Për satirën “Donbass” që sot shihet si dokumentar. Pjesë të shkrimit të kritikes së filmit në BBC, Caryn James, Telegrafi i sjellë si më poshtë.
“Sa i përket ukrainasve, lufta ka vazhduar për tetë vjet”, ka thënë muajin e kaluar, regjisori ukrainas Sergei Loznitsa, menjëherë pasi nisi inkursioni rus në vendin e tij. Filmi i tij “Donbass” është kaleidoskop i jetës në një pjesë të Ukrainës Lindore, të kontrolluar nga separatistët rusë që nga viti 2014.
I realizuar në vitin 2018, filmi është gati të jepet në ShBA. Aktualisht po transmetohet në Mbretërinë e Bashkuar.
Ky film me të drejtë u promovua si satirë, por tashti ngjan më shumë me një dokumentar që lidhet me absurdin e “Lizës në botën e çudirave”. Përtej ofrimit të një konteksti për luftën, “Donbass” zbulon se si arti mund të t’i hap sytë për gjërat që po i shohim në lajme.
Donbas është emri i rajonit të Ukrainës në kufi me Rusinë, që tash ka më shumë kuptim se dy muaj më parë, meqë është pikë ndezëse e luftimeve të reja.
Filmi i Loznitsas është vendosur në vitin 2015. Një vit më parë, separatistët e mbështetur nga Rusia e morën kontrollin e qyteteve Donetsk dhe Lahansk në rajonin e Donbasit, duke i shpallur ato si republika të pavarura. Që atëherë, lufta e armatosur ka vazhduar midis ushtrisë ukrainase – të mbështetur nga vullnetarët – dhe trupave separatiste – të mbështetura nga Rusia. Më 21 shkurt të këtij viti, kur Vladimir Putini i njohu zyrtarisht ato dy republika, ky ishte preludi i pushtimit që nisi tre ditë më vonë.
Në 13 episode të lidhura, duke filluar nga humori i errët e deri te tragjedia, filmi përshkruan personazhe të ndryshme, përfshirë ushtarët separatistë dhe ukrainas, një biznesmen të zakonshëm dhe një nuse e një dhëndër të dehur. Loznitsa thotë se mblodhi momente të jetës reale dhe se i ktheu ato në rrëfime. Edhe pse ky është filmi i tij i katërt, regjisori njihet edhe për dokumentarët, përfshirë “Funeralin e shtetit” (2019) për zinë kombëtare pas vdekjes së Stalinit. Mjeshtëria dhe delli i tij prej dokumentaristi kombinohen mirë në “Donbass”.
Loznitsa ka jetuar në Gjermani për më shumë se 20 vjet, por besnikëria ndaj vendit duket qartë nga fjalët që shfaqen në ekran, për ta dhënë një njoftim: “Territor i pushtuar, Ukraina Lindore”. Aty shfaqet tema e gënjeshtrës dhe e mashtrimit nën sundimin autoritar.
Ngjarja e parë zhvillohet në vendin e grimit, por shpejt mësojmë se ata nuk janë aktorë të përfshirë në film. Teksa presin sinjalin për të dalë në rrugë, dëgjojmë një shpërthim. Këta aktorë shtiren se janë të tmerruar nga shpërthimi i rremë i autobusit, që do të jepet në një raport lajmesh të rrejshme në TV, në sfondin e një skene të mëvonshme.
Lidhjet midis episodeve janë dinake. Kamera e dorës që gjurmon aktorët që vrapojnë drejt vendit të shpërthimit, e jep elementin e së vërtetës që Loznitsa e përdor mirë gjatë gjithë kohës.
Janë disa kthesa të errëta komike. Në një nga episodet më të mira, një burrë ukrainas mbërrin në selinë e policisë së kontrolluar nga Rusia, për ta marrë makinën e vjedhur. Në vend të kësaj, një zyrtar i policisë kërkon t’ia jap makinën, republikës. Toni errësohet gradualisht, teksa bota e palogjikshme e “Lizës …” ia lë vendin asaj të Kafkas. Në fillim duket i pafat dhe i hutuar, por pronari i makinës kupton se zyrtari, duke vepruar në mënyrën e regjimeve autoritare, nuk po bënte kërkesë.
Por, humori i ashpër balancohet nga skenat që afrohen me lajmet e sotme. Një grua në autobus dëgjohet duke i thënë shoqes se po shkon në shtëpi për të parë se çka ka mbetur pas granatimeve të lagjes. Më vonë, filmi zhytet në një strehë nëntokësore. Një burrë flet me një gazetar duke thënë se është vend i lagësht, i mjerueshëm, pa ngrohje, pa ujë të rrjedhshëm e pa tualet.
Në episodin më brutal, ushtarët separatistë e lidhin me zinxhirë vullnetarin e ushtrisë ukrainase. Të rinjtë dalin nga një makinë e kuqe dhe e përqeshin. Një gjyshe e godet me shkop dhe ia hedh një domate në fytyrë. Në fund mblidhet një turmë për ta rrahur, duke bërtitur: “Vriteni”. Ata gjithashtu e quajnë fashist, siç pretendojnë besnikët tjerë të Rusisë se Ukraina është plot me nazistë dhe fashistë, duke i bërë kështu jehonë pretendimit të diskredituar të Putinit se Rusia ka hyrë në Ukrainë për ta çliruar nga ndikimet naziste.
Ky episod na çon në një dasmë të dehur në një sallë të bashkisë, me një nuse me moshë mesatare të veshur me të bardha dhe me burrin që mezi qëndron në këmbë. Ata janë të rrethuar nga miqtë besnikë rusë. Skena duket komike, por kjo ndjenjë shpejt shuhet. Del makina e kuqe nga skena e mëparshme, me luftarakët e ftuar në dasmë. Mes të qeshurave, njëri prej tyre e nxjerr celularin për t’ua treguar videon e rrahjes së vullnetarit ukrainas.
Megjithatë, për shumë prej nesh, veçanërisht në Perëndim, filmi ka të ngjarë të jetë konfuz aty-këtu. Do të kishte qenë më e dobishme, për shembull, nëse titrat do të na kishin treguar se kush flet rusisht e kush flet në gjuhën e ukrainasve. Por, ia vlen pak konfuzion për një film kaq të fuqishëm me një vizion kaq të qartë artistik.
Në lajme, Ministria Ruse e mbrojtjes ka deklaruar se “qëllimi kryesor” i tyre tani është “çlirimi i Donbasit”, për ta marrë zyrtarisht kontrollin. Së fundmi, inteligjenca amerikane mësoi se qëllimi i Rusisë është kontrolli i Donbasit deri në fillim të majit.
Në ekran, filmi “Donbass” përfundon duke iu kthyer te aktorët nga vendi ku gjithçka nisi. Mund ta merrni me mend se Loznitsa tregon se gjithçka deri tash është trillim, por jo. Situatat që ai i paraqet janë shumë reale dhe rrëqethëse. /Telegrafi/
Driloni flet për largimin e Edit dhe miqësinë me të
Kryebashkiakja e Durrësit në pesëvjetorin e tërmetit: Rindër...
Kumbaro ndan artikullin e “El Periódico” për Shqipërinë: Jo ...
Rita Ora feston sot ditëlindjen e 34-të
Zeqiri: Një shoqëri e mire është kur të gjithë kanë qasje të...
Osmani takohet me ministrin kolumbian, theksohet rëndësia e ...