Escobar flet për integrimin e Ballkanit Perëndimor dhe PD-në në Shqipëri: Çdo vend që i bashkohet BE-së po bëhet më demokratik

16:25 | 14 Prill 2022
L G

Zëvendësndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, njëherësh i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka shprehur mbështetjen e tij për anëtarësimin e Ballkani Perëndimor në Bashkimin Evropian BE-së.

Në një intervistë për gazetën greke To Vima, Escobar u shpreh se vender e Ballkanit Perëndimor tashmë janë evropiane kulturalisht, historikisht dhe gjithnjë e më shumë ekonomikisht.

“Çdo vend që i bashkohet BE-së po bëhet më demokratik, më i qëndrueshëm dhe më i begatë,” tha ai, duke shtuar se politika e SHBA-ve për këtë çështje mbetet e pandryshuar.

Së fundmi zyrtari amerikan ndodhej në Greqi, ku u takua me zyrtarë të Ministrisë së Jashtme greke, ndërsa mori pjesë edhe në Forumin e Delfit.

“Ajo që karakterizon tani Ballkanin Perëndimor është rritja ekonomike mbresëlënëse. Është pjesa me rritjen më të shpejtë të BE”, thekson Escobar në interivistë.

Shqetësimi i madh amerikan për Ballkanin Perëndimor bazohet në ndikimin e vendeve të treta.

“Jam shumë i shqetësuar për ndikimet keqdashëse ruse dhe kineze. Unë nuk e përfshij Turqinë në këtë kategori. Turqia është një anëtare e NATO-s, ajo ndihmon në ruajtjen e paqes në Bosnje-Hercegovinë, gjithashtu ka punuar shumë për të sjellë investime në rajon”, thekson ai.

Në fund të intervistës, Escobar foli edhe për zhvillimet në Partinë Demokratike në Shqipëri.

“Ne kemi një marrëdhënie shumë të mirë me PD. Një demokraci e fortë ka nevojë për një opozitë të fortë. Është e trishtueshme ajo që po ndodh me PD-në në këtë moment”, tha ai.

“Shpresoj që anëtarët e PD-së dhe populli shqiptar të refuzojnë të kaluarën dhe të shikojnë nga e ardhmja. Shpresoj që ajo që ndodhi të mos rikthejë ditët e këqija, kur korrupsioni dominonte pikëpamjet e shumë njerëzve në rajon për Shqipërinë”, përfundon Escobar.

Të ngjashme