tha ajo ndërsa nxirrte një listë me sende të grabitura, duke filluar nga ari dhe mikrovalët deri te këllëfët e jastëkëve dhe të brendshmet e grave.

Fshati ende nuk është i sigurt. Raketat e pashpërthyera mbeten të futura në tokë, granatat e hedhura mund të shihen dhe ka disa rrugë që nuk mund të kalohen për shkak të minave që janë vendosur dhe ende nuk janë pastruar.

Përkundër kësaj, disa fshatarë tani janë kthyer paraprakisht në fshat dhe po punojnë për pastrimin e bodrumit të shkollës.

Tani për tani, ai bodrum është një kujtim i tmerrshëm i jetës së një popullsie civile që u detyrua të jetonte në kushte të paimagjinueshme gjatë luftës./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme