Google ADS

Kurti priti në takim zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, flasin për bashkëpunim mes dy vendeve

18:51 | 13 Prill 2022
L G

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Zëvendësministrin e Punëve të Jashtme për Diplomaci Ekonomike të Greqisë, Kostas Fragogiannis.

“U bisedua për mundësitë e bashkëpunimit nga i cili do të mund të përfitojnë qytetarët e të dy vendeve. U veçuan mundësitë në sektorët e përpunimit të drurit dhe metaleve, si dhe në fushën e teknologjisë së informacionit dhe të komunikimit (TIK)”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Zëvendësministri Fragogiannis theksoi vullnetin për avancim të marrëdhënieve dhe shkëmbimeve tregtare mes Kosovës dhe Greqisë, për t’i afruar njerëzit e të dyja vendeve që janë pjesë e komunitetit të biznesit, shkruan arbresh.info.

Kryeministri Kurti e njoftoi për progresin e konsiderueshëm në zhvillimin ekonomik në një vit qeverisje, duke veçuar rritjen ekonomike prej 10,53%, që është më e larta në rajon, njëherit më e larta në Kosovën e pavarur. Duke folur për masat e reja të Pakos së Ringjalljes Ekonomike nga të cilat do të përfitojnë rreth 800 mijë qytetarë, kryeministri theksoi përkushtimin e Qeverisë për rritjen e mirëqenies sociale.

Zëvendësministri Fragogiannis shprehu interesim për bashkëpunim me theks në investime ekonomike, në kulturë dhe fushën e arsimit dhe aftësimit profesional./arbresh.info/

Të ngjashme