Dick Marty, a figuron në listën e dëshmitarëve pranë Speciales?

09:14 | 14 Prill 2022
A Z

Ish-Raportuesi për Këshillin e Evropës, Dick Marty, nuk figuron në listën e dëshmitarëve qoftë nga Zyra e Prokurorit apo mbrojtja pranë Dhomave të Specializuara në Hagë, raporton arbresh.info.

Në anën tjetër njohës të çështjeve juridike në Kosovë thonë se Marty duhet të jetë i ftuar si dëshmitarë pasi që është edhe nismëtari i gjithë këtij procesi gjyqësor ndaj ish- ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

E gjithë kjo erdhi pasi që Dick Marty është i kërcënuar me vdekje me elemente radikale nga shërbime të inteligjencës së Serbisë.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, për arbresh.info tha se pas kërcënimeve ndaj senatorit Marty, mbrojtja duhet ta konsideroj si dëshmitarë me interes atë.

E sipas tij një gjë të tillë duhet ta vlerësojnë edhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, për rastin e tyre.

“Pas kërcënimeve ndaj Senatorit Marty, pa dyshim se mbrojtja mund ta konsideroj si dëshmitar me interes lidhur me procedurat penale që janë duke u zhvilluar në Hage.  Sikurse, strategjia e prokurorisë e vlerëson se sa mund të jetë i njëjti i rëndësishëm për rastin e tyre”, deklaroi Miftaraj.

Në një përgjigjeje për arbresh.info, Gjykata Speciale në lidhje me atë se a është paraparë që të jetë në listën e dëshmitarëve ish-Raportuesi për Këshillin e Evropës, Dick Marty, thuhet se aktualisht nuk pasqyrohet emri i tij në listën e publikuar, gjë që nuk kanë pohuar apo mohuar nëse do të jetë në të ardhmen.

“Për sa i përket informacionit publik për dëshmitarët para Dhomës së Specializuar, ato mund të gjenden në faqen e internetit të KSC-së. Siç do ta shihni, emri i tij aktualisht nuk pasqyrohet atje”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Speciale.

Nevenka Tromp, hulumtuese për 12 vjet e Tribunalit të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi dhe ligjëruese në Universitetin e Amsterdamit deklaron se patjetër duhet që ish-senatori Dick Marty të jetë dëshmitar në Gjykatën Speciale.

“Në një intervistë me Martyn nga mbrojta, prokuroria apo edhe gjyqtarët e Speciales, do t’i parashtroheshin të gjitha pyetjet sepse personi i vetëm që do të jetë në gjendje t’u përgjigjet këtyre për Specialen dhe raportin e tij, është vetë Dick Marty”, deklaroi ajo për RTK-në.

Pas publikimit të kërcënimeve nga Marty, kreu i Qeverisë, Albin Kurti, tha se pret që Qunit-i në Beograd, Bashkimi Evropian në përgjithësi ta ngritin këtë çështje me presidentin, Aleksandar Vuçiq atje, dhe me të gjitha organet shtetërore sepse kjo është një akuzë e jashtëzakonshme e cila i tejkalon çfarëdo përmasash individuale, e përfshinë një shtet të tërë.

“Ju e dini shumë mirë se Shërbimi Sekret i Serbisë gjatë viteve të 70-ta e 80-ta, ka vrarë shumë patriotë, shumë veprimtarë shqiptarë andaj këtë mënyrë të punës së tyre të mbrapshtë ata e kanë të ushtruar ndër dekada. Pra, ashtu siç kanë bërë ndaj shqiptarëve dhe kroatëve në atë mënyrë e paskan planifikuar edhe ndaj Dick Martit që të na fajësojnë neve”, deklaroi Kurti.

Ndërsa një hetim ka nxjerr se ish-Raportuesi për Këshillin e Evropës, Dick Marty është duke jetuar nën mbrojtje të lartë, ku sipas Fedpol llogaritet se është nën rrezik të shkallës së pestë, apo maksimum, prandaj i është dhënë mundësia për ta ndryshuar edhe identitetin dhe adresën.

Kujtojmë se Marty në vitin 2010 kishte përpiluar një raport të cilin e kishte prezantuar në Këshillin e Evropës, për të denoncuar siç kishte vlerësuar ai, krimet e kryera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës./S.D/arbresh.info/

Të ngjashme