Google ADS

Forcat separatiste pro-ruse mohojnë përdorimin e armëve kimike në Ukrainë

10:31 | 12 Prill 2022
Fjolla Bajraktari

Forcat separatiste pro-ruse në Donetsk kanë mohuar përdorimin e armëve kimike në qytetin port jugor të Mariupolit, raporton agjencia e lajmeve Ifax.

Eduard Basurin, një komandant separatist tha se agjentët kimikë nuk ishin përdorur pavarësisht pretendimeve të Ukrainës.

Zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Malyar, tha më herët se Kievi po kontrollonte informacione të paverifikuara se Rusia mund të ketë përdorur armë kimike gjatë rrethimit të qytetit-port jugor të Ukrainës.

‘Ekziston një teori që këto mund të jenë municione me fosfor,” tha zonja Malyar në një intervistë televizive. “Informacionet zyrtare do të vijnë më vonë”.

Ditën e djeshme batalioni ushtarak ukrainas i Azov tha se forcat ruse kanë lëshuar një “substancë helmuese me origjinë të panjohur” me anë të një droni mbi Mariupol. Substanca kimike, sipas Batalionit Azov të qytetit, është hedhur mbi shënjestra ushtarake dhe civile.

Sipas raportimeve, njerëzit në qytet janë duke pasur probleme me frymëmarrjen si dhe probleme neurologjike.

Në raportin e Regjimentit thuhet: “Viktimat kanë insuficiencë respiratore, sindromë vestibulo-ataktike. Po zbardhen pasojat e përdorimit të një lënde të panjohur”.

Më herët Britani e Madhe shprehu shqetësim për pretendimet ukrainase, duke thënë se do hetojë nëse Moska ka përdorur ose jo arë kimike në Ukrainë./abcnews.al/

Të ngjashme