Greva në RMV, njoftohet për presione ndaj të punësuarve në çerdhe

15:22 | 12 Prill 2022
A. B.

Dita e dytë e grevës në Shkolla është zhvilluar pa probleme, pos disa presioneve në çerdhe të cilat pritet të konfirmohen nga autoritetet.

Kreu i SASHK-ut, Jakim Nedellkov tha se presin ftesë nga Qeveria për tejkalimin e problemit. Mësimdhënësit në Çair thonë se janë të vetëdijshëm për humbjet që pësojnë fëmijët por thonë se kjo është mënyra e vetme për plotësimin e kërkesave të propozuara nga SASHK-u.

“Në komunën e Çairit vlerësoj se deri më tani nuk kemi pasur një grevë të këtillë, kur bëhet fjalë se zhvillohet në mënyrë demokratike, pa presione, me përjashtme të vogla në çerdhe të cilat duhet ti konfirmojmë. Unë edhe si mësues edhe si prind I fëmijëve më vjen keq që fëmijët humbin, jo vetëm fëmijët e mi por edhe gjithë të tjerët në përgjithësi. Megjithatë, nga ana tjetër roli I mësimdhënësit në shoqëri është shumë I rëndësishëm prandaj vlerësoj se duhet të gjendet zgjidhje e shpejtë dhe të gjithë të kthehemi në vendet e punës dhe çdo gjë të vazhdoj normalisht”, deklaroi Zenafer Bajmak, SASHK- Çair.

Derisa Alsat qëndroi në shkollën e mesme profesionale “Cvetan Dimov” nuk kishte asnjë nxënës. Mësimdhënësit grevistë ishin të ndarë në disa hapësira të posaçme.

“Deri tash nuk kemi pas nxënës të cilët kanë ardhë në shkollë, eventualisht dy tre nxënës të cilët dje ishin në ndërrimin e pasdites. Edhe nëse ka të interesuar jemi të gatshëm ta organizojmë mësimin për ato nxënës do të vijnë në hapësirat e shkollës. Besoj në humanitetin e profesorëve se në rast se kishte pas nxënës natyrisht se do ta organizojmë, jo ndoshta në të gjitha orët por do ta bëjmë një riorganizim të ri që nxënësit mos të vijnë dhe mos të kthehen zbrazët”, u shpreh Visar Durak, shkolla profesionale “Cvetan Dimov”.

Në grevë të përgjithshme janë punonjësit e çerdheve, shkollave fillore dhe të mesme të cilët kërkojnë rritje të menjëhershme të pagave për 18.4 %./Alsat.mk

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme