Krasniqi: Qeveria Kurti e ka pezulluar politikën e jashtme të Kosovës – kjo qasje po e izolon shtetin tonë

14:37 | 12 Prill 2022
Artan Maliqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në debatin parlamentar të thirrur nga PDK në lidhje me politikën e jashtme, ka thënë se politika e jashtme e Kosovës është pezulluar tërësisht.

Kryetari Krasniqi ka thënë se përkundër se sot po zhvillohet një momentum i veçantë gjeopolitik, Qeveria nuk e ka as si ide, as si veprim e as si angazhim atë lloj politike të jashtme që ka për fokus Kosovën dhe pozicionimin e avancimin e saj në skenën ndërkombëtare.

Për njohje të reja e anëtarësime në Organizata Ndërkombëtare as nuk mund të flitet.

“Kjo na bëhet e qartë në disa dimensione, që nga rrafshi i përfaqësimit diplomatik, tek mungesa e një agjende politike në planin ndërkombëtar, e deri tek reduktimi i politikës së jashtme në turizëm politik pa relevancë. Që nga themelimi i Shërbimit Diplomatik të Kosovës e deri në ardhjen e këtij pushteti të qeverisë Kurti, nuk ka pasur dobësim dhe degradim më të madh të këtij shërbimi.”, ka thënë Kryetari Krasniqi.

Kryetari Krasniqi ka përmendur edhe shkarkimin e pamenduar të Ambasadorëve të Kosovës në qendrat kryesore botërore, pa u zëvendësuar me të tjerë, gjë që ka prodhuar jo vetëm vakum të menjëhershëm të pranisë së Kosovës në këto Qendra, por edhe ka rritur mosbesimin tek shtetet mikpritëse, duke shkundur bashkëpunimin bilateral me këto vende.

“E gjithë kjo mësymje, ky vakum, po tentohet të plotësohet nga një Ministre e pa përvoje dhe jo kompetente, e cila prodhon me shume skandale humoristike sesa paraqitje ne skenën ndërkombëtare.”, ka thënë Kryetari Krasniqi.

Pjesë e pandashme të politikës së jashtme të kësaj Qeverie kanë qenë edhe skandalet e njëpasnjëshme të Ministres Gërvalla dhe Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

“Pikërisht në kohën kur Kosovës iu hap mundësia për të lëvizur në drejtim të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, lirisht mund të themi se skandali amatoresk i zvKM Bislimi, e diskreditoi këtë mundësi qysh në fillim dhe efektivisht ia mbylli dyert Kosovës për anëtarësim në KE.”, shtoi më tej Kryetari Krasniqi.

Më tej, në fjalimin e tij Kryetari Krasniqi tha se mendësia qeverisëse e Presidentes dhe Listës Guxo e ka kthyer Presidenten në Ministre te Punëve te Jashtme e Ministren në stenografe të mbi paguar nga taksat e qytetarëve të Kosovës.

“Si pasojë, sot nuk ke asnjë njohje të re, as aplikime e lëre më anëtarësime në Organizata Ndërkombëtare. Këto janë zëvendësuar me përdorim të hashtagave në media sociale, të cilat nuk sjellin as anëtarësime e as njohje te reja. Nëse deri me tani nuk e keni kuptuar, po ju them sot, Kosova nuk anëtarësohet as ne NATO e as ne KE me hashtaga.”, tha Kryetari Krasniqi.

Duke folur për dialogun Kosovë – Serbi, Kryetari Krasniqi tha se tani aty nuk po flitet më për njohje të ndërsjellë por për stickersa të targave.

“Kjo qasje ndaj dialogut e ka kthyer këtë proces në pengesë në rrugën e Kosovës drejt objektivave strategjike evropiane e ndërkombëtare. Këtë me se miri mund ta shihni në deklaratën e Quintit të disa javëve me pare, ose në konferencat për shtyp të zyrtareve Evropian. Një kritike te tillë, Kryeministri nuk i shpëtoi madje as në Norvegji të miqtë e tij.”, tha Kryetari Krasniqi.

Duke e cilësuar situatën si të mjerë në politikën tonë të jashtme, si për keqardhje, Kryetari Krasniqi tha se Kosova nuk guxon të përfaqësohet në mënyrë të papërgjeshme dhe amatoreske sepse po i prishë raportet me aletatët tanë kryesorë.

“Kryeministri po lë përshtypjen se po e mbron Kosovën duke ia përplasur hundëve të gjitha kërkesat që vinë nga partnerët tanë strategjik si SHBA, BE, Mbretëria e Bashkuar etj. Madje madje, përveç që e kanë vendosur Kosovën në planin e politikës së jashtme komplet në defanzivë, Kryeministri Kurti ka arritur që të acarojë si asnjëherë më parë relacionin e Kosovës me Shqipërinë.”, tha Kryetari Krasniqi.

Kryetari Krasniqi tha se ky debat parlamentar ka qenë mëse i domosdoshëm dhe emergjent sepse përfshinë interesin e shtetit tonë në marrëdhënie ndërkombëtare.

Më tej, ai shtoi se politika e jashtme nuk mund të reduktohet në çështje shije as çështje stili.

“Politika e jashtme skandaloze, pa stil e pa shije dhe pa kurrfarë dobie për Kosovën, duhet të marrë fund menjëherë.”, përfundoi Kryetari Krasniqi. /Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme