Google ADS

Osmani në takim me Fico: Italia është mbështetëse e zëshme e procesit tonë eurointegrues

15:16 | 13 Prill 2022
A. B.

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, sot realizoi takim me Kryetarin e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit italian, Roberto Fico.

Në takim u shpreh kënaqësi për marrëdhëniet tradicionale miqësore ndërmjet dy shteteve, lidhjet kulturore dhe bashkëpunimin e ngushtë përmes niveleve të ndryshme të partneritetit institucional.

Ministri Osmani, theksoi se e vlerëson lartë mbështetjen e vazhdueshme të Romës zyrtare për vendin tonë, e veçanërisht rolin e Parlamentit Italian, Komisioni për Politikë të Jashtme i së cilit vitin e kaluar solli dy rezoluta me mbështetje të fuqishme për perspektivat eurointegruese të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Më gëzon vendosmëria e fuqishme e Italisë, si mbështetëse e zëshme e procesit tonë eurointegrues, që të angazhohet për fillimin e menjëhershëm të negociatave të aderimit të Maqedonisë së Veriut, duke pasur parasysh realitetet e reja gjeopolitike në Evropë”, theksoi Ministri Osmani.

Kryeparlamentari, Roberto Fiko, e përsëriti qëndrimin e Republikës së Italisë se fillimi i menjëhershëm i negociatave të aderimit me vendin tonë, domosdoshmërish do ta forcojë kredibilitetin e Bashkimit Evropian, madje do të dërgojë mesazh të pahamendur se e ardhmja e Rajonit është vetëm evropiane.

Bashkëbiseduesit biseduan për mundësitë e shfrytëzimit të potencialit që e ofron diplomacia parlamentare, thellimin e lidhjeve ekonomike dhe bashkëpunimin multilateral, ndërsa shkëmbyen mendime edhe për situatën aktuale në Ukrainë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme