Drita barazon me Ramiz Sadikun, por kalon në finalen e Kupës së Kosovës

15:54 | 13 Prill 2022
Lorik Gerbeshi

Drita ka siguruar finalen e Kupës së Kosovës, edhe përkundër barazimit 2-2 nga Ramiz Sadiku në ndeshjen e dytë të gjysmëfinales.

Ramiz Sadiku ishte afër të bënte befasinë, pasi ishte në epërsi 2-0 deri në fund të ndeshjes, por kur pritej goli i tretë për të çuar ndeshjen në vazhdime, Drita ia shoi shpresat.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë thuajse të barabartë, nga të dyja skuadrat, por edhe përkundër rasteve portat mbeten të paprekura dhe ekipet shkuan në pushim me rezultat 0-0.

Në pjesën e dytë, u zhvillua lojë më e hapur dhe vendasit e nisen furishëm duke shënuar dy gola të shpejtë, ndërsa mysafirët reaguan në fund gjithashtu me dy gola.

Ramiz Sadiku gjeti golin e parë në minutën e 51-të me anë të Armend Misinit, i cili shënoi nga penalltia për 1-0.

Vendasit u treguan të saktë edhe në minutën e 66-të me anë të Granit Musës që shënoi për epërsinë 2-0.

Megjithatë, Drita u rikthye në lojë në minutën 88-të me anë të Ardit Tahiri që shënoi për 2-1, ndërsa Almir Kryeziu (90+) vulosi rezultatin përfundimtar 2-2.

Pas dy ndeshjeve, gjilanasit fitojnë me rezultat 5-2 dhe kalojnë në finalen e madhe të Kupës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme