Ndarja e 100 eurove nga qeveria/ Ekonomistët: Nuk janë të mjaftueshme për një muaj, shkak inflacioni i madh

11:08 | 16 Prill 2022
L G

Jo veç opozita, por edhe njohësit e çështjeve ekonomike po vlerësojnë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për ndarjen e mjeteve prej 100 eurove për kategoritë e ndryshme shoqërore për muajin prill, përfshirë punëtorët në sektorin privat e publik, pensionistët dhe studentët, është jo adekuat dhe i mjaftueshëm.

Ata kanë vlerësime të ndryshme rreth vendimit të Qeverisë Kurti, duke shtuar se këto mjete do të mund të ndaheshin në një tjetër mënyrë, shkruan arbresh.info.

Kryetari i Odës së Afarizmit në Kosovë, Skënder Krasniqi, thotë që një mënyrë më e mirë do ishte nëse këto 100 euro të ndara nga qeveria të shfrytëzoheshin vetëm për të blerë produkte vendore.

Ndërsa në anën tjetër, eksperti i ekonomisë, Musa Limani thotë se shuma prej 100 eurosh është e mirëseardhur, por sipas tij, kjo nuk mund të quhet pako, por më shumë si ndihmë sociale dhe ata e njëhershme.

Krasniqi: 100 euro vetëm për një muaj nuk janë të mjaftueshme për shkak të inflacionit të madh

Kryetari i Odës së Afarizmit në Kosovë Skënder Krasniqi, pohon se shuma prej 100 eurosh e ndarë nga shteti do ishte mirë që tu ndahej qytetarëve, të cilët ato mjete do t’i shfrytëzonin vetëm për të blerë produkte vendore.

“100 euro do të ishte më mirë të jepen për qytetarë, të cilin do të kishin mundësi t’i shfrytëzojnë vetëm për të blerë produkte vendore, ku në këtë mënyrë do të ishin financuar qytetarët, por edhe bizneset”, shprehet Krasniqi.

Kjo sipas tij, do të shtynte që punëtorët t’i ruajnë vendet e punës, dhe qytetarët të furnizohen me produkte vendore.

Ai thekson se shuma prej 100 eurosh vetëm për një muaj nuk janë të mjaftueshme, për shkak të inflacionit të madh.

Megjithatë, sipas Krasniqit kaq ishte mundësia e qeverisë për momentin.

“100 euro vetëm për një muaj nuk janë të mjaftueshme për shkak të inflacionit të madh. Edhe Enti i Statistikave të Kosovës ka deklaruar se brenda 1 viti ka 10% inflacion, ndërsa edhe për muajin janar dhe shkurt kemi pas inflacion të madh të këtij viti. Por kaq ishte mundësia e Qeverisë”, shtoi ai.

Limani: Ngritja e pagave karshi nivelit të çmimeve, do të ishte zgjidhje afatgjate

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve të ekonomisë, Musa Limani vlerëson se kjo pako prej 00 euro e shpërndarë nga qeveria është e mirëseardhur dhe si ndihmë ai e konsideron me vend. Megjithatë, ai mendon se kjo është më shumë ndihmë sociale dhe ata e njëhershme.

“Kjo pako e shpërndarë nga Qeveria është e mirëseardhur dhe si ndihmë e konsiderojë me vend, por në aspektin e pakos si e ka quajtur qeveria nuk mendojë se kjo është pako, por më shumë mund ta quajmë si ndihmë sociale dhe ata e njëhershme”, pohon Limani.

Ai shton se zgjidhje afatgjate do të ishte ngritja e pagave, duke u bazuar në çmimet që janë tani në treg. Sipas tij, pagat aktuale në vend janë shumë të ulëta.

“Ngritja e pagave karshi nivelit të çmimeve, do të ishte zgjidhje afatgjate sepse në raport me nivelin e çmimeve, pagat janë jashtëzakonisht të ulëta, e mos të flasim për pagën minimale”, tha Limani.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës të mërkurën ka miratuar vendimi për ndarjen e 100 eurove për muajin prill për të gjithë përfituesit nga skemat sociale, pensionistët dhe punëtorët në sektor privat a publik si dhe studentët.

Në bazë të këtij vendimi, rreth 300 mijë punonjës të sektorit privat pritet të përfitojnë nga 100 euro dhe rreth 80 mijë zyrtarë publikë, si dhe rreth 80 mijë studentë.

Vendimi i qeverisë për ndarjen e 100 eurove për qytetarët është kundërshtuar edhe nga partitë opozitare në vend, duke e quajtur këtë vendim një lëmosh./Fjolla Bajraktari/arbresh.info/

Të ngjashme