Google ADS

Me Rusinë ose me Evropën, Vuçiq ka afat deri në muajin gusht

22:16 | 13 Prill 2022
KRG

Periudha e uljes në dy karrige po përfundon dhe Serbia së shpejti do të duhet të vendosë sanksione ndaj Rusisë.

Siç mëson gazeta beogradase, nova.rs, partnerët perëndimorë presin që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të fillojë harmonizimin e politikës së jashtme me Bashkimin Evropian dhe t’i bashkohet sanksioneve deri në verë.

Që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë, Serbia ka qëndruar mes Lindjes dhe Perëndimit, duke shmangur vendosjen e sanksioneve, por edhe dënimit të veprimeve të Rusisë.

Megjithatë, periudha e “uljes në dy karrige” po përfundon dhe Serbia do të duhet të marrë një vendim – Bashkimin Evropian apo Rusinë.

Rruga e mëtejshme evropiane e Serbisë do të varet në masë të madhe nga vendimi nëse do të vendosë sanksione ndaj Rusisë dhe do t’i përmbahet masave të BE-së, duke theksuar se mund të dëgjohen gjithnjë e më shpesh thirrjet në Parlamentin Evropian dhe Komisionin Evropian që të ndërpriten negociatat për anëtarësim në BE derisa shteti serb të harmonizojë politikën e saj të jashtme me Bashkimin Evropian.

Sipas informacioneve të siguruara nga mediumi serb, afati fillestar për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë është 15 maji, por ata nuk do të insistojnë shumë në këtë datë, duke pasur parasysh situatën politike në Serbi dhe faktin se nuk është formuar ende një qeveri e re.

Partnerët perëndimorë presin që deri në muajin gusht të formohet pushteti ekzekutiv në Serbi dhe një nga vendimet e para të qeverisë së re të jetë vendosja e sanksioneve.

Ndryshe, Annalen Baerbock, ministrja e Jashtme gjermane, ditë më parë deklaroi se Serbia duhet të mbështes sanksionet kundër Rusisë nëse dëshiron të bëhet pjesë e BE-së.

Të ngjashme